Një person Sh.F i moshës 25 vjeçare është ndaluar sot nga policia në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi dyshohet se kishte kryeer disa raste të vjedhjeve në Prizren.
Sipas një njoftimi të policisë bëhet e ditur se i dyshuari ishte në kërkim policor dhe po tentonte të largohej jashtë vendit.
“Pas ndalimit, ekipi i hetimeve i Stacionit Policor të Prizrenit, e ka shoqëruar të dyshuarin në stacionin për intervistim. Gjatë procedurës, pas prezantimit të dëshmive të pakontestueshme, i dyshuari ka pranuar se ka kryer së paku gjashtë (6) raste të vjedhjeve gjatë vitit 2025, në markete të ndryshme brenda qytetit të Prizrenit”, thuhet në njoftim.
Tutje siç bëhet e ditur në njoftim të gjitha veprimet hetimore janë kryer në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Përgjithshme, i cili ka rekomanduar që pas intervistimit, i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt.
“Për të gjitha rastet e dyshuara, do të procedohet me kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren”, thuhet ndër të tjera në njoftim.