Mashtrimi i qytetarëve të Kosovës, për vite të tëra nga ana e pushtetarëve që të jenë të durueshëm dhe të presin liberalizimin e vizave për të udhëtuar lirshëm jashtë vendit, ka bërë që kohëve të fundit të rritet me të madhe numri i qytetarëve, të cilët nuk zgjedhin rrugë dhe mënyra për të ikur, udhëtuar.
Derisa para disa muajsh ishin hapësirat para ambasadave të vendeve të ndryshme evropiane, ky qytetarët pritshin në rreshta të gjata për termine dhe për të marre viza, tanimë ky proces është thjeshtësuar aq shumë, saqë pritjet e tilla janë bërë më pak të nevojshme, aplikimi elektronik dhe paracaktimi e terminit po ashtu përmes komunikimit elektronik ka bërë që rreshtat të mos duken si më parë, pasi edhe procedurat e dërgimit të dokumenteve fizike dhe marrjes së vizave janë thjeshtësuar, duke u shkarkuar ambasadat nga një pjesë e punës, të cilën tani e kryejnë agjencitë e tjera për aplikim.
Gjatë ditës së djeshme gazeta ka monitoruar Ambasadën e Zvicrës, të Sllovenisë dhe të Kroacisë, ku hyrje- daljet e qytetarëve për viza ishin të pakta, saqë gati nuk vërehej asgjë e jashtëzakonshme. Mirëpo, fluksi i qytetarëve të tillë ishte zhvendosur tek rruga “Rrustem Statovci”, ku tanimë funksionojnë dy qendra aplikimi për vizat Schengen.
Qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër, përveç emigrimit
Qytetarët e gënjyer me vite nga të gjithë pushtetarët e pasluftës, prej Hashim Thaçit e deri te Haradinaj, për liberalizimin e vizave, për të dalë jashtë vendit dhe për të gjetur ndonjë punë, ose edhe për të vizituar të afërmit e tyre, rrugën më të lehtë e gjejnë përmes aplikimit me ndërmjetësim edhe në këto agjenci.
Prandaj, nuk është rastësi që qytetarët e dëshpëruar duan të ikin, të gjejnë diku një punë, të ikin sa më larg Kosovës, sepse kjo është mënyra e tyre e vetme e luftës për ekzistencë, por sidomos pasi nuk po shohin se në këtë shtet do të ketë ndonjëherë perspektivë, por vetëm shtet të krimit të organizuar dhe pushtetarëve te inkriminuar. Disponimi i atyre që presin pranë zyrave për aplikim dhe marrje të vizave, për të folur për media, është shumë i vogël, sepse, sipas tyre, si folën si nuk folën, askush nuk po merret me zgjidhjen e problemeve ekonomike në vend, prandaj më mirë është për të heshtur dhe sytë atje ku mendojnë sa ka shpresë për jetë dhe punë më të mirë. Sido që të jetë, guximin e merr dhe flet për “Kosova Sot” qytetari Arif Sijarina.
Ai ndjehet i gëzuar dhe i lehtësuar që pas shumë peripecive ka siguruar leje të rregullt qëndrimi dhe vizë pune njëvjeçare për në Kroaci. Dhe, që të dyja i ofron në dispozicion që të duken dhe publikohen edhe në gazetën .“Unë e kam ndërmend për të qëndruar atje, dhe normal në mënyrë të rregullt, sepse sa u takon mjeshtërive që i njoh, nga fusha e ndërtimtarisë, i njoh fasadën, gletin, shallonin dhe gjithçka që shkon në ndërtimtari nga themeli e deri në kulm i njoh dhe i punoj pa asnjë problem. Këtë ma ka mundësuar përvoja ime e kaluar dhjetëvjeçare në këtë profesion, ku kam punuar edhe në Gjermani në këtë mjeshtri. Kam vendosur të kërkoj punë në Kroaci, sepse këtu nuk kam pasur mundësi të gjej punë të këtij profesioni nga i cili jetohet dinjitetshëm, sepse nuk ka asgjë të rregullt”, u shpreh Arif Sijarina. Ai thotë se nëse i ofrohet mundësia për të vazhduar pas një viti edhe më tej punën në Kroaci, nuk mendon ta braktisë atë, sepse në Kosovë nuk ka shpresë që gjerat do të vijnë në binarët e duhur edhe për një kohë të gjatë. “Nëse krijohet mundësia shtesë dhe ka punë të mjaftueshme, e më jepet mundësia afatgjatë, përtej një viti, për të punuar atje, në Kroaci, unë do të vazhdoj të qëndroj atje pa asnjë problem”, tha Arif Sijarina.
30 aplikacione marrin përgjigje brenda javës
Sipas burimeve të gazetës brenda këtyre zyrave, për zgjidhjen e aplikacioneve që konkurrojnë për në Kroaci, numri i tyre është rritur, dhe tani nga 25 aplikacione zgjidhen 30, më së voni brenda javës. Po sipas këtij burimi, telashe me zgjidhjen, dhënien e përgjigjeve pozitive për aplikantët, numri i të cilëve është në rritje sidomos për në Kroaci dhe Slloveni, ka të bëjë me verifikimin e ndalesave për zonën Shengen. “ Këtë kriter e kanë vendosur sidomos autoritetet kroate.
Secili aplikant që konkurron për vizën kroate duhet të jetë i sigurt që nuk ka asnjë problem- ndalesë të mëhershme për lëvizje në zonën Shengen dhe probleme të tjera që janë regjistruar atje, sepse përgjigjja është e garantuar negative. Pastaj çështje tjetër është edhe tentativë për të shfrytëzuar Kroacinë si trampolinë për vendet e treta. Edhe ky element i bënë autoritetet shumë të kujdesshme në dhënien e lejeqëndrimit dhe të vizave të punës, sepse kemi plot raste që pas një kohë largohen nga Kroacia në vende të tjera dhe kjo po ndikon negativisht që të lehtësohet mundësia e marrjes së vizës së punë për ata që vërtet janë punëtorë dhe duan të qëndrojnë për punë në Kroaci, tha burimi i gazetës.
Shtohet kostoja për të marrë një vizë
Vizë për të udhëtuar jashtë vendit, për në Slloveni, ka siguruar edhe Pajtim Bytyqi nga Prizreni, por vetë për tre muaj, dhe tanimë është në hamendje nëse do të arrijë të gjejë ndonjë punë për këta tre muaj, në mënyrë që pastaj të vazhdon me leje të rregullt qëndrimi dhe të punësimit.
“Po shihet që dita- ditës po duan të dalin më shumë e më shumë. Unë për vete kam aplikuar dhe kam marrë vizën që të shkoj për vizitë tek motra për tre muaj ditë, jo më shumë. Sa për punë nuk e di nëse mund të sigurohet punë, por tani për këtë varet krejt si do të jetë e si do të vijë puna. Ka raste që nëse je i interesuar për të punuar dhe gjen ndonjë punë, ata po ta bëjnë të mundshme edhe këtë mundësi, prandaj tash për tash nuk di çka të them”, tha Pajtim Bytyqi. Sido që të jetë, ai thotë se tani aplikimi për viza përmes këtyre agjencive, sikur e ka bërë ai, po kushton më shtrenjtë sesa kur ka aplikuar në të kaluarën personalisht në Ambasadën sllovene, sepse çmimi për taksat është ngritur gati dyfish.
“Këta këtu janë për të na shfrytëzuar, për të na hëngër neve, sepse kur e kam marrë vizën herën e parë në Ambasadën e Sllovenisë e kam marrë për 35 euro, kurse këtu në këtë zyrë duhet të paguhen 70 euro, plus sigurimi 80 euro, veç 300 euro më shkuan mua shpenzime pa kurrgjë për këta tre muaj ditë”, tha i riu Pajtim Bytyqi.
Të rinjtë të pashpresë
“Unë mendoj që ne të rinjtë nuk do të duhej të largohemi kështu, por sa të mundemi të angazhohemi më shumë, ta ngritim nivelin arsimor, për të qenë edhe më shumë të arsimuar, por gjithsesi që shteti duhet të vendosë kritere më të fuqishme në drejtësi, që të luftohet, të ndalet krimi dhe korrupsioni, sepse ky është një nga problemet që na preokupon e pengon neve më së shumti. Tash për tash gati në çdo institucion zhvillohet korrupsioni dhe kjo na bënë me shpresa të humbura. Për mendimin tim, kjo që po e shohim brezin e ri duke ikur jashtë vendit është shumë shqetësuese, sepse rinia është shtylla që jep shpresë për ripërtëritjen dhe ngritjen e shtetit, prandaj nuk është në interesin tonë fare që të dalim e të ikim jashtë vendit, të humbim gjithandej nëpër botë, por ja që edhe këtë po na e imponojnë këto kushte që i kemi kështu”, tha Endrit Konushevci për “Kosova Sot”.
Edhe pensionistët po ikin
Edhe një qytetar tjetër, më i moshuar, Ismet Sefa, nga Prishtina, tha se ai ka zgjedhur këto agjenci që të aplikojë dhe merr vizën e udhëtimit për në Danimarkë, sepse atij fëmijët kaherë i kanë shkuar atje, derisa ai si pensionist me bashkëshorten tani kanë vendosur që të shkojnë dhe të bashkohen me fëmijët e tyre. “ Me të vërtetë është shërbim i shtrenjtë, sepse po shkon deri në 300 euro për një person, për tre muaj dot vizë dhe leje qëndrimi, krejt po varet prej agjencive të sigurimit, si po e gjen atë.
Prej 100 deri në 300 euro me të vërtetë është shtrenjtë dhe e papërballueshme për neve pensionistët. Aplikacionin për vizë të Danimarkës e kemi bërë këtu në këtë asgjenci për të mos udhëtuar deri në Shkup, që sadopak është një ndihmesë e madhe që së pakut të mos udhëtojmë deri në Shkup”, tha Ismet Sefa, i cili duhet të presë 2 javë për të marrë përgjigjen për vizën.