Jeton Morina nga Damaneku i Malishevës sot është në prag të viteve 30. Por ai mund të mos ishte fare sikur të kishte pakëz më pak fat në aksidentin e Fushë-Arrëzit ku humben jetën pesëmbëdhjetë bashkëmoshatarë të tij.
Më 14 tetor të vitit 2004 një nga autobusët e nxënësve të Malishevës derisa po kthehej nga një ekskursion në Shqipëri do të ndeshej me një makinë tjetër dhe do të binte në njërën nga greminat përreth rrugës. Pesëmbëdhjetë nxënës të Gjimnazit “Abdyl Frashëri” do të vdisnin, kurse disa të tjerë do të lëndoheshin.
Morina, që sot është afër diplomimit në Fakultetin e Mjeksësisë në Prishtinë dhe i cili tashmë edhe është martuar atë ditë ishte në autobusin e aksidentuar.
Ai në një bisedë për portalin Online ka kujtuar ngjarjen e tmerrshme. “Ani pse ka kaluar një kohë e gjatë mua më kujtohet ende kjo ngjarje e rëndë. Mesditën e 14 tetorit 2004 ishim duke u kthyer nga një vizitë që i bëmë pjesës tjetër të atedheut. Të lumtur e me plot gëzim vazhdonim rrugen duke kujtuar sekuenca të bukurive të Shqipërisë, ishim me plot humor, disa këndonin, disa vallëzonin, por kishte edhe që flinin”, e nis Jetoni rrëfimin e tij.
“Papritur në një moment një makinë ia pret rrugën autobusit tonë, ku pas një përplasje me makinën autobusi humb drejtim dhe bie në një humnerë diku rreth 50 metra thellë”. Ai thotë se ishte e rëndë që të shohësh shokët në gjendjen në të cilën ranë. “Ishte tmerr me të vërtetë, t’i shohësh të gjithë ata shokë e shoqe të gjakosur e shumë prejt tyre pa ndjenja. Kujtoj se poshtë rruge kishin zbritur shumë profesorë e nxënës duke u munduar të na ndihmonin pasiqë disa prej shokëve tanë kishin ngelur nën autobus. Dëgjoheshin shume rënkime e të qara nga nxënës e profesorë”, vazhdon ai.
“Nuk e di kush më ka ndihmuar të dalë nga atje, por e di që jam futur në një makinë dhe më kanë transportuar për në Pukë, me një qendër spitalore të vogël, që nuk i përballonte të gjithë ata pacientë. Më pas na shpërndanë nëpër spitale regjionale: Tiranë, Shkodër, Lezhë”.
Jetoni shp;timin e tij e lidh me Zotin dhe fatin. “Zoti deshi që unë të shpëtoj, ishte fati në fatkeqësi që më përcolli, ani pse me lëndime të rënda, por shpëtova. Nuk pata hapësirë t’i gëzohem shpëtimit tim, pasiqë të nesërmen nga shtypi ditor në Lezhë, ku isha në spital mësova se pesëmbëdhjetë nga shokët tanë kishin vdekur dhe ai lajm më tronditi tej mase: për mua ishte moment shumë i rëndë kur i lexova të gjithë ata emra të atyre djemve që nuk ishin më në jetë dhe që nuk e dija se do i gjeja vetëm në fotografitë që i kishim bërë nëpër vende të ndyshme”, tregon ai.
Ai tregon se jo vetëm ai por edhe të tjerët akoma i vuajnë pasojat e aksidentit. “Shumica prej të mbijetuarve sot e asaj dite i vuajnë pasojat e atij aksidenti, pothuajse të gjithë kanë lëndime që ende vazhdojnë t’i rikuperojnë, kush më të lehta e kush më të rënda”, shprehet Jetoni.
Ai thotë se asnjëherë nuk pati kompensim për aksidentin.
“Kompenzimi nuk i është dhënë askujt, ka munguar vullneti institucional si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal për ta trajtuar si rast specifik. Shumë të mbietuar kanë edhe invaliditet të perhershëm nga mungesa e kushteve për t’i trajtuar lëndimet me kohë. Që nga atëherë të gjithë kemi bërë përpjekje që të dimë pse ky rast nuk u trajtua asnjëherë seriozosht nga askush. Sot e asaj dite endemi nëpër zyre të ndryshme avokatësh duke u munduar që ta marrim atë që na takon”, thotë Jetoni.
Aksidenti i Fush-Arrëzit ishte më i rëndi në histori të ekskursioneve të nxënësve jo vetëm të Malishevës. Që të gjithë ata që e humben jetën ishin meshkuj. Ata u varrosen bashkë në dalje të qytetit të Malishevës. Aty u ngrit edhe një lapidar. Një pllakë në kujtim të nxënësve është ngritur edhe në Fushë-Arrëz. Kosova dhe Shqipëria në atë kohë patën shpallur ditë zije./Portalionline/