7.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Ibrahim Rugova, prijësi i keqkuptuar

Nga Agron Gjekmarkaj

Ibrahim Rugova, “kolosi i brishtë” sipas përkufizimit postum të Bernard Kushner në “Le Monde”, i ka mundur gjithmonë kundërshtarët e tij pa kërkuar ndeshje asgjësuese. Thjesht nuk u ikte atyre. E ka bërë këtë pa festuar asnjëherë fitoret. Ato flasin vetë si peng i kujtimit të tij. Më kryesorja është Kosova e pavarur dhe për atë qellim i janë dashur ato.

I ka përjetuar me perkorje pa mujshari. Të mundurit më jetëgjatë se ai për vullnet të Zotit, ende gjuajnë me mllef ndaj Rugovës, jo nga lartësia e distancës historike, por shpesh, si kundërshtarë nga ultësia e pezmit, të helmuar disfatash, për gjithë pjesën e jetës që u ka mbetur. Mrapshti shqiptare, sllave apo karakteristikë ritmike e natyrës njerëzore e të gjithë atyre që pozicionin në raport me kohën dhe shoqërinë e projektojnë si kundërvënie herotradhtar, zor ta ndash?!

* * *

Rugova është modeli i rrallë shqiptar i studiuesit të formuar në shkollën e Parisit, si ndjekës i Zhenetit dhe Bartit, i kontekstualizuar me bashkëkohësinë evropiane si një zë modern i saj! Por, para se të mbërrinte këtu, ai ishte një vazhdues i Rilindjes Kombëtare, si qëndresë kulturore dhe politike, e cila shtrënguar rrethanash historike u detyrua të mbetej aktuale në Kosovën që kërkonte liri dhe shtet.

Veprat e Ibrahim Rugovës, sot e asaj dite mbeten pika referimi për këdo që studimet letrare e albanologjike të zhveshura propagande dhe ideologjie i ka në fokusin e tij. Ato janë substancë, intime e reflektive. Të gjithë armiqtë e patetikes mund të ushqehen mendërisht me to. Po aq ideologjia kombëtare, jo si nacionalizëm shovinist dhe “strehë e fundit e maskarenjve”, por si patriotizëm e vetëdije.

* * *

Prishtina e Rugovës, si mot, si brez, por edhe nëpërmjet tij i dha kulturës shqiptare frymëmarrjen e mendimit modern dhe shpresën për një vazhdimësi të natyrshme me traditën e ndërprerë dhunshëm nga 45 vitet e regjimit komunist në Shqipëri. Me grupin e tij të spikatur, tradita kulturore shqiptare rivlerësohet, bëhet bashkëkohëse me atë evropiane.

Mjafton të kujtojmë Anton Pashkun, Idriz Ajetin, Fehmi Aganin, Sabri Hamitin, Anton Çetën, Mark Krasniqin, Engjell Sedajn, Rexhep Ismajlin, Nazmi Rrahmanin e disa të tjerë. Rugova, si rrallëkund e rrallëherë, veshi mantelin jo vetëm të udhëheqësit politik, por edhe të atij shpirtëror, duke fituar një përmasë mistike. Besimin nuk e mori nga premtimet që bëri, zakonisht bënte pak sosh, por në formën e një sintonie shpirtërore jo lehtë të shpjegueshme me racionalizmin e arsyes.

Nuk ishte populist, ndonëse populizmi e ndiqte nga pas, por kishte mënyrën e tij origjinale të të krijuarit optimizëm dhe shpresë. Vërtet Rugova ishte Presidenti, po veç formalisht, sepse shumë më tepër konsiderohej. Zakonisht kauzat e mëdha, si ajo e lirisë dhe pavarësisë, kërkojnë prijës, jo personazhe protokolli.

* * *

Ai ndërtoi simbiozën mbresëlënëse të njeriut krijues, mendimtarit e veprimtarit politik që shndërrohet në udhëheqës të pakontestueshëm të një populli që shëlbimin e vet e kërkoi te një njeri i vetëm, te Ibrahim Rugova. Nuk janë të shumtë popujt që gjithë fatin e tyre e vendosin mbi një palë shpatulla njerëzore, duke pretenduar se ai është më shumë se një njeri, gati një profet.

Misteri i besimit i shpërbleu kosovarët. Rrallë profecia shndërrohet në fakt. “E di Rugova”, “ai e ka një zgjidhje”, ishin shprehjet dominuese, të cilat si refren kombëtar i popullit shqiptar të Kosovës, shfaqeshin në orët më të rënda, kur paqartësia ishte më tepër se humane. Në agun e pavarësisë, kur në fund të tunelit dukej drita e bashkë me të edhe pushteti e interesat, u shfaqen “heronjtë” e shumtë, akuzuesit, frota e përbaltësve, ndoshta ngaqë kuptuan menjëherë se ai përgjithmonë do të mbetej Heroi që mund t’i deheroizonte të rremet.

nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnë
Nuk do ta besoni kush i shkakton rrudhat, flet dermatologia me shumë vite eksperiencë
Iuvenis
She sticks a rose stalk into a potato and look what happens a week later! Amazing!
Tips and Tricks
Big Data Online Courses Might Be More Fun Than You Think
Big Data Courses | Search Ad
Kosova e ditëve të sotshme është dëshmia më ulëritëse e këtij raporti. Herë pas here, tehu i akuzave si në të gjallë bie ende mbi të edhe tani kur prehet në jetën e përtejme. Malësorët tanë kanë një shprehje që thotë “inati asht këshilltari ma i keq” dhe Rugova duket e dinte këtë e nuk u përgjigjej kurrë akuzave dhe shpifjeve, sepse me gjasë i konsideronte kotësira në raport me projektin që po realizonte për ardhmërinë e Kosovës.

* * *

Me frymëzimin shpirtëror që ngjallte fjala e tij, me eksperimentin unik të shtetit paralel, si me levë Arkimedi e nxori Kosovën nga kufijtë e Jugosllavisë drejt kancelarive më të fuqishme të botës, duke e shndërruar atë nga një “problem i brendshëm” serb, në problem ndërkombëtar, zgjidhja e të cilit tendosi raportet Perëndim-Lindje si në motet e luftës së ftohtë. Në pak vite realizoi metamorfozën e dëshiruar kombëtare, u dha shqiptarëve përtej shtetit të 1912-s shtetin e dytë.

Ai fitoi simpatinë e gjithë botës së qytetëruar, duke ia hequr këtë simpati Serbisë dhe Millosheviqit, të cilin së pari e mundi në imazh. Jugosllavia, Serbia me shumë lidhje historike e miq nëpër botë, nostalgji luftërash botërore e aleancash mundej nga “një provincë”, e vetmuar, e varfër e keqprezantuar nga propaganda serbe si vatër fundamentalizmi pothuaj e hedhur gjithmonë në krahët e “armikut”, si kujtim “otoman në zemër të Evropës”.

Rugova krahasohej me Gandin e thirrej “Gandi i Ballkanit”, sot do të ishte po kaq e gjetur të thuhet “Rugova i shqiptarëve”, emri i mjafton historisë së vet dhe të dyja bashkë formojnë një ideologji lirie dhe një doktrinë paqeje.

Ndërsa tjetri, Millosheviqi, nga aleat i Perëndimit meritoi nofkën e kasapit brutal, apo si Hitleri i kohës sonë. Nëse Rugova nuk do të shfaqej si pasqyra që mbyti Narcizin, vështirë se Perëndimi do ta shquante shpejt e saktë profilin e vërtetë të Millosheviçit. ShBA-të dhe Evropa gjendeshin përballë rezistencës paqësore, por solide të Rugovës nga njëra anë dhe masakrave, eksodit e dhunës së Millosheviqit në tjetrën.

Të papajtueshme si strategji dhe aksione, ndaj nuk kishte mundësi kompromisi. Duhej mbajtur anë! Zgjodhën Rugovën, i cili mesa duket i shfaqej kontinentit si njëri prej iluministëve të tij të mëdhenj, ndoshta për t’i kujtuar se ndonjëherë Ballkani i kthehet antikitetit të vet. Evropa, Perëndimi e njohën Rugovën për të vetin.

* * *

Herët u bë shqiptari më i mediatizuar në botë, pasuria më e madhe e Kosovës, shumë më tepër se minierat. E shkuara dhe aktualiteti përmblidhej te një njeri. Intelektuali me syze e shall, që fliste shtruar, gjykohej si vetë Kosova. Në rrafshin e imazhit u shndërrua në njeriun-komb.

Këtë famë të tijën nuk e përdori vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, si “ambasador permanent” i saj, kur demokracinë tonë të re Evropa dhe ShBA-ja e konsideronin si një eksperiment mbërthyer dyshimesh e krizash.

* * *

Në provën më të vështirë të historisë së shqiptarëve të Kosovës në kohën e terrorit dhe eksodit gjatë luftës së NATO-s me Serbinë, pikërisht për lirinë e kësaj toke shqiptare, ai e bashkoi fatin me atë të popullit të tij, nuk shkoi të fshihej në hotelet e Shkupit apo te Vila 31 në Tiranë. E kritikuan se u mor forcërisht dhe u dërgua te Millosheviqi, por edhe atje ai respektoi parimet e filozofisë së tij.

Ai ndenji në Prishtinë se ishte trim se nuk i frikej Millosheviqit, ndryshe nga shumëkush që makinën vrastare të Serbisë e bënte fërtele me deklarata bombastike nga strehat e sigurta të Tiranës apo të Evropës.

Kundërshtarët politikë në Kosovë e Shqipëri bënë garë kush ta detraktonte më shumë e më shpejt, duke rënë pre e meskinitetit dhe xhelozisë provinciale. Po, është rasti me përsëritë që “rrufeja bie mbi lisat e gjatë”. Duke hedhur baltë mbi Rugovën, besuan se hoqën baltën e tyre. Ishte populli i Kosovës që foli në emër të tij, duke e votuar në mënyrë plebishitare dhe ashtu e mori sa herë desh mbështetjen e të vetëve, derisa vdekja e ndaloi së konkurruari si politikan, por jo si model. Modeli u shndërrua në Ikonë.

Shpesh ikonave u nxjerrim sytë në kishat tona, si frikë nga përsosmëria e paarritshme e tyre, si hile ndaj ndërgjegjes që zien. Me mungesë të theksuar skrupujsh, boll sish rëndën të kërkonin falje, të fotografoheshin pranë buzëqeshjes së tij, pas rikonfirmimit popullor në liri në një garë vetë- mohimi karakteresh të prishura dhe ai të gjithë i priste dhe u dhuronte gurë nga mineralet e Kosovës, me zemërgjerësi proverbiale.

Të gjithë e merrnin gurin që nuk vriste, por falte me ndjesinë e të kaluarit të lumit Jordan. Nuk i përgënjeshtroi kurrë, nuk u kërkoi llogari. Këtë punë e kreu “populli i tij”, togfjalëshi më domethënës që rrëfen simbiozën e Ibrahim Rugovës me Kosovën…

Askush tjetër si Ibrahim Rugova nuk ia doli që në të njëjtën kohë të ishte mik i shtrenjtë për Papa Gjon Palin e Nënë Terezën (fotografitë e të cilëve e shoqëronin në çdo pritje) e tejet mbresëlënës për Alen Zhypenë, bashkëbisedues imponues për Toni Bler dhe kërsheëor për Bill Klintonin, pasqyrë filozofike për Masimo D’Alemen dhe mendimtar i pashoq për Klaus Kinkelin e Joshka Fisherin dhe burrë pa të cilin nuk mund të konceptohet historia e re e Kosovës për Madalenë Ollbrajtin.

* * *

Gjithë këto personalitete të botës e nderonin për së gjalli dhe vazhdojnë t’i referohen me nderim sa herë vizitojnë Kosovën, sepse, veç të tjerash, te ai gjetën shtizën për të varur flamurin e Kosovës së pavarur dhe evropiane. I referohen kujtimit të tij për t’u thënë pasardhësve se ai na dha fjalën për Ju. Mos e tradhtoni së vdekuri.

Mos na keqkuptoni atë dhe ne. Mos e shpërdoroni lirinë. Kurrë në historinë e shtypit dhe mediave të botës vdekja e një lideri shqiptar nuk ka qenë lajm i parë, si në rastin e Rugovës, baras me Mandelën, duke e rikonfirmuar si referencë botërore. Në vitin 2007, ministri i Kulturës Bujar Leskaj i pat kërkuar një konsideratë At Zef Pllumit me idenë për të botuar një Antologji përshtypjesh mbi Rugovën.

Frati e dërgoi të vetën, të tjerët mesa duket jo. Pak rreshta, ndoshta shumë për një citim, por të shprehur aq sintetikisht që nuk mund ta citosh nëse heq edhe një fjali, ndaj po e vendosim të plotë. “Një ndër burrat e rrallë të Kombit Shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas të tjerve, popull hakmarrës i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq më e spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i përbashkët: Liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për një Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Evropës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet, Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandaj edhe kje thirrë ‘Gandi Kosovar’. U sha e u luftue edhe nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm Vizionin evropian. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve”.

Ibrahim Rugova e bëri të kalueshëm me këmbë “detin e kuq”, të pamundurën të mundur. Ai vazhdoi aty ku e la Pjetër Bogdani. Bogdani vazhdon të keqkuptohet. Me gjasë edhe Rugova si dishepull i tij.

Më Shumë

Liria zyrtarisht bie nga Superliga

Liria edhe matematikisht i ka humbur gjasat për mbijetesë, ndonëse ishte dorëzuar kohë më pak. Skuadra prizrenase gjashtë xhiro para fundit nuk ka më gjasa...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit