Krijimtaria letrare e Petro Markos konsiderohet si një vepër e realizuar në kuptimin më të plotë të botës artistike. Në vlerësimin e veprës së këtij autori, aspekti jetësor biografik ka një rëndësi të veçantë. Jeta e tij dramatike, mënyra vetjake e perceptimit të realitetit dhe e kulturimit, marrëdhëniet e tij me bashkëkohësit, me politikën dhe qeveritë në fuqi, dashuria e madhe për njeriun, për letërsinë, përpjekjet dhe lufta për liri etj. e bëjnë atë një shkrimtar tepër të veçantë në letërsinë shqipe. Lidhja specifike midis Petro Markos shkrimtar me Petro Markon njeri, sugjeron jo vetëm lëndën kryesore të veprës, por edhe ka determinuar plotësisht pozitën e tij si narrator në strukturën narrative dhe në marrëdhënien me lexuesin.
Kriteri i identitetit tek Petro Marko është parë lidhur me dy aspekte: me vazhdimësinë, që ka të bëjë me leximet e njëpasnjëshme që i bëhen veprës, dhe me trajtimin, qëndrimin ndaj saj nga lexues individualë, të ndryshëm. Nga ky përkufizim lind pyetja: A ka proza e Petro Markos një identitet të përcaktuar, të qëndrueshëm, të përjetuar nga lexuesi, që lidhet përfundimisht me një realitet të caktuar historik e kohor? Pra, a mund të përjetohen krijimet e tij si një njësi ideoartistike me autonomi semantike të qëndrueshme? Në kuptimin e këtij vlerësimi vjen në plan të parë raporti midis veprës së tij dhe lexuesve të shumtë, në kohë dhe hapësirë.
Në sfondin e vlerësimeve që i janë bërë veprës së Petro Markos, ajo mund të shihet edhe nën një këndvështrim tjetër, pikërisht për faktin se çfarë e përcakton identitetin artistik të veprës së tij. A lidhet ky identitet vetëm me sistemin letrar që ka krijuar apo edhe me një aspektin tjetër të ekzistencës së këtij sistemi, që është përjetimi emocional nga lexuesit? Në vlerësim të parë, gjithkush do të mendonte se identiteti i këtij autori qëndron në përjetimin emocional nga lexuesit dhe në temat e veçanta që lëvron ky autor. Por a është vetëm përjetimi i lexuesit që e bën dhe e ribën vazhdimisht këtë krijimtari? Raporti me prozën e Petro Markos dhe leximeve të vazhdueshme të saj, krijon kuptimin e vërtetë mbi identitetin krijues të këtij autori. Vepra e këtij autori ofron një sistem të larmishëm strukturash dhe konvencionesh artistike. Duke qenë një proces komunikues midis shkrimtarit dhe lexuesit, krijimtaria e këtij autori realizon një marrëdhënie shumë të veçantë, si rrjedhim ajo ka një identitet të variueshëm.
Në kufirin e eksperiencave të lexuesve të ndryshëm, krijimtaria e Petro Markos dëshmon se realizon mënyra të ndryshme të komunikimit artistik. Strukturat e tyre janë ato që realizojnë një raport të veçantë midis autorit dhe lexuesit. Shkrimtari rrëfen rreth dukurive të jetës, me qëllim që t’ia zbulojë ato lexuesit dhe nocioni lexues mbetet vazhdimisht i papërfunduar. Kjo, sepse autori ka aftësinë ta bëjë lexuesin e vet aktiv në procesin e perceptimit të asaj tërësie kuptimore që prodhon vepra e tij. A do të ekzistonte, për shembull, romani “Një emër në katër rrugë” jashtë tensionit që krijohet në disa momente të caktuara midis tekstit dhe lexuesit, i cili nuk mund të konsiderohet kurrsesi si një lexues i përcaktuar, por si një nga mijëra këndvështrimet e shumta, që realizon perspektiva të ndryshme në kuptimin e tij? Simbolika e titullit (katër rrugë) dhe e personazheve (katër Gjikët), filozofia e qeverisë së dubluar (qeveria e Zogut dhe e Hoxhës) në pushtet, kurrsesi nuk mund të krijojnë përfytyrime të njëjta tek lexues të ndryshëm, as tek lexuesi i moshës së re që nuk e jetoi realitetin e Ahmet Zogut apo të Enver Hoxhës, dhe as tek ata që ishin dëshmitarë, apo edhe viktima të asaj kohe. Ndërsa për një kategori tjetër lexuesish, që do t’i përkisnin një realiteti krejt tjetër, kjo vepër do ta zgjeronte më tej horizontin imagjinativ. Pra, mund të themi se identiteti artistik shfaqet jo në kuptimin konciz, por në faktin se të gjitha leximet e kësaj vepre janë një mundësi e veçantë, që realizohet në procesin e leximit. Në këtë roman në gjejmë, herë filozofinë e radiografisë tërësore që i bëhet njeriut, shkatërrimit të individualitetit të tij, herë filozofinë e depërtimit në ndërgjegjen njerëzore, herë filozofinë e fshehjes nga vetvetja. Gjithashtu, në këtë roman ne gjejmë filozofinë e ekzistencës dhe funksionimit të regjimit diktatorial.
Kur lexova romanin “Qyteti i fundit” krijova bindjen se ai ishte një kryevepër e Petro Markos, ndërkohë që një lexues tjetër ndoshta e ka cilësuar si të tillë romanin “Një emër në katër rrugë”. Ky është një nga rastet kur lexuesi, në parapëlqimin e vet, dëshmon diçka nga personaliteti i tij, e jo thjesht nivelin e shijes letrare. Leximi ynë në këto shembuj ka realizuar jo thjesht pikëvështrimin e veçantë të secilit, por edhe mënyrën se si drejtohet ky vështrim në kuptimin e veprës. Pikërisht në këtë raport që krijohet midis nesh dhe veprës shfaqet identiteti ynë si lexues.
Shfaqja e identitetit të lexuesit në raport me identitetin e variueshëm të veprës së Petro Markos duket edhe në kriteret e ndryshme që përdorim për vlerësimin e secilës vepër në veçanti. Nëse lexuesin e zakonshëm tek romani “Hasta la vista” e tërheq kryesisht fabula, me situatat dramatike të luftës, një lexues tjetër, më profesionist, e gjen madhështinë e veprës te filozofia e brendshme, që i kapërcen kufijtë e një mjedisi kohor e historik. Kështu vepra në fjalë dhe krejt krijimtaria e Petro Markos, bëhet e ribëhet vazhdimisht gjatë leximeve të saj. Ajo nuk shfaqet si një tërësi e kuptimshme e mbaruar, sepse kuptimi i saj varet edhe nga gjendja momentale e lexuesit.
Duke lexuar veprat e këtij shkrimtari, vështirë që lexuesi të mos ndiejë, në mënyrë të pavetëdijshme, se është në pozicionin e një lexuesi aktiv, kur ka përjetuar në mënyrën e vet kuptimin e veprës. Por, gjithashtu, lexuesi mund të vihet edhe në një rol pasiv, sepse duke qenë brenda sferës së artit të tij të fjalës, ai kupton se strukturat e teksteve e kanë drejtuar në formimin e kuptimit të tij, ku, në njëfarë mënyre, lexuesi realizon vetveten. Këtë mundësi Petro Marko ia krijon pafundësisht lexuesit të vet, prandaj, në njëfarë kuptimi, procesi i leximi kthehet edhe në të anasjellën e vet, duke bërë që vepra të bëhet shkak i njohjes së identiteteve të ndryshëm të përjetimit artistik.
Sikur lexuesit të shprehnin në mënyrë masive kuptimin e veprave të ndryshme të Petro Markos, kjo do të ishte një rizbulim mjaft interesant, sepse nëpërmjet identiteteve të variueshme të lexuesve, mund të nxirreshin konkluzione mjaft interesante si për pafundësinë e horizontit kuptimor, ashtu edhe me përmasën e përbashkësisë që kanë këto identitete të përjetimit artistik. Ky raport identitetesh mund të ndërtohet duke pasur në themel thjesht përvojën tonë.
Romani “Një natë dhe dy agime”, në kohën kur u botua, madje me jo me titullin që autori e kishte pagëzuar, por me titullin “Nata e Ustikës”, krijoi një raport të veçantë me lexuesit që gjetën në këtë vepër pjesë nga jeta e tyre, ndërkohë që ky roman nuk krijon të njëjtin raport me lexuesit e sotshëm. Raporti midis identitetit të veprës dhe identitetit tonë, si lexues, është i një natyre tjetër, kur përjetimi i saj bëhet duke iu referuar një konteksti të caktuar. Identitetit të variueshëm të veprës së Petro Markos i përgjigjet edhe i identiteti i variueshëm i të njëjtit lexues.
I gjithë sistemi figurativ i veprës së Petro Markos shpreh universin mendor dhe intuitën krijuese të tij. Pra, ekziston një qëndrueshmëri reale, e cila nuk mund të konceptohet jashtë nesh, si lexues, sepse në identitetin tonë kemi të përbashkët kemi vetëdijen për specifikën e sistemit letrar, që vlerësohet në hapësirën e pafundme të fjalës. Kështu, në atë masë që do pranonim identitetin artistik të Petro Markos, po në ato përmasa shfaqet edhe identiteti tek lexuesit e saj. Identiteti i variueshëm, që karakterizon veprën e autorit tonë, shpreh përmasat që merr individualiteti krijues, hapësira e pafund që i krijon ai lexuesve të të gjitha kohërave për ta zgjeruar kuptimin e veprës dhe për ta ribërë atë.
Mënyra më e mirë për përcaktimin e veprës së artit është ajo që bëhet nëpërmjet përvojës shoqërore dhe kolektive. Ne mund të themi se vepra e artit është shuma e të gjitha përvojave të kaluara e të mundshme të perceptimit të poezisë; por me këtë zgjidhje na dalin përpara përvoja të panumërta individuale e të pasakta, lexime të përcipta apo të gabuara, me kuptime të shtrembëruara. Identiteti dhe vlera historike e veprave të Petro Markos ka të bëjë me momentin kur ato kanë ardhur në historinë tonë kulturore, si dhe me përmasat që i bëjnë ato ngjarje historikisht kuptimplote. A mund ta arrijnë kuptimin e tyre vepra të tilla, si “Qyteti i fundit” apo “Një emër në katër rrugë” dhe “Hasta la vista”, vetëm brenda kufijve të strukturës së tyre rrëfimtare, jashtë mundësive të shumta që ofron eksperienca e një lexuesi historik? Në këtë rast termi kuptim historik është i përqendruar jo tek realiteti historik i pasqyruar, por tek përjetimi historik nga ana e lexuesit, i cili mund t’i përkasë kohëve të ndryshme. Raporti rrëfim – kohë e përjetimit artistik zbulon vlerat e vërteta të romanit të Petro Markos, mundësitë e pafund që hapin format rrëfimtare në horizontet e lexuesve në kohë të ndryshme. Gjithashtu, ky raport bën që në kompleksitetin e vet, kjo krijimtari të mos shihet si dëshmi e një identiteti fiks. Fakti që pothuajse krejt vepra e këtij shkrimtari përmban në vetvete potencialin e përshtatshmërisë së brendisë së saj me të tashmen, madje edhe me të ardhmen, dëshmon karakterin e variueshëm të këtij identiteti.
Secili prej leximeve që i kemi bërë dhe vazhdojmë t’i bëjmë veprave të këtij autori sjell një kuptim kohor të identitetit artistik të tyre. Nëse në leximet tona të shumta, ku përjetimi i kuptimeve jo plotësisht të njësuara është fenomen i pamohueshëm, ne ndiejmë se midis këtyre dy aspekteve nuk ka një përputhje të plotë dhe përfundimtare, kjo dëshmon se identiteti i këtyre veprave është i lidhur drejtpërdrejt me specifikën e brendshme, që na lejon t’ua plotësojmë vazhdimisht kuptimin. Dy aspektet e raportit vepër-lexues janë të mbërthyer nga konteksti historik i ndryshimit, dhe pikërisht, në saje të këtij tipari, vepra e Petro Markos rizbulon vazhdimisht kuptimet e saj.
Antela Spaho Voulis