12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

IKD reagon kundër tendencave të KPK-së për t’i censuruar gazetarët

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ashpër ndaj tendencave të hapura të disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që të ndalojnë, kufizojnë dhe censurojnë lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, shoqërisë civile dhe publikut për tu informuar dhe për të informuar rreth aktiviteteve publike të KPK-së.

IKD njofton opinionin publik se në mbledhjen e KPK-së të mbajtur më 9 korrik 2015, anëtar të caktuar të këtij Këshilli, kanë shfaqur publikisht qëndrimin e tyre kundër qasjes së plotë të medieve dhe shoqërisë civile në mbledhjet e hapura të KPK-së dhe janë shprehur kundër publikimit të plotë të këtyre mbledhjeve, madje duke kërkuar që të shqyrtohet ndalimi i xhirimit të mbledhjeve si dhe në rastet kur lejohet xhirimi, të pyetën anëtarët e këtij Këshilli se çka duhet të publikohet.

Ky reagim i anëtarëve të caktuar të KPK-së vjen pas publikimit të mbledhjeve të këtij Këshilli në youtube në kanalin e emisionit “Betimi për Drejtësi”, si prodhim i IKD-së. IKD në përputhje me Ligjin për Lirinë e Associmit dhe Statutin e Organizatës, për realizimin e misionit të saj, për promovimin e sundimit të ligjit, angazhohet në zhvillimin e programeve, emisioneve, dhe produkteve tjera mediale me qëllim të ngritjes së vetëdijes institucionale dhe publike në fushën e sundimit të ligjit.

“Në kuadër të këtij qëllimi, IKD monitoron, hulumton, analizon dhe përgatitë publikime dhe produkte mediale për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve publike, në këtë rast edhe të KPK-së. Në këtë drejtim, monitoruesit e IKD-së dhe gazetarët e emisionit “Betimi për Drejtësi” vazhdimisht kanë përcjellë edhe përmes kamerave mbledhjet e hapura të KPK-së, dhe të njëjtat janë publikuar në youtube në kanalin zyrtar të emisionit “Betimi për Drejtësi”. Publikimi i këtyre mbledhjeve në kanalin e youtube vazhdimisht është bërë pa asnjë ndërhyrje dhe asnjë komentim të vetëm në përmbajtjen e diskutimeve gjatë takimeve të KPK-së”, thuhet në reagim.

“IKD shpreh zhgënjim të thellë me këtë qasje dhe tendencë të disa anëtarëve të KPK-së për ndaluar, kufizuar dhe censuruar gazetarët dhe shoqërinë civile që të informohen dhe të informojnë publikun rreth aktiviteteve të KPK-së në mbledhjet që janë të hapura dhe garantohen me Ligj. IKD konsideron se kjo tendencë paraqet drejtpërdrejtë tentim për të censuruar fjalën e lirë dhe pengimin e shpërndarjes së informacionit përmes medieve që është në interes të publikut”.

“IKD dëshiron t’ia kujtojë anëtarëve të caktuar të KPK-së dhe cilitdo zyrtar që përcjellë këtë mentalitet kufizues, se liria e shprehjes dhe liria e medias janë të drejta dhe liri të cilat garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 40 i Kushtetutës, përcakton se “liria e shprehjes” është e garantuar dhe përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush. Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj vetëm në rastet kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare. Neni 42 i Kushtetutës përcakton se garantohet liria dhe pluralizmi i medieve. Censura është e ndaluar. Askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet medieve, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare dhe se çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin”.

“IKD informon publikun se monitorimi dhe transmetimi i materialeve të xhiruara në kanalin youtube të emisionit “Betimi për Drejtësi” rreth punës së KPK-së është realizuar në pajtim të plotë me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe nenin 12 të Ligjit për KPK, i cili përcakton se të gjitha takimet e Këshillit janë të hapura për publikun. Ligji obligon KPK-në që rendi i ditës të bëhet publik së paku dyzetetetë (48) orë para takimit. KPK mund të mbyllë takimin me shumicën e votave të anëtarëve kur diskutohet për çështje të përcaktuara në këtë ligj”.

“IKD bën të qartë se monitorimi dhe publikimi i takimeve të KPK-së, është e drejtë e patjetërsueshme e cila hyn në kuadër të së drejtës së lirisë së mendimit dhe të shprehurit – përfshirë këtu edhe “lirinë që të pranon dhe bart informata dhe ide për çfarëdo mediumi dhe pa marrë parasysh kufijtë” (neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948), e zbatueshme në Republikën e Kosovës sipas nenit 22 të Kushtetutës. Kjo e drejtë është njëra nga të drejtat themelore politike dhe civile, e cila garantohet pothuajse me të gjitha instrumentet e të drejtave të njeriut, si Konventa Evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe Konventën ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike”.

“IKD edhe njëherë shpreh zhgënjim me këtë qasje dhe mendësi të disa anëtarëve të KPK-së, të cilët do duhej të ishin shembull i zbatimit të dispozitave të Ligjit të KPK-së dhe jo që të njëjtit të tentojnë të ndalojnë, kufizojnë dhe censurojnë lirinë e medias. Këto sjellje nuk dallojnë me ato të kohës së komunizmit, kur mediat kontrolloheshin nga pushteti, kohë kur nuk mund të flitej për liri të shprehjes dhe liri të medias. Qytetarët e Kosovës, tani kanë shtetin e tyre, kanë Republikën e tyre dhe jetojnë të lirë. Meritojnë të mendojnë dhe shprehen lirshëm në pajtim me të drejtat e garantuara me ligj. Përkundër sfidave të shumta, IKD do të vazhdojë të ndërtojë politika dhe praktika për të siguruar se ushtrohen përgjegjësitë dhe obligimet karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës në mënyrë të lirë, të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Ky realitet pavarësisht faktit nëse nuk i pëlqen dikujt, qoftë edhe një anëtari të KPK-së, kjo nuk mund të ndryshohet. Qytetarët e Republikës së Kosovës tani jetojnë në demokraci dhe meritojnë të marrin informacion lidhur me performancën e institucioneve publike, sikurse është edhe KPK. IKD inkurajon anëtarët e tjerë të KPK-së që edhe në këtë mbledhje janë thirrur në parimet dhe dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për KPK dhe standardet ndërkombëtare se mediat dhe shoqëria civile nuk mund të ndalohen, kufizohen dhe censurohen që të informohen dhe të informojnë për çdo detaj nga mbledhjet e hapura të KPK-së të garantuara me ligj”.

“Kjo tendencë e anëtarëve të caktuar të KPK-së paraqet një nonsens i llojit të vet, që në këtë kohë, kur kryesisht mbi institucionet e drejtësisë, adresohen kritikat më të ashpra nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, vijnë kërkesa publike nga ta, që të ndalohen, kufizohen dhe censurohen mediat dhe shoqëria civile për pasqyrimin e mbledhjeve të KPK-së”.

“IKD rikujton se qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar dhe pa një perspektivë evropiane falë këtij mentaliteti, i cili tenton të pengojë dhe censurojë median dhe shoqërinë civile, përmes të cilave sigurohet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike, në këtë rast edhe sistemit prokurorial. Qytetarët e Republikës së Kosovës mbesin pa perspektivë evropiane, ekskluzivisht për shkak të mungesës së rezultateve të sistemit prokurorial dhe gjyqësor, në luftimin e kriminalitetit, sidomos korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Përderisa, të njëjtit do të duhej të jenë bartës kryesor të mbrojtjes të të gjithë aktivistëve të shoqërisë civile dhe mediave në rast të cenimit të fjalës së lirë”.

“IKD sugjeron anëtarët e caktuar të KPK-së dhe i bën thirrje Kryetarit të këtij Këshilli, që të ndërpresin çdo tendencë për të ndaluar, kufizuar dhe censuruar mediat dhe shoqërinë civile për të përcjellë dhe për të pasqyruar aktivitetet e KPK-së. Në vend se të harxhohet energji në këtë drejtim, duke tentuar mbylljen e KPK-së para mediave, shoqërisë civile dhe publikut, IKD sugjeron Kryetarin dhe KPK-në që të ndërtojë politika që rrisin qasjen, transparencën dhe llogaridhënien e KPK-së para publikut dhe qytetarëve”.

“IKD i bën thirrje institucioneve publike që të ndalojnë çdo tendencë të cilitdo zyrtar shtetëror për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. IKD iu bën thirrje asociacioneve që mbrojnë të drejtat e gazetarëve që të reagojnë kundër këtyre tendencave për të ndaluar, kufizuar, censuruar dhe penguar punën e gazetarëve dhe medias që të kenë qasje për tu informuar dhe për të informuar publikun për aktivitetet dhe mbledhjet e hapura të KPK-së, të cilat garantohen me ligj”.

“Për fund, IKD i rikujton KPK-së se Raporti i “Freedom House” për vitin 2014 për Kosovën, ndër të tjera ka raportuar se mjedisi mediatik në Kosovë është i prekur nga ndikimet politike, korrupsioni dhe ndikimi financiar, edhe për shkak të sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është krejtësisht i pavarur dhe kjo paraqet pengesë në lirinë e medias”. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Aksident tragjik në Shirokë të Suharekës, humbin jetën dy persona

Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të...

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionin po vazhdon deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë. Pasurinë në këtë agjenci e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës...

Lajmet e Fundit