10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Ikja e Thaçit

thaci tuj ikSa ishte kryeministër, vendosi t’i rris për 25 për qind pagat për shërbyesit civil, e tha se do t’i hapë 200 mijë vende të reja pune. Për të plotësuar dëshirat e të punësuarve, Hashim Thaçi nënshkroi kontratën kolektive dhe u zotua se do të jetë gardian i saj.

Para se ta dorëzojë mandatin si kryeministër, ai mori edhe një varg vendimesh me peshë buxhetore, të cilat u kritikuan në masë nga njohësit e ekonomisë.

Këto vendime e premtime po dalin të jenë telash i madh për kryeministrin e ri, Isa Mustafa dhe sfidë për zhvillimin e vendit, shkruan gazeta Fjala.

Protestat e studentëve, ish- luftëtarëve, sindikalistëve, Trepça, e ikja masive e qytetareve për një jetë më të mirë, i ranë kokës kryeministrit të ri.

Por, sipas analistëve këto probleme janë rezultat i zhgënjimit qytetar me punën e politikanëve për 15 vite me radhë. Tani kur duket se tensionet dhe kriza sociale është ngritur në kulm, Hashim Thaçi është distancuar thuajse krejtësisht nga të gjitha këto zhvillime.

Është partner i kësaj qeverie por duket se ka zgjedhur të mos merret me vendimet e tij.

“Ata që, gjoja se, kanë rrezikuar jetën para 15 viteve për formimin e shtetit të Kosovës janë shndërruar në shkaktarë kryesor të zhgënjimit. Si pasojë kemi situatën që po ndodhë këtyre ditëve, protestat e studentëve, luftëtarëve, sindikalistëve … dhe varganin e të rinjve që rrezikojnë jetën duke ikur nga shteti që është krijuar së bashku me ndërkombëtarët”, thotë analisti Belul Beqaj.

Sipas tij, qytetarët deri vonë kanë jetuar në lajthitje dhe “nga lajthitja se premtimet e z. Thaçi kanë mbulesë”, shton ai.

“Premtimet ndoshta dikush mund t’i arsyetojë, por politikani serioz duhet të ndërtojë karrierën në varësi nga pasojat që i krijon. Kjo në rastin e Thaçit ka munguar”.

Beqaj thotë se Thaçit kurrë nuk i kanë interesuar sfidat e zhvillimit të Kosovës, por vetëm zhvillimi i karrierës së tij. “Ai asnjë veprim nuk e ndërmerr për tjerët dhe shoqërinë nëse paraprakisht nuk e ka zgjidhur problemin e vet. Z.Thaci, deri tash është politikani më i suksesshëm në Kosovë ngase me minimum të sakrificave ka arritur maksimumin e suksesit. Çka do të ndodhë në të ardhmen është çështje tjetër”, shprehet Beqaj.

Politikanët shfrytëzuan krizën sociale për përfitime personale Për drejtorin e Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demin, shfrytëzimi krizave ekonomike e sociale për përfitime politike nuk është dicka e pa njohur tek liderët vendës e botëror.
Por, ai në një analizë të tij për Gazetën JNK, shkruan se kjo metodë përdoret e është stërpërdorur nga politikanët kosovarë.

Sipas tij, viti 2014 filloi e mbaroi me këtë logjikë të mbrapsht qeverisjeje. Në shkurt të 2014-ës Qeveria mori vendim për rritjen e pagave të shërbyesve publikë dhe rritjen e subvencioneve për kategoritë sociale. Vendim i cili nxori nga balanca buxhetin shtetëror, duke bërë që shpenzimet për këto dy kategori buxhetore të arrijnë në 58%, në dëm të kategorisë së investimeve e cila shënoi një rënie prej 11%.

Vendimi bëri që të preket edhe rezerva buxhetore dhe të ketë më pak buxhet për projekte të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ose indirekt në rritjen ekonomike dhe punësim.

“Ky vendim u mor pikërisht në prag të zgjedhjeve, për të ndikuar në vendimin për votim të një armate prej mbi 80 mijë punonjësve në sektorin publik, e po aq personave që përfitojnë nga programet sociale”, shkruan Demi.

Ndërkaq, njohësit e ekonomisë për punësimin e 120 deri 200 mijë vetave brenda katër vjetëve, thonë se ky premtim pothuajse u harrua përgjatë pesë muajve të ngërçit institucional dhe këtë muaj të qeverisë së re, e cila deri më tani nuk ka dhënë asnjë shenjë se si do të trajtojë këtë problem në mandatin e saj.

Kjo duket të jetë një sfidë serioze për pasardhësin e Hashim Thaçit, edhe të dhënat nga Agjencia e Statistikave tregojnë ulje në shkallën e punësimit nga 30.9% në 30.0% brenda vitit të kaluar, numri i kërkueseve për punë të regjistruar është rritur.

Numri i përgjithshëm i kërkuesve të regjistruar për punë në qershor të vitit të kaluar ishte 272,093, numër ky i cili është rritur për 2.5% krahasuar me vitin paraaprak.

Një shqetësim tjetër i madh është që numri i punëkërkuesve me arsimim universitar është rritur për 16.7% brenda një viti sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. E në mungesë të vendeve të punës dhe mirëqenies në Kosovë shumë qytetarë tashmë kaanë zgjedhur të largohen nga vendi.

Deri më tani, ilegalisht nga Kosova thuhet të jenë larguar për në Hungari dh vende tjera të Evropës mbi 25 mijë qytetarë. Shumë analist e njohës të politikës e ekonomisë në vend kanë thënë se të gjitha sfidat e kësaj qeverie janë rezultat i së kaluarës së ekzekutivit ne vend.

Për këtë është i vetëdijshëm kreu i tanishëm ekzekutivit, Isa Mustafa, i cili shkruan në llogarinë e tij në facebook, “ … E kam të qartë se nuk ndodh rastësisht asgjë, aq më pak që në muajin e parë të mandatit të ballafaqohem me kërkesa për rritje të pagave për 25%…”

E për pagat kryeministri Mustafa ka njoftuar edhe njëherë se nuk do të rriten për 25 për qind. “Nuk i kemi 130 milionë euro për ngritjen e pagave. Kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve të vendit për këtë”, tha kryeministri Mustafa.

Rritja të pagave po kërkojnë sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë të cilët të premten e kaluar kanë mbajtur një grevë njëditore me këtë kërkesë.

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1501 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Edhe 17 biznese të reja të mbështetura nga komuna e Prizrenit dhe Preda Plus, me mbështetjen e ASB-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka bërë me dije se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me përfaqësuesit e projektit “Integra – Nxitja e...

Lajmet e Fundit