23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Imamët turq shpërndahen në tërë Kosovën, mbajnë ligjërata e mësime (Dokument)

Dhjetëra imamë turq ishin angazhuar ramazanin e fundit në Kosovë, që nga leximi i Kur’anit e deri te mbajtja e ligjëratave nëpër xhamitë e vendit. BIK’u nuk ka komentuar se kush i ka paguar ata dhe a u monitoruan gjatë ligjërimit. Express sjell listën e plotë të këtyre imamëve që operuan në Kosovë

Ndikimi i frymës së islamit politik në Kosovë nuk vjen vetëm nga Arabia Sauditë, për të cilin ndikim kohë më parë pati një seri shkrimesh kritike edhe “The New York Times”. Edhe Republika e Turqisë, përmes Departamentit për Çështje Fetare, të njohur si “Dijaneti”, po e shtrin këtë ndikim.

Gazeta Express ka siguruar listën e së paku 24 imamëve që ishin shpërndarë nëpër xhamitë më me ndikimi në Kosovë gjatë ramazanit të fundit.

Express ka pritur gjatë tërë ditës që të marrë një koment nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), përgjegjëse për aktivitetet në xhamitë e vendit, por të njëjtët nuk kanë komentuar për këtë listë, e as për aktivitetin që këta imamë turq kanë zhvilluar në Kosovë.

Sipas këtij dokumenti, imamët turq në Kosovë kanë qenë të angazhuar që nga aktivitet e mësimit përmendësh të librit të shenjtë të myslimaneve, i njohur si “Hivzi i Kur’anit”, te leximi i tërësishëm i tij për një muaj në grup, ose ajo që njihet si “hatmeja”, e deri në mbajtjen e ligjëratave- “vaizi”. BIK’u nuk ka komentuar se a i ka monitoruar ligjëratat dhe përmbajtjen e tyre.

Këta imamë që janë shpërndarë në disa qytete kosovare janë strehuar kryesisht nga një organizatë joqeveritare (OJQ) me emrin “Istanbul”, derisa një pjesë e tyre kanë qenë të strehuar edhe nëpër shtëpi private.

Në BIK nuk kanë treguar as edhe se kush i ka paguar ata – BIK’u në Kosovë apo “Dijaneti” i Turqisë, një institucion ky që është kritikuar për rënie nën ndikimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Prania e imamëve turq në Kosovë nuk është mundësuar vetëm nëpërmjet dy bashkësive islame të dy vendeve përkatës, por në këtë punë ishte e përfshirë edhe Ambasada e Turqisë.

Së paku në vitin 2014 Abdullah Vasfi Yüce, një turk që punon në Prishtinë, publikoi fotografi me disa imamë turq të cilët thotë se janë takuar edhe me ish-ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan.

Ndikimi i Turqisë në Kosovë është i dukshëm në ekonomi, ku ata kontrollojnë sot, përmes privatizimit, kompani të fuqishme.

Por, ndikimin e tyre nuk e ndalin vetëm aty.

David Phlips nga Universiteti i Kolumbias, duke folur kohë më parë në Kosovë për rolin e edukimit në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë se vendi ynë duhet të ketë kujdes nga miqtë e rrejshëm, e që në këtë rast, sipas tij, është Turqia.

“Në fund dua t’ju jap një paralajmërim për miqtë e rrejshëm. Agjenda e Turqisë këtu ka te bëjë me agjenda të cilat janë të partisë së Erdoganit dhe ata kanë për qëllim të çojnë përpara një agjendë të përhapjes së islamit politik. Keni kujdes nga miqtë e rrejshëm”, porositi Phlips./GazetaExpress/

Imamet turq ne Kosove

Previous article
Next article

Më Shumë

Moti sot me diell dhe vranësira

Për të dielën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, të cilat gjatë ditës pritet të marrin karakter zhvillimi, kryesisht në zona malore...

Kjo është 24 vjeçarja shtatzënë që vdiq në Spitalin e Prizrenit

Një grua ka humbur jetën dje në repartin e Gjinekologjisë të Spitalit Rajonal në Prizren. Ajo në spital ishte pranuar në gjendje të rëndë. Familjarët e...

Moti sot me shi

Lajmet e Fundit