6.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Integrimi i pashmangshëm i veriut

Mitrovice-VeriuMbajtja e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore dhe konstituimi i kuvendeve dhe organeve tjera komunale atje, pak ditë më parë, shënojnë ndryshimin e rëndësishëm dhe më domethënës të situatës në veri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008.

Megjithatë, përfaqësuesit e komuniteteve që jetojnë në veri të Kosovës, kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me situatën në këtë pjesë të vendit, gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se gjendja në veriun e Kosovës është edhe më e rëndë se sa para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe se popullata që jeton aty, siç thotë ajo, është tmerrësisht e shqetësuar.

Kjo, sipas saj, edhe për faktin e ndalimit dhe mbajtjes në paraburgim kohë më parë të liderit të Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, me akuzat për krime lufte dhe vrasje të rëndë. Bozhoviq, shpreh mendimin se bashkësia ndërkombëtare, e cila sipas saj, është e pranishme në veri për ta vendosur rendin dhe ligjin, këtë nuk e ka bërë dhe nuk ka ndryshime nga e kaluara”.

“Gjendja në veri, gjashtë vjet pas kësaj [shpalljes së pavarësisë së Kosovës] është e tillë që kurrfarë përmirësimi nuk ka. Kurrfarë mbretërimi të ligjit nuk ka. Do të thotë serbët ende nuk i kanë të drejtat e tyre. Këto të drejta i kanë të rrezikuara në të gjitha fushat, ashtu sikurse edhe siguria”.

“Situata ekonomike e popullatës është e rëndë, ekziston nivel i lartë i papunësisë. Nuk ka kurrfarë projektesh të realizuara në veri. Nuk ka përmirësim në asnjë sferë në veri”, vlerësoi Bozhoviq.

Ajo ka shtuar se të rinjtë kanë mbetur rrugëve të papunë dhe se nuk është ndërmarrë ndonjë hap për përmirësimin e situatës, Ndërkaq, siç theksoi ajo, bashkësia ndërkombëtare, fillimisht duhet të krijojnë besimin tek banorët në veri, për misionin me të cilin kanë ardhur.

Emir Azemi, këshilltar komunal në Mitrovicën e veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se në veriun e Kosovës, situata nga ajo anarkike po shkon drejt normalizimit. Sipas tij, gjendja në veri nuk është nuk është sikurse në pjesët tjera të Kosovës, por, siç thotë ai, gjerat tashmë po shkojnë në drejtim pozitiv..

“Edhe serbët në veri, por edhe faktori ndërkombëtar, i cili është prezent në këtë pjesë, e kanë kuptuar që Kosova është një shtet me kufijtë e tij, ku është vendosur edhe dogana edhe sistemi kushtetues dhe juridik i Republikës së Kosovës”.

“Tani kemi edhe institucione, për herë të parë, të dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të Republikës së Kosovës, njerëz të cilët kanë marrë pjesë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e fundit. Por, edhe njëkohësisht, njerëz që do të vazhdojnë – po besoj dhe shpresoj – të punojnë në kuadër të këtij sistemi kushtetues dhe juridik që e ka Republika e Kosovës”, theksoi Azemi.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se edhe raportet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës, të cilat më parë ishin karakterizuar me përplasje të shumta, tashmë kanë filluar të përmirësohen, me ndërtimin e një besimi të ndërsjellë, ndonëse në masë të vogël, por siç thotë ai, të sigurt.

Por, për të arritur deri te krijimi i kushteve për të mbajtur zgjedhjet lokale në veriun e Kosovës dhe për të ndryshuar sadopak situatën atje, janë dashur vite përpjekje, vlerëson Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës, në Mitrovicën e veriut.

Këto përpjekje, sipas saj, kanë nisur që nga shkurti i vitit 2010, me formimin e Ekipit komunal përgatitor për krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore, të cilën e pati kryesuar ajo.

Rreth 2 vjet e gjysmë më pas u krijua Zyra administrative të Qeverisë së Kosovës në këtë komunë, e cila gradualisht ka krijuar besimin ndërmjet qytetarëve atje dhe institucioneve të Qeverisë së Kosovës.

Hoxhiq thotë se tashmë ka lëvizje konkrete politike, të cilat tregojnë se ka nisur integrimi konkret i pjesës veriore të Kosovës në institucionet e Kosovës.

“Sidomos në këto muajt e fundit, po bëhet më e qartë për qytetarët e veriut të Kosovës se nuk kemi zgjidhje tjetër dhe se integrimi në sistemin e Kosovës është i nevojshëm, i pashmangshëm dhe se kjo është diçka që nuk mund t’i shmangen. Ju e dini që jo vetëm në 6 vjetët e kaluara, por edhe gjatë 15 vjetëve të kaluar, pushteti i Beogradit ka qenë i fortë në mohimin e integrimit të veriut të Kosovës në institucionet e Kosovës”.

“Tani është temë aktuale se mu kjo po ndodh me hapa të shpejtë”, tha Hoxhiq.

Megjithatë, Hoxhiq, vlerëson se është ambicie e tepruar të kujtdo qoftë, që të pres se serbët e veriut do t’i gëzohen ditës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj edhe dalja në zgjedhje lokale ka qenë një vullnet i imponuar për serbët e veriut, që ka dalë pas marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për t’i përfshirë edhe ata në proces.

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

Hashim Thaçi sot ka ditëlindjen

sh-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston sot 56-vjetorin e lindjes. As kësaj radhe ai nuk do të mund të festojë pranë familjarëve të tij për...

Lajmet e Fundit