10.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ish-deputeti Kurteshi pranon se ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, ish-deputeti Shala mbrohet në heshje

Ish-deputeti Ismajl Kurteshi tha se ka përdorur gazin lotsjellës në Kuvend gjatë seancës më 2015, ndërsa ish-deputeti tjetër, Haxhi Shala e shfrytëzoi të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Kurteshi e ka dhënë gjatë mbrojtjes së tij në seancën e së premtes, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Menduhi Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Po, është përdorur gazi lotsjellës nga ana ime, po ky veprim është në përputhje të plotë me obligimet e mia si deputet në atë kohë dhe natyrisht që ky ka qene një veprim politik që ka pas për qëllim pengimin e aprovimit të një rezolute që ka cenuar tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

Tutje, i njëjti duke iu përgjigjur pyetjeve të mbrojtjes së tij avokatit, Abit Asllani, deklaroi se atë ditë sigurimi i Kuvendit i ka kontrolluar të gjithë deputetët duke e përfshirë edhe atë, ku nuk iu ishte gjetur asgjë e rrezikshme, përfshirë edhe armë.

Kurteshi tha se seanca kishte të bëjë me pikën e rendit të ditës lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, dhe se qëndrimi personal i tij ishte që nuk duhej të ratifikohej ky demarkacion.

“Unë kam konsideruar atëherë e njësoj mendoj edhe sot që ka qenë gabim i madh të falen 8 mijë e 200 hektarë tokë Malit të Zi”, ka deklaruar i akuzuari.

Ish-deputeti Kurteshi, ka thënë se ekzistojnë një mori faktesh shkencore se ata 8 mijë e 200 hektarë janë tokë e Republikës së Kosovës.

“Kam lexuar me mijëra faqe edhe nga dy delegacionet e Kosovës dhe Malit të Zi dhe bazuar në atë procesverbal, si dhe në të gjeturat e komisionit shtetëror për demarkacionin të formuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në krye me Shpejtim Bulliqin, që ka qenë kryesues i komisionit, është konstatuar se toka e kontestuar është historikisht tokë e Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

Sipas tij, kjo është vërejtur edhe në të gjitha hartat e ish-Jugosllavisë, pjesë e të cilës ka qenë edhe Kosova.

“Por, edhe fakti që ajo tokë është kërkuar në këmbim për liberalizimin e vizave flet se nga Kosova është kërkuar të japë diçka për të marrë vizat”, ka shtuar ai.

I akuzuari Kurteshi tha se duke bazuar në Kushtetutën e Kosovës, deputetët e njohin vetëm një autoritet brenda RKS-së e ata janë qytetarët e Kosovës, kjo vlen në kohën vetëm sa ata e kryejnë punën e deputetit.

Prandaj, sipas tij çdo ndërhyrje nga jashtë e sidomos përdorim i forcës është veprim anti-kushtetues, në sallë sigurimi mund të ftohet vetëm nga ana e kryetarit te Kuvendit në rast se dikujt i rrezikohet jeta.

Po ashtu, i akuzuari ka thënë se nuk e ka penguar askënd në Kuvendin dhe se është vetëm një supozim i Prokurorisë.

“S’e kam penguar dikë në Kuvendin e Republikës së Kosovës , ky është vetëm një supozim i prokurorisë, sepse askush nga Kuvendi i Kosovës s’ka deklaruar se është penguar nga unë. Nëse ekziston çfarëdo dokumentit apo deklarate që dëshmon që unë e kam penguar dikë në Kuvend, unë kërkoj që kjo të bëhet publike para kësaj gjykate”, ka thënë Kurteshi.

Ndërsa, kur është pyetur nga avokati i tij Asllani, se a ka përdorur armë vdekjeprurëse në ditën kritike, i akuzuari deklaroi se nuk kishte përdorur as atë ditë dhe as ndonjëherë tjetër në Kuvendin e Kosovës.

Tutje, i njëjti deklaroi se në ditën kritike në mënyrë të organizuar në sallë i ishte dhënë gazi.

“Ne mënyrë të organizuar në sallë mua më është dhënë një gaz lotsjellës”, ka deklaruar Kurteshi.

“A është detyrë e deputetit të Kuvendit që të shkojë në Kuvend me armë dhe të përdorë armë?”, ishte pyetja e prokurori Kastrati,  e cila edhe pse u kundërshtua nga avokati Asllani, u lejua nga gjykatësi Eroll Gashi.

“Unë i shpjegova për aq sa i di të drejtat dhe obligimet e deputetëve, gjithë atyre që iu interesojnë edhe të drejtat e detyrimet shtesë iu kisha sugjeruar të lexojnë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, u përgjigj Kurteshi.

Të akuzuarin Ismajl Kurteshi e ka marrë në pyetje edhe mbrojtja e të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Naser Sopjan.

Të njëjtit i është përgjigjur se kur grupet parlamentare e konsiderojnë të dobishme shtyrjen e një seance. përdorë forma të ndryshme dhe se nuk ka dëgjuar asnjëherë që për këtë është dërguar ndokush në gjykatë.

Ndërsa, i akuzuari Haxhi Shala e ka shfrytëzuar të drejtën e tij, që të mbrohet në heshtje.

Meqenëse ishte fundi i orarit të punës dhe pëlqimi i mbrojtësve, seanca e sotme është ndërprerë .

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 3 dhjetor 2021, ku palët në procedurë do ta japin fjalën përfundimtare.

Në këtë seancë kanë munguar edhe përfaqësuesit e autorizuar nga Polica e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Ndryshe, para fillimit të seancës, gjyqtari njoftoi opinionin publik se pasi që është konstatuar në procesverbalin e seancës së kaluar mosprezenca e të akuzuarit Kurteshi, si dhe se ndaj të njëjtit ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, në të njëjtën ditë pas mbajtjes së seancës gjykata ka pranuar parashtresën e dorëzuar nga avokatja Teuta Zhinipotoku.

Në këtë parashtresë, avokatja Zhinipotoku e ka njoftuar gjykatën se i akuzuari Kurteshi nuk ka mundur të paraqitet në seancë, për arsye shëndetësore, ku ka qenë e bashkëngjitur edhe udhëzimi për konsultimin të mjekut.

Andaj, gjykata nuk ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, me arsyetimin se administrata e kësaj gjykate nuk e ka dërguar shtresën apo parashtresën.

Ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vje. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Më Shumë

Guardiola me çdo kusht e dëshiron transferimin e Musialas

Pep Guardiola raportohet se ka vendosur për objektivin kryesor të afatit kalimtar veror për Manchester Cityn. “The Guardian” raporton se City pritet që të bëjnë...

Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Deputetët në Asamblenë Parlamentare kanë votuar në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Nga 171 deputetë që morën pjesë në votim, 131...

Lajmet e Fundit