9.5 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Ish-drejtori dhe dy zyrtarë të Komunës së Dragashit kërkojnë të hudhet poshtë aktakuza ndaj tyre

Ish-drejtori i Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtijari, si dhe dy zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për konflikt interesi, e kanë kundërshtuar aktakuzën ndaj tyre.

I akuzuari Avni Nebiu, në seancën e së enjtes tha se mbetet pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës të paraqitur me shkrim.

Ai ka thënë se aktakuza e prokurorisë nuk është e bazuar në prova, ku sipas tij, në dispozitivin e aktakuzës nuk ceket se cilin ligj, rregullore apo nen të kontratës e ka shkelur.

“Me aktakuzë nuk është përcaktuar se cili nen i kontratës apo ligjit nuk është zbatuar nga ana ime, unë nuk kam pasur aspak lidhje me kontratën, menaxhues i kontratës është vozitësi, ndërsa zyra e prokurimit është zbatues i kontratës, të gjitha pagesat kanë shkuar përmes zyrës së prokurimit”, tha Nebiu.

Kërkesë për hudhjen e aktakuzës kanë paraqitur edhe të akuzuarit, Ahmet Bahtjari dhe Selajdin Vehbi, të cilët deklaruan se qëndrojnë pranë kërkesave të parashtruara me shkrim dhe kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre të hudhet si e pabazuar.

I akuzuari Bahtjari ka deklaruar se aktakuza nuk është e bazuar në fakte dhe argumente, sepse sipas tij, i tërë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale ka shkuar në bazë të ligjit.

Ai ka shpjeguar procedurën e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim dhe se sipas tij, të gjitha procedurat janë zhvilluar sipas ligjit.

“Kryetari i komunës Salim Januzi, ka iniciuar në kuvend kërkesën për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim qytetarëve. Kjo kërkesë është shqyrtuar në Asamblenë Komunale dhe është aprovuar nga asamblistët. Po ashtu në këtë seancë është formuar edhe komisioni prej shtatë anëtarëve, ku tre kanë qenë nga ekzekutivi, tre nga asambleja komunale dhe një nga një OJQ”, tha Bahtjari.

Ai tha se pas formimit të komisionit, zyra e prokurimit kishte hapur ankandin publik, ku ishte përzgjedhur si fitues firma e djalit të tij, servisi “Menti”, ku sipas tij, nuk ka asnjë provë që vërteton se ai ka ndikuar në lidhjen e kësaj kontrate.

Ndërsa, sa i përket nënshkrimit të urdhërpagesave, Bahtjari tha se ka qenë i obliguar sipas ligjit dhe rregullores 01/2013 të Ministrisë së Financave që t’i nënshkruaj.

“Sa i përket nënshkrimit tim në urdhërpagesa si Drejtor i Financave nuk ka qenë në fushë veprimtarinë time, mirëpo ato i kam nënshkruar si zyrtar zotues, detyrë të cilën ma ka deleguar kryetari i Komunës”, tha i akuzuari Bahtjari.

Në seancën e së enjtes edhe i akuzuari Selajdin Vehbi ka kërkuar hudhjen e aktakuzës, pasi sipas tij, në periudhën për të cilën akuzohet, ai si zyrtar për të hyrat vetanake dhe si zyrtarë certifikues, nuk ka pasur asnjë vërejtje nga ana e auditorit të brendshëm apo të jashtëm.

Ai tha se ka bërë të gjitha pagesat kapitale dhe të tjera, duke përfshirë edhe pagesat për riparimin e automjeteve, mirëpo këtë e ka bërë pasi që është shqyrtuar kërkesa e vozitësve nga një numër i madh i zyrtarëve komunalë.

“Kërkesën për servisim e bëjnë vozitësit, pasqyra e prokurimit bën kompletimin e dosjes dhe dërgon tek zyrtari autorizues, pastaj dosja shkon tek zyrtari zotues ose drejtori i departamentit përkatës më pas dosja kalon tek zyrtari shpenzues dhe në fund vjen tek unë si zyrtarë certifikues, ku jam i detyruar ka kryej pagesën e në rast se un nuk e bëj pagesën atë e bënë zyra e thesarit pas kalimit të afatit 60 ditor”, tha i akuzuari Vehbi.

Ndërsa, në anën tjetër prokurori i rastit, Mejdi Sefaj, ka kundërshtuar kërkesat e të akuzuarve për hudhjen e aktakuzës, duke shtuar se aktakuza është e bazuar në prova, të cilat sipas tij, janë të pranueshme për gjykatën.

Ai tha se i akuzuari Ahmet Bahtjari ka nënshkruar urdhërpagesat për firmën e djalit të tij dhe kjo sipas opinionit të Agjencisë Antikorrupsion, konsiderohet konflikt interesi.

Po ashtu, sipas tij, për realizimin e këtyre pagesave kanë mundësuar dhe dy të akuzuarit tjerë, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi

Prokurori Sefaj gjatë seancës të së enjtes ka kërkuar që t’i jepet një afat shtesë për plotësimin e aktakuzës, sa i përket kërkesës së të akuzuarit Avni Nebiu, se në dispozitiv të aktakuzës nuk është cekur cili, ligj, rregullore apo kontratë është shkelur me veprimet e tij, apo kush është i dëmtuar në këtë rast.

Gjykatësja Raime Elezi, pasi që ka aprovuar kërkesën e prokurorit, seancën e shqyrtimit të dytë e ka shtyrë dhe seancën e ka caktuar me 7 tetor 2019, në ora 13:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Komuna e Malishevës me aktivitete të shumta shënon festat e Nëntorit

Komuna e Malishevës, nën përkujdesjen e kryetarit Ekrem Kastrati, me rastin e festave të nëntorit, ka zhvilluar disa aktivitete. Me këtë rast, sot është mbajtur...

LDK i vazhdon tubimet sot në Malishevë

Lidhja Demokratike e Kosovë, e cila po mban ‘’Turneun e Ndryshimit’’ nëpër qytetet e Kosovës, tash e një kohë, sot do të jetë në...

Lajmet e Fundit