13.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Iu dha lamtumira e fundit kolosit të muzikës së mirëfilltë shqipe, Ismet Peja

Ismet Peja nëpërmjet këngëve të tij që shprehin gëzim, dashuri e dhimbje, ka treguar se kush është populli shqiptar.

Kështu u tha në ceremoninë lamtumirës, për këngëtarin që u nda sot nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Ndonëse kohë pandemie, të afërmit, komuniteti i artistëve dhe përfaqësues të institucione, treguan respektin për artistin e madh i cili ka dhënë shumë për kultivimin e këngës së mirëfilltë popullore.

Fillimisht janë bërë homazhe në Prishtinë e Gjakovë.

Këngëtari Edi Furra duke shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe atyre që e kanë njohur, ka thënë se është e dhimbshme kur shuhet një yll siç është Ismet Peja.

“Ismet Peja një njeri që nuk do të vdes kur, një njeri me një karrierë 70 vjeçare, jo vjet. Një njeri që nga la thesar që ne të dimë t’i kultivojmë, t’i mbajmë dhe t’i pasojmë brezave të rinj. Sinqerisht është e dhimbshme, pavarësisht vjetëve kur shuhet një yll siç është Ismet Peja”, tha ai.

Këngëtari Zeq Kuçi tha se Ismet Peja ka lënë shumë amanete.

“Një prej amaneteve që të gjithë muzikantët të këndojnë këngë për rininë por të vjetrën kurrë mos ta harrojnë ta harrojnë. Ai ka lënë një thesar, gjithmonë mbetet i pavdekshëm”, tha ai.

Këngëtari Shkelzen Jetishi tha se baca Ismet ishte legjendë i muzikës shqipe, pasi kënga e tij i dha shpirt zemrave tona.

“Shumë gjatë do të dëgjohet zëri dhe kënga e tij e bukur që na ka lënë të mirëfilltë shqipe, e cila është udhërrëfyesi më i mirë se si duhet të ruhet muzika shqipe për gjithë brezat që vijnë.. në njërin nga duetet që e kam shumë për zemër dhe më bëri krenar baca Ismet që e këndoi bashkë me mua, në Gjakovë nisi hareja, gjithë dasmorët janë t’u prit po ku je o Ismet Peja me këngë tua jemi rrit”, tha ai.

Kurse, më pas në ceremoninë e varrimit, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi u ka shprehur ngushëllime familjes dhe gjithë komunitetit artistik.

“Baca Ismet faleminderit për këngën tënde që në çdo sofër, në çdo shtëpi na ke bërë të lumtur edhe në kohëra të trishta. Sot iu bashkove shokëve tu, të cilët ishin Qamili i vogël e shumë të tjerë, por kënga jote përjetësisht do të jetojë”, tha ajo, raporton kp.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se nëse ka rast kur më të vërtet mund të themi që na ka lënë vetëm fizikisht, atëherë me të vërtet është Ismet Peja.

“Ismet Peja ka vizatuar, e ka krijuar një tablo, një tablo të jashtëzakonshme të asaj se kush jemi ne. Përmes muzikës, muzikë që ka shpreh gëzim, dashuri, edhe dhimbje, e ka treguar mënyrën tonë të jetesës, një tablo që e ka përshkruar më së miri se kush jemi ne“, tha ai.

Ismet Peja ka lindur në prill të vitit 1937.

Më Shumë

Lajmet e Fundit