7.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Ja opsionet e LAN-it, për emërimin e kryeparlamentarit

Isa Mustafa-kryeparlamentarDren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Telegrafin ka analizuar versionet e mundshme të rrjedhës së seancës së 12 shtatorit të Kuvendit të Kosovës, dhe opsionet që i ka LAN-i për ta emëruar Isa Mustafën për kryeparlamentar.

Ai shpreson që të mos përsëritet skenari i mbledhjes se kaluar konstituive të Kuvendit të Kosovës.

“Besoj që LAN-i dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) duhet që t’i koordinojnë shumë më mirë veprimet e tyre. Duhet ta kenë parasysh që të mos ndërmarrin veprime të cilat mund të rezultojnë me shkelje kushtetuese dhe shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Andaj, besoj që është e pamundur për LAN-in që në seancën e parë të zgjedh në postin e kryeparlamentarit, të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafën, mu për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe një situate të re që vendimi i saj e ka prodhuar”, ka thënë ai për Telegrafin.

Doli ka theksuar se mundësitë për zgjedhjen e Mustafës si kryeparlamentar, nga ana e LAN-it dhe VV-së, duhet të eksplorohen pas zgjedhjes së kandidatit të PDK-së si kryeparlamentar.

“Zgjedhja e Mustafës si kryeparlamentar duhet të bëhet mbi baza të pikave tjera të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat udhëzojnë që grupet parlamentare themelohen pas seancës konstituive dhe pas përfundimit të formimit të Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ai.

Doli ka thënë se LAN-i duhet të reflektojë shumë që të mos involvohet në shkelje të njëpasnjëshme të cilat i tejzgjasin procedurat e formimit të institucioneve të Kosovës.

“Nëse LAN-i dhe VV-ja vendosin që të procedojnë në këtë formë zgjedhjen e Mustafës si kryeparlamentar, e që ata vazhdimisht po deklarojnë, çështja prapë do të përfundojë në një situatën në të cilën ishim që më parë. Nuk besoj që është e udhës që LAN-i me ngulm, në seancën e parë konstituive, të tentojë që kryetari i Kuvendit të jetë nga radhët e tyre. Atë zgjidhje mund ta gjejë ndoshta edhe përmes thirrjes së një seance tjetër të jashtëzakonshme, ditën e nesërme apo ditën e hënë të javës së ardhshme, në mënyrë që të gjedhin kryetarin sipas procedurave tanimë tjera të lejuara sipas rregullores së punës së Kuvendit e sipas aktgjykimit të Kushtetueses”, ka thënë ai për Telegrafin.

Doli ka theksuar se sipas rregullores së punës së Kuvendit, është e mundur që një numër i caktuar i deputetëve të thërrasin një seancë të jashtëzakonshëm dhe të kërkojnë që për pikë diskutimi të jetë zgjedhja ose shkarkimi i kryetarit te Kuvendit – i cili do të ishte zgjedhur nga radhët e PDK-së, qysh më herët.

Ai më tutje ka theksuar se beson që pikat e aktgjykimit, 126 edhe 127, në të cilat referohet LAN-i, mund të përdoren si mjet i interpretimit për ta kaluar sfidën.

“Në mënyrën se si e shoh unë aktgjykimin e Kushtetueses, është një pikë shumë e ngushtë dhe shumë e pafavorshme – si në kuptimin kushtetues ashtu edhe në kuptimin e interpretimit – që LAN-i ta marrë si bazë të mjaftueshme kushtetuese për të vënë në jetë qëllimin e tyre që në seancën e parë ta zgjedhin Mustafën në krye të Kuvendit”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, tri pikat e aktgjykimit të Kushtetuese, 117, 118 dhe 119, në bashkëveprim me 126 dhe 127, e përbëjnë bazën e fortë kushtetuese – madje sipas mendimit të Gjykatës Kushtetuese – që Kosova ta ketë një kryetar të ri të Kuvendit nga radhët e LAN-it.

“Kjo mund të ndodhë nëse, paraprakisht, kryeparlamentari zgjidhet nga radhët e PDK-së, e që pastaj shkarkimi i kryeparlamentarit nga radhët e PDK-së dhe zgjedhja e të parit të Kuvendit nga radhët e LAN-it të bëhet sipas udhëzimeve (hapësirës) që Kushtetuesja e ka dhënë në aktgjykimin e saj”, thotë Doli.

Më Shumë

Një muaj paraburgim për shoferen e cila dyshohet për vdekjen e dy personave në Shirokë të Suharekës

Gjykata Themelore në Prizren e ka aprovuar kërkesën për një muaj paraburgim ndaj shoferes e cila është e dyshuar për vdekjen e dy persona...

Lexojeni kodin 20 pikësh që indianët e Amerikës ia dhuruan njerëzimit

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet. 2. Ji tolerant me njerëzit që...

Lajmet e Fundit