-4.2 C
Prizren
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Ja pse shqiptarët nuk janë më pjesë e drejtimit të ‘Vera e Ohrit’

Vera e OhritMbrëmë u hap sipari i manifestimit më të madh kulturor në Maqedoni, “Vera e Ohrit”. Më i madhi edhe për nga vlerat kulturore dhe artistike që sjell, por edhe për nga mjetet që derdhen nga buxheti për organizimin e tij. Ai zgjat më shumë se një muaj (filloi mbrëmë më 12 korrik dhe do të ulë siparin më 20 gusht) dhe në skenat e tij parakalojnë artistët, ndër më në zë të artit skenik dhe muzikor të botës.

“Vera e Ohrit” është manifestimi i cili ka arritur të bëhet një promovues i denjë i vlerave kulturore të Ohrit dhe të qytetarëve të tij, po pse jo edhe të Maqedonisë në përgjithësi. Kjo është kështu edhe përkundër faktit që në këtë aktivitet vlerat e tyre kulturore i shpalosin edhe vendet e tjera të botës, nëpërmjet artistëve të tyre më në zë.

Ka disa vite që në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor, vlerat e tyre dhe të popullit që përfaqësojnë, me dinjitet, i shpalosin edhe artistët shqiptarë. Por, prezantimi i kulturës shqiptare po determinohet nga disa rrethana, të cilat jo gjithmonë janë kulturore.

Kështu, prania e kulturës shqiptare në “Vera e Ohrit”, varet nga ndikimi që mund të ketë ndonjë subjekt politik apo individ i veçantë nga radhët e shqiptarëve.

Pikërisht këto rrethana kanë ndikuar që para disa viteve në drejtimin e këtij aktiviteti në mënyrë simbolike të përfaqësohen shqiptarët. Kjo, sepse përfaqësues shqiptarë janë bërë pjesë e kreut të këtij aktiviteti, duke luajtur rolin e tyre modest, në kuadër të mundësisë që u është dhënë, për të ndikuar në prezantimin sasior dhe cilësor të kulturës shqiptare në këtë aktivitet.

Gjatë gjithë periudhës 53 vjeçare të këtij manifestimi, shqiptarët në drejtimin e tij, janë përfaqësuar vetëm me dy përfaqësues. Emërimi i tyre në drejtorinë e këtij manifestimi, ka ndikuar që kultura shqiptare të jetë më pranishme edhe në planin sasior edhe në atë cilësor.

Poeti, Vahit Nasufi është një nga kuadrot që për një kohë relativisht të shkurtër ishte pjesë e drejtorisë së këtij manifestimi. Para tij, pjesë e drejtorisë së “Vera e Ohrit ishte edhe aktori Hamdi Rashiti. Pas tyre më asnjë kuadër tjetër nga radhët e shqiptarëve, nuk u bë pjesë e kreut të këtij manifestimi.

Vahit Nasufi , i pyetur nga për Portalb për përvojën e tij si pjesë e këtij aktiviteti, thekson se prania e tij në drejtimin e “Vera e Ohrit” ishte simbolike.

“Mua më lihej që të përzgjedh pjesëmarrësit e këtij aktiviteti, nga e gjithë hapësira shqiptare. Por, përzgjedhja e pjesëmarrësve tjerë bëhej nga një komision i veçantë dhe i specializuar , i cili me sa di unë, përzgjidhej nga Ministria e Kulturës. Propozimet e mia për të ftuar artistë të njohur të skenës dhe muzikës shqiptare miratoheshin pa ndonjë debat, ndaj dhe prania e kulturës shqiptare, në këtë aktivitet, qoftë kur isha unë dhe qoftë kur ishte Rashiti, ishte më e madhe”, thotë Nasufi.

Nga ana tjetër, pas largimit të tyre, shqiptarët nuk janë të përfaqësuar më në drejtimin e “Vera e Ohrit”. Pse kjo ka ndodhur kështu, e ka edhe një shpjegim. Sipas asaj që marrim vesh nga një aktivist politik i një subjekti shqiptar në Ohër, del se prania ose mos prania e shqiptarëve në drejtimin e këtij aktiviteti lidhet edhe me angazhimin e subjektit shqiptar.

“Dy herë u kam sygjeruar drejtuesve të subjekteve tona, që kur të ndajnë kulaçin qeverisës, të kenë parasysh edhe këtë manifestim kulturor me renome në kulturën botërore. Por, sugjerimet nuk janë marrë parasysh. Në këto kushte shqiptarët nuk janë të përfaqësuar më në drejtimin këtij aktiviteti, edhe pse para disa viteve kanë qenë, gjë që i ka ndihmuar shumë shpalosjes së vlerave tona kulturore”, thekson për Portalb, aktivisti i njërit nga subjektet politike shqiptare në Ohër.

Më Shumë

Prizreni synon një tjetër triumf, sfidon Beharin në ‘Përparim Thaçi’

Kampioni aktual i Ligës së Dytë të Kosovës, FC Prizreni, është gati për një tjetër sfidë të rëndësishme teksa pret KF Beharin në stadiumin...

Pesëshja e javës në Superligën e Basketbollit të femrave

Basketbollistja më e mirë e kësaj xhiro ishte Amari Heard nga KBF Bashkimi, e cila arriti dyshifror të dyfishtë me 23 pikë, 10 kërcime...

Lajmet e Fundit