23.8 C
Prizren
E enjte, 20 Qershor, 2024

Kadare: Akuza e Bilal Xhaferrit e pabesë, të çonte në burg

IsmailKadare6-30“Një enigmë me disa të panjohura”, libri mbi diskutimin në 1968 Ç’ndodhi gjatë mbledhjes së Lidhjes së Shkrimtarëve, akuzat për dekadentizëm në romanin “Dasma” Sipas shkrimtarit, diskutimi i Xhaferrit, përpjekje për të rregulluar biografinë. “Përplasja me Arshi Pipën dhe pendesa për fjalët fyese”

Në vitin 1968 nuk ishte gjë e rrallë që të flitej për dekadentizëm në letërsi, për shkelje të normave të realizmit socialist. Kishte pasur jo pak shkrimtarë që kishin dalë në “fletërrufetë” e kolegëve të tyre të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por kur bëhej fjalë për Ismail Kadarenë, asnjë diskutim nuk mund të kalonte pa u vënë re e pa bërë bujë. I tillë ishte edhe diskutimi i Bilal Xhaferrit për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë. Se ç’ishte ky diskutim dhe arsyet që shtynë Xhaferrin drejt tij, gazetarja Aida Tuci na i shpjegon në librin “Një enigmë me disa të panjohura – Rreth dosjes së Bilal Xhaferrit”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”. Një libër, i cili pritet të dalë në qarkullim, me dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore, si edhe një bisedë me shkrimtarin Ismail Kadare, të cilat zbardhin këtë ngjarje, të ndodhur 46 vite të shkuara. Nga intervista e shkrimtarit, kemi përzgjedhur vetëm një pjesë të saj, ku ai risjell variantin e tij të ngjarjes dhe qëndrimin e tij ndaj saj dhe Bilal Xhaferrit gjithashtu. Ndër të tjera shkrimtari sqaron edhe incidentin me Arshi Pipën, që sipas tij as sot nuk arrin ta kuptojë se përse ndodhi.

Është një shkrimtar shqiptar, ndaj të cilit, sa herë që kthehet vëmendja, paralelizmi i kujtesës shkon te ju, zoti Kadare. E kam fjalën për Bilal Xhaferrin. Ka një kohë të gjatë që merrem me këtë çështje, le ta quajmë “Dosja Bilal Xhaferri”, dhe nuk arrij të kuptoj se si, pas botimit të kaq dokumenteve, çështja nuk po sqarohet. Sipas jush, a është vërtet kaq i vështirë sqarimi i saj, apo ka diçka tjetër që pengon?

S’ka asgjë të paqartë në këtë çështje, që ju e quajtët “Dosja Xhaferri”. Në qoftë se ka shumëçka të paqartë, madje të errët, atë duhet ta kërkoni në ndërgjegjen e njerëzve që janë marrë me të. Dihet se kur ndërgjegjet njerëzore janë të papastra, i tillë do të jetë edhe prodhimi që del prej tyre. Ju keni bërë një anketë të hollësishme për këtë histori dhe besoj se jeni bindur se në bazën e saj ka një gjë të keqe, një llum të pafund.

Ju vjen keq që emri juaj është përzier në këtë histori, ju ka shqetësuar, vazhdon t’ju shqetësojë ose t’ju nervozojë?

S’do të isha i sinqertë po të thosha që s’më vjen keq, por dua të theksoj se, më shumë se keqardhje, kam ndier neveri. Në fillim kam kujtuar se është fryt i një keqkuptimi, nga ato që koha i sqaron vetvetiu. Më pas, kur kam parë se jo vetëm s’ka sqarim, por e keqja sa vete merr krahë, keqardhja ime për keqkuptimin, për vetë personazhin që e shkaktoi, u zbeh, për t’ia lënë vendin një përçmimi të thellë.

Përpara shumë vitesh, pikërisht për këtë çështje, ju keni bërë një qartësim në shtypin shqiptar. Në intervistën tuaj, gjithë atë ngjarje ju e keni quajtur “Historia e një blofi “. Madje edhe intervista kështu është titulluar. I përmbaheni ende sot një mendimi të tillë?

I përmbahem plotësisht. Jo vetëm kaq, por sot që ne po bisedojmë, pra shumë vite më pas, kam bindjen se ajo që e kam quajtur “blof” ka qenë më e keqe se një blof, më e rëndë dhe, pa dyshim, më e pistë. Mund të thuhet se ajo është pjesë e një tabloje tepër të errët të Shqipërisë së sotme: ndotjes morale të saj. Shqipëria është sot vendi i vetëm në Europë që nuk pranon të shqyrtojë pjesën e errët të ndërgjegjes së vet. Pa këtë shqyrtim s’mund të ketë zbulim të së vërtetës për asgjë. Dhe të vërtetat e mbuluara, sa kohë që do të jenë të varrosura në qilarët e fshehtë, aq kohë do të helmojnë gjithçka. E di që pas këtyre fjalëve acarimi i njohur kundër meje do të përtërihet. Është e kuptueshme. Armata e spiunëve ka gjetur qetësi. Ata jo vetëm nuk kërkohen e nuk zbulohen më, por janë kthyer në një mall tepër të çmuar. Gjejnë punë të mira, fitojnë dekorata, tituj, dhe kryesorja, të strehuar shpesh në internet, me nofka, si dikur, kanë ndjesinë e kthimit të kohës së tyre. Ish-Sigurimi i Shtetit, monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar, i rrëzuar, siç është, ndien me siguri ngazëllim sa herë që njerëzit e tij ia dalin të ngjiten në sipërfaqe. Të vihen në qendër të vëmendjes, të bëhen të suksesshëm, të kafshojnë si dikur.

Bilal XhaferriNë sqarimin tuaj ju keni folur për thelbin e asaj që ndodhi në një mbledhje të shkrimtarëve në prill të vitit 1968. Sot, pas kaq kohësh, a do të shtonit ndonjë gjë? Diçka që do të hidhte dritë, për shembull, mbi ngjarjen. Që mund të shpjegonte sjelljen e njërit apo tjetrit.Thelbi mbetet ai që kam thënë atëherë. Në qoftë se pas anketës që ju keni bërë dhe diçka është sqaruar më fort, ky sqarim s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka rënduar edhe më tepër anën e shëmtuar të ngjarjes. Meqenëse jemi te thelbi, do të përpiqem ta jap sa më shkurt: Në vitin 1968, në Shqipërinë e egër komuniste, një shkrimtar me emrin B. Xhaferri kritikon një tjetër shkrimtar, I. K. Janë pothuajse moshatarë, rreth 30 vjeç, me ndryshimin se I. K. është tepër i njohur, kurse B. Xhaferri pak, për shkak të botimeve më të pakta, e sidomos të biografi së tij. Salla e Klubit të Shkrimtarëve, ku bëhet mbledhja, dëgjon e heshtur kritikën e Xhaferrit kundër I.K. Një shef i lartë komunist, që ndodhet në sallë, ia pret fjalën, për t’i kujtuar se ai është bir i një armiku të rendit. Pas kësaj, Xhaferri kalon ditë të vështira, gjersa një ditë ia del të arratiset dhe përfundon në SHBA, ku jeton 18 vjet. Menjëherë pas rënies së komunizmit, befas, fillon legjenda e tij. E gjitha ngrihet mbi ngjarjen në Klubin e Shkrimtarëve më 1968, më saktë, mbi kritikën kundër I. K. Ajo kritikë lavdërohet, glorifikohet, siç e thoni ju në anketën tuaj, sikur të kishte qenë një çudi, një shpallje heroike për lirinë e të shkruarit etj. Në të vërtetë, siç e mbajnë mend pjesëmarrësit në sallë, dhe siç sqarohet dalëngadalë ajo kritikë, jo vetëm s’ka pasur asgjë për t’u çmuar, por, nga çdo anë që të merrej, ishte e pabesë dhe e shëmtuar moralisht. Ishte thjesht një akuzë kundër I.K.; nga ato që e çonin tjetrin në fatkeqësi, e ndoshta në burg. Për t’i rënë shkurt, shkrimtari I. K. akuzohej prej Xhaferrit se po sillte frymën e dekadentizmit në letërsinë e pastër shqipe!

Arshi Pipa
Mendoj se lexuesit do të ishin tepër të interesuar të dinin diçka më shumë për mosmarrëveshjet tuaja me Arshi Pipën. Me sa di unë, ato e kanë pasur origjinën e tyre te një parathënie e tij për ju…

Është e saktë. Bëhet fjalë për botimin e romanit tim “Kronikë në gur” në Londër, në kohën e komunizmit. Arshi Pipa jo vetëm e përktheu romanin, por shkroi një parathënie tepër tronditëse për lexuesin anglez. Së pari dua të them se ndërlikimi midis meje dhe Arshi Pipës, pavarësisht surprizave jo të këndshme, është një ngjarje e nivelit të lartë, që gjithashtu s’ka asgjë të përbashkët me ngatërresën e pistë, do të thosha, gjysmëqesharake me Xhaferrin. Kjo e fundit, jo vetëm për nivelin e ulët dhe për kotninë e saj, por për shkak të gjithë atyre që janë marrë e vazhdojnë të merren me të, mund të quhet një “histori çapaçulësh”. Tjetër rang ka keqkuptimi me Arshi Pipën. Ai është vërtet i hidhur, por kjo s’e pengon të jetë dramatik, në kuptimin e plotë të fjalës, me domethënie të gjerë dhe, pse jo, me një epilog të bukur, siç do ta shpjegoj. Gjatë shumë viteve, Arshi Pipa, në shkrimet e tij, ka bërë vlerësimet më të larta për shkrimtarin shqiptar, bashkëkombës të vet. Kemi pasur fate të ndryshme në jetë dhe në letërsi, por kjo nuk ka penguar që të krijohej, siç krijohet në raste të tilla, një fije lidhëse midis fateve që ngjajnë të kundërt. Ndaj tij do të përsëritja edhe një herë atë që kam shkruar për Martin Camajn: “Ai kishte lirinë, por s’kishte atdhe. Unë kisha atdhe, por s’kisha liri”. Arshi Pipën jo vetëm s’e ka bezdisur kurrë njohja e kolegut I. K. nëpër botë, por ka bërë çmos që ai të kuptohet, të çmohet e të shpërndahet sa më shumë kudo. Për këtë, ai shkroi vlerësimet më të mëdha në shtypin botëror, sidomos atë anglo-sakson. E cilësoi kolegun e vet shqiptar “shkrimtar heretik”, që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e vlerësimit, madje më e lartë se ajo e shkrimtarit “disident”, ngaqë, gjithmonë sipas tij, ndërsa disidenti e lufton me ndërgjegje totalitarizmin, heretiku e lufton atë në mënyrë gati gjenetike, pra edhe atëherë kur kujton se nuk po ndeshet me të. Që kolegu i vet të kishte sa më shumë sukses në botën e lirë perëndimore, Arshi Pipa shpesh e ka zmadhuar guximin letrar të I. K. Kjo ka ndodhur me parathënien e romanit “Kronikë në gur” në anglisht, parathënie që duket sikur ishte në zanafillë të incidentit fatkeq. Atje, autori i “Kronikës” del një denoncues i pamëshirshëm i terrorit komunist dhe sidomos i shefi të komunistëve shqiptarë, E. Hoxhës, gjë që nuk i përgjigjej së vërtetës. (Tani do të më pëlqente të ishte ashtu, por dihej se, edhe po të doja, kjo ishte e pamundur.) Botuesi anglez e refuzoi parathënien, për të mos e rrezikuar autorin që jetonte ende nën diktaturë. Kontrata u prish. “Kronikë në gur” u botua pa emrin e përkthyesit. Një pjesë nga këto i dija. Një pjesë e merrja vesh nga botuesi im francez, i cili, merrej me mend, kishte lidhje me anglezin. Ishin lajme të këndshme dhe po aq të rrezikshme, por unë vetë s’mund të bëja asgjë, veç t’i lutesha fatit që të mos shkonin në vesh të diktatorit.

Si mund të shpresohej një gjë e tillë? Keni thënë vetë se ai merrte vesh çdo gjë, sidomos për ju…

Sado paradoksale që mund të duket, kishte gjëra që ai s’i merrte dot vesh, pikërisht ngaqë ishin tepër delikate dhe që lidheshin me të. Për shembull, pëshpërima për prirjet e tij seksuale. Dënoheshin me vdekje ata që e përhapnin, por filluan të zhduken edhe ata që e dëgjonin, duke përfshirë edhe vetë hetuesit, madje dhe shefat e tyre. Ishte një pëshpërimë që vriste në të dy krahët, në mënyrë të verbër. Për këtë shkak shmangej nga të gjithë. Ishte krijuar kështu një mekanizëm mbrojtës i papritur. Për fatin tim të keq, pëshpërima fatale ishte lidhur rastësisht me romanin tim “Kronikë në gur”. Në të vërtetë nuk kishte asgjë të tillë në këtë roman, dhe unë vetë s’jam marrë kurrë me të. Mirëpo, për shkaqe që ende s’i di, për të më bërë ndoshta më tërheqës në sytë e lexuesit perëndimor, pandehma kishte filtruar aty-këtu. Gjatë udhëtimeve në Perëndim, ishte ajo që më së shumti i druhesha. Më duhet të them se gazetarët perëndimorë më kanë respektuar gjithmonë. Nuk mbaj mend asnjëherë provokime të tipit të ulët, nga ato që quhen “goditje nën brez”. Megjithatë duhet kuptuar se, sipas standardeve tona lindore, nuk mund të kishte gazetar perëndimor “të parrezikshëm”. Ishte vetë stili i tyre i tillë, kanonet e tyre.

Për t’u kthyer te konflikti me Arshi Pipën. Siç e kuptova unë, gjer në vitin 1990, kur komunizmi po lëkundej në Shqipëri, ju s’kishit asnjë problem me të…

Është krejt e vërtetë. Jo vetëm nuk kisha asnjë problem me të, por në kohën kur lindën shpresat për t’u takuar me shkrimtarët e shquar shqiptarë të diasporës, njeriu i parë që ëndërroja të takoja ishte pikërisht Arshi Pipa. Aq më tepër që ishin miq me Martin Camajn, të cilin e kisha takuar në Frankfurt më 1981. Pavarësisht nga mosmarrëveshja e Arshi Pipës me botuesin anglez, përkthimi anglisht i “Kronikës” ishte i tij, dhe parathënia dhe shkrimet e tjera të tij mbeteshin si një akt nderimi e dashurie për kolegun e vet brenda Shqipërisë. Pikërisht në këtë kohë, fillim i viteve ’90, ndodhi një nga befasimet më të mëdha të jetës sime. Në dy-tri emisione të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, Arshi Pipa foli ndër të tjera edhe për shkrimtarin I. K., duke theksuar se ai s’ka asnjë të drejtë morale të flasë për demokratizimin e vendit, përderisa ka qenë një nga mbështetësit e diktaturës. Shprehja “nuk u besoja veshëve” s’besoj se kishte qenë ndonjëherë më e përshtatshme për të dhënë gjendjen time. Unë të mos kisha të drejtë të flisja për demokracinë?! Unë që njëzet vite më parë, sipas tij, s’kisha lënë gjë pa thënë kundër terrorit komunist, që, prapë sipas tij, paskësha bërë aludime për shefin e Shqipërisë, si vrasës e homoseksual?! Që vetë botuesit anglez në Londër i qenë dukur akuza të tepruara, që vetë botuesi francez në Paris kishte vënë duart në kokë, duke më pyetur se si qe e mundur që këto hatara të qenë shkruar në shqip, se në frëngjisht ai s’i kishte parë, dhe që unë i kisha thënë se s’kishin qenë kurrë as në shqip, as në frëngjisht dhe në asnjë gjuhë tjetër. Pas shfryrjeve të para kundër Pipës, zemërimi sa vinte më rritej dhe, bashkë me të, një mendim i mbrapshtë, dyshues po më ngulitej në kokë: E gjitha kjo ishte bërë me qëllim! Ndryshe s’ka si të shpjegohej. Me qëllim ishte shkruar parathënia anglisht, për të më dëmtuar, për të shkaktuar dënimin tim. E shava veten, e quajta naiv, budalla, që s’e kisha kuptuar qysh në fillim. Dëshira për t’iu përgjigjur s’më ndahej. Në duar kisha bocat (fletë-korrigjimet) e “Ftesë në studio” dhe gjeta një vend në tekst, ku mund t’i thyeja hundët, siç thuhej. Mirëpo kjo ishte një fjalë goje! Ishte ende regjimi komunist. Kurrsesi s’mund të shkruaje se X.Y. më denoncoi te regjimi, që ky të më dënonte. Në vend të kësaj, shkrova ca të shara, shumica të padenja për tekstet letrare, për të mos thënë, të çmendura. Midis tyre, fraza e vetme me njëfarë logjike ishte ajo ku thuhej se parathënia e A.P. kundër meje “ishte një kallëzim në polici”.

A jeni penduar për këtë tekst? Nga fjalët tuaja kështu nënkuptohet…

Sigurisht që jam penduar. Kisha të drejtë të zemërohesha, madje ende sot mendoj se kisha të drejtë plotësisht, por kurrsesi nuk duhej ta teproja. Sidomos nuk duhej të bija te dyshimi i mbrapshtë se gjithçka ishte bërë me qëllim. Por kjo duhet kuptuar: në atë kohë ishte shumë e lehtë të të kapte dyshimi, madje vetë marrëzia. Shenjën e parë të pendimit e kuptova kur po kaloja në duar përkthimin frëngjisht të “Ftesë në studio”. Te paragrafi i A. Pipës më mbetën sytë një copë herë. Unë i paskësha shkruar këta rreshta? I fshiva gjysmat e tyre pa më të voglën mëdyshje, megjithatë edhe gjysma e mbetur do të mjaftonte t’ia prishte gjakun personazhit. Ju disa herë keni dhënë të kuptohet se s’keni dashur të flisni për incidentin e dikurshëm, ngaqë iu duket në një “nivel të mjerueshëm”. Është fjala për të sqaruar një problem parimor, që ka lidhje me letërsinë shqipe prandaj do t’ju lutesha për disa sqarime. Kam takuar shumicën e dëshmitarëve të ngjarjes, një pjesë miq të B. Xhaferrit, madje farefisni të tij. Të tjerë që kanë folur me të përpara mbledhjes, por sidomos pas saj. Pothuajse asnjeri nuk ju bën ju fajtor për asgjë. Madje, shumica theksojnë që ju ishit një prej atyre që e keni ndihmuar. Madje edhe në mbledhje nuk thatë asnjë fjalë kundër tij, përkundrazi. Ju kujtoni se unë ndiej ndonjë kënaqësi të dëgjoj pohime të tilla? Po jua them prerazi: më interesojnë fare pak. E para se s’kam nevojë për këtë lloj zemërgjerësie. E dyta se s’kam ndonjë dëshirë të dukem aq i virtytshëm si në telenovelat braziliane, e as sentimental si në kafenetë e Tiranës, ku gjysmë-pijanecët, pasi janë grindur me njëri-tjetrin, përfundojnë gjysmë të përqafuar. Në atë sallë ka ndodhur diçka shumë më e rëndë nga ajo që është dukur ose është rrëfyer. Në qoftë se zonjat dhe zotërinjtë dëshmues ju kanë thënë ose kujtojnë se ju kanë thënë të vërtetën, atë e kanë bërë në radhë të parë për ndërgjegjen e tyre. Megjithatë unë mendoj se e vërteta që ata kanë treguar nuk është e plotë. Më mirë se unë këtë mund ta dini ju. Më keni bërë kaq shumë pyetje, më lejoni dhe mua t’ju bëj një pyetje të vetme: pasi u kanë pohuar indulgjencën ndaj meje, cili ka qenë përfundimi i bisedës së këtyre dëshmuesve? Është shumë e rëndësishme një gjë e tillë, ndaj, ju lutem, mundohuni të ma thoni sa më saktë.

Do t’jua them fare saktë. Pavarësisht nga ato që kishin ndodhur, admirimi i tyre për B. Xhaferrin mbetej i paprekur. Për mendimin e tyre, ai ishte një talent i madh, i jashtëzakonshëm etj., por që iu pre rruga e u dënua ngaqë guxoi të kritikonte I. Kadarenë.

Ju falemnderit. Siç mund ta shihni, ata nuk kanë kapur dot as pamjen e plotë e as thelbin e asaj që ka ndodhur. Nuk është fjala aspak tek admirimi që ata ruajnë për shkrimtarin. Kjo është e njohur dhe kjo është e drejta e tyre. Është fjala për tjetër gjë. Në sallën e Klubit të Shkrimtarëve në prill të vitit 1968 ka ndodhur një akt i rëndë, nga ata që kërkojnë gjykim të saktë. Është lehtë të thuash: u përleshën dy kolosë (reminishenca e dy luanëve, apo dy fustaneve etj.) e të vazhdosh se asnjëri s’e mposhti dot tjetrin, e të ngazëllehesh nga kjo, e fill pas saj t’i bësh lavde harmonisë që duhet të mbretërojë midis gjenive, për të mirën e kombit autokton etj., etj. Në atë sallë nuk ndodhi asgjë e tillë. As përplasje idesh, e aq më pak kolosësh. E vërteta ka qenë fare ndryshe dhe e vërteta në kësi rastesh nuk duron dot as më të voglin cen. E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet, Xhaferri ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA, ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar. Nuk dua të merrem me to, aq më pak me pikëpyetjet që shtrohen aty-këtu në anketën tuaj, si e ndiqte, për shembull, Sigurimi, mu në mes të SHBA-së etj., etj., ngaqë të tilla, ashtu si gjithë kjo histori, më ngjan, siç e thashë, krejtësisht e padenjë për kalendarin letrar.

Ju vetë keni folur shpesh për absurditetet dhe marrëzitë e kohës, prandaj do t’ju lutesha, në këtë rast, që, për ndriçimin e disa pikave të kësaj ankete, të jepni dëshminë tuaj. Do të shtoja në emër të lexuesit të brezit tim, që është njohur me këtë histori, por në mënyrë të pasaktë. Ju keni qenë në “atë sallë”, siç e quajtët, ku nisi gjithçka…

Është e vërtetë. Kam parë gjithçka dhe kam dëgjuar gjithçka. E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së keqes së një tiranie. Siç e thashë më lart, ju patët kujdesin që disa herë të theksoni “dashamirësinë” e dëshmuesve ndaj meje. Madje ndonjë prej tyre, duke dashur të më bëjë akoma më të mirë, shtoi se unë gati-gati kam qenë mirëkuptues ndaj tij etj. Për t’ju çliruar të gjithëve nga ky kujdes, po ju them se kjo s’ishte fare e vërtetë. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete ç’mosmirënjohtës! Mund të gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografinë etj. Pastaj s’kam folur asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Me kalimin e viteve, kjo histori u harrua. Në rrethe fare të ngushta mbahej mend ky shkrimtar, dikur i talentuar, por që s’i eci në asgjë. Shfaqej aty-këtu habia se, duke ikur nga robëria më e thellë në më të lirin vend të botës, nuk u ndie e nuk u botua asgjë e tij askund. Perëndimi e sidomos SHBA, që ishin tepër të ndjeshëm për shkrimtarët e arratisur, në këtë rast u treguan krejtësisht të shurdhër. Diaspora shqiptare gjithashtu, sidomos pas një paralajmërimi të keq kundër tij nga kryetari i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Një interes për të nisi të ringjallet pas vdekjes së tij të vetmuar. Kishte rënë komunizmi dhe kureshtja ishte në krye në trajtë keqardhjeje, forma më e shpeshtë te shqiptarët që kujtohen për tjetrin kur e shohin në fatkeqësi. Interesi përkoi me fillimin e fushatës kundër intelektualëve më 1990. Qarkullonin disa shkrime të tij për Çamërinë, por sidomos një vjershë kundër shkrimtarit I. Kadare dhe një shënim i tij për incidentin e harruar tashmë te Klubi i Shkrimtarëve.

Sipas jush, a ishin këto zbulime që luajtën rol për ta ngritur atë në statusin e një disidenti? Juve vetë, çfarë përshtypjeje ju bënë ato?

Ndonëse një gjë e tillë nuk thuhet, mendoj se “zbulimet”, në radhë të parë vjersha dhe shënimi nën të, kinse të shkruara natën “pas përplasjes”, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e përrallës me kolosë. Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K. ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Besoj se e kuptoni që pas kësaj, përçmimi im për të do të ishte shumë më i madh. Por që të jem i sinqertë, nuk e kam besuar dhe ende dua të mos e besoj se ka shkuar aq larg. Një bindje e brendshme më thoshte se vjershën bashkë me shënimin i ka shkruar një tjetër dorë. Kjo është e vërtetueshme, besoj, dhe po të vërtetohet do të tregojë shumë gjëra. Ajo lidhet me thelbin e problemit: rigjallërimi i çështjes Xhaferri, shkaqet e vërteta, kush qëndron pas saj, kush ka qenë në zanafillë dhe kush e ka trashëguar atë. Dosja “Xhaferri” ka qenë pjesë e puzzle-s, asaj që dëshmon vazhdimin e frymës staliniste në Shqipëri. Në qoftë se ju do ta çoni deri në fund anketën tuaj, jam i sigurt se do të ndesheni me befasime të tjera.

Më Shumë

U vranë në ditën e parë të paqes në Kosovë, Rohde kujton dy gazetarët gjermanë

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka kujtuar 25-vjetorin e vrasjes së dy gazetarëve gjermanë Gabriel Gruner, Volker Kramer dhe përkthyesit të tyre, Senol...

Ballkani përballet me Santa Colomën në rrugën për Champions

Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, do të përballet me Santa Colomën nga Andorra në raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve. Sivjet Liga...

Lajmet e Fundit