Më në fund edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u detyrua ta pranojë publikisht faktin se për një kohë të gjatë Kosova po kritikohet për politizimin e institucioneve të pavarura, për nepotizmin dhe klientelizmin e madh të instaluar nga politika, të shfaqura në nivele të ndryshme, e që kanë dëmtuar reputacionin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Ai është detyruar të pranojë faktin se korrupsioni është ngushtësisht i lidhur me këto fenomene që janë edhe pengesa shumë serioze në konsolidimin e sistemit demokratik dhe ecjen përpara të vendit tonë në rrugën e integrimeve dhe është zotuar e “betuar” për luftimin e tyre në të ardhmen e afërt, me qëllim të përshpejtimit të proceseve integrues e të Kosovës në BE. Sidoqoftë, analistët politikë theksojnë se ky zotimi i shefit të tanishëm të PDK-së dhe kryetar i Kuvendit është një hipokrizi e madhe për opinionin, se zotimet e Veselit për luftimin e këtyre fenomeneve nuk mund të jenë më shumë se deklarim fals e mashtrues për qytetarët, ngase pikërisht gjatë dy mandateve të qeverisjes nga ky subjekt politik me vendin dhe institucionet e tij, ka ndodhur kapja “historike” e të gjitha institucioneve të shtetit nga parapolitika mafio-oligarkike dhe nga korrupsioni e krimi i organizuar. Analisti politik, Islam Krasniqi thotë se kryeparlamentari e ka thënë një të vërtetë të madhe, sepse gjithç- ka hapur po bëhet me letra, dhe tani Veseli nuk mund t’i qetë popullit gjithmonë pluhur syve, shkruan gazeta Kosova Sot.
Askush nuk i beson kryeparlamentarit
Krasniqi nuk beson në zotimin e kryeparlamentarit që këto fenomene të eliminohen, derisa ai edhe vetë është pjesë e atyre të bëmave, kapjes së shtetit që ka ndodhur deri më tash. “Si mund të ngrihet apo të ndërtohet reputacioni i institucioneve dhe besimi i qytetarëve kur korrupsioni dhe krimi i organizuar është prezent në to, kur këto dukuri negative janë pengesa shumë serioze në konsolidimin e sistemit demokratik dhe rrugëtimin tonë në rrugën e integrimeve. Po edhe sikur të ishte e vërtetë deklarata e kryetarit të PDK-së, njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të jetë shumë problem të luftohen këto dukuri, sepse edhe fëmijët në çerdhe tani po politizohen, dhe Veseli nuk mundet të luftojë kundër vetes, kur nga partia e tij ngrihet, drejtohet gishti më së shumti. Sidoqoftë, tash veç ka filluar një fushat parazgjedhore akoma jo zyrtare, sepse ka filluar të flitet për zgjedhje edhe brenda koalicionit, i cili është koalicion i dhunshëm, i cili kur zotohet se punon për mirëqenien e qytetarëve, është vetëm sikur të nisesh e të prashitësh në ujë”, tha Islam Krasniqi. Po aq mashtrues e sheh këtë zotim të Veselit edhe analisti Arsim Haziri.
“Kur potencohet fakti se Kosova është rast”sui generis”,ndoshta me vështirësi pranohet. Kadri Veseli qysh prej kur është instaluar në institucionin më të lartë vazhdimisht është shfaqur me një personalitet më të butë dhe liberal, kinse për një përafrim institucional me qytetarët dhe hallet e tyre, gjë që rrallë ka ndodhur. Kjo mendësi praktike është mendësi e një sofisti, mendësi mashtruese dhe për më keq mendësi që për bazë ka manipulimin e sërishëm të qytetarëve, siç edhe e kanë synim politik. Kryekuvendari, përmes pranimit të fenomeneve negative që janë në masë enorme, s’mund të diferencohet prej atyre që kanë shkaktuar këtë mjerim”, theksoi ai/kOSOVA sOT/