13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Kastrati: Jemi të gatshëm të bëhemi ushtri e kosovës

KadriKastrati-fskFSK për gjashtë vjet që nga themelimi i saj, dhe shtatë vjet të pavarësisë së Kosovës, ka arritur zhvillime të mëdha, ka thënë në një intervistë për Radio Kosovën, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Sipas tj, FSK-ja me kohë rekorde ka përmbushur kërkesat dhe standardet e kërkuara nga NATO-ja, ndërkaq ngritja profesionale e saj cilësohet si arritje tjetër e veçantë.

Gjenerallejtënant Kastrati tha se FSK-ja është e gatshme të bëhet ushtri e Kosovës.

RADIO KOSOVA: FSK-ja ka shënuar shumë suksese në fushën e trajnimeve, por ajo vazhdon të merr pjesë edhe në operacione të ndryshme me karakter humanitar jashtë Republikës së Kosovës – a është FSK-ja e gatshme të merr pjesë edhe në operacione paqeruajtëse?

KADRI KASTRATI: Sukses të radhës së FSK-së do ta veçoja pjesëmarrjen tonë në operacionet humanitare jashtë Republikës së Kosovës. Këtë vit, për herë të parë, kemi marrë pjesë – me procedurat e njëjta të cilat ne do t’i merrnim dhe implementonim nëse do të zbarkonim edhe në operacione paqeruajtëse. Ligji vitin e kaluar ka kaluar në Parlament, rregullorja gjithashtu është miratuar, dhe këtë vit ne kemi zbarkuar në Republikën e Shqipërisë me kërkesë të autoriteteve shqiptare në përputhshmëri me ligjin dhe procedurat që ne duhet t’i ndjekim. Ka qenë përgjigja jonë rekorde që për një kohë shumë të shkurtër kemi reaguar. Për më pak se 24 orë forcat tona kanë zbarkuar në Republikën e Shqipërisë dhe kemi marrë mirënjohje nga autoritetet atje.

RADIO KOSOVA: Komandant, çfarë mund të na thuash për modernizimin e FSK-së ,infrastrukturën dhe pajisjet me armatim?

KADRI KASTRATI: Ne kemi bërë një infrastrukturë moderne, kemi pajisje dhe armatim të standardizuar me standardet e NATO-s. I kemi dy tipa të armatimit të lehtë, pastaj po punojmë në ngritjen kapaciteteve të komunikimit dhe jemi duke u përafruar standardeve të NATO-s, si dhe nevojave që ne do t’i kemi në të ardhmen.

RADIO KOSOVA: Po kapaciteti i kërkim – shpëtimit rajonal?

KADRI KASTRATI: Janë kapacitete që ne ia kemi ofruar edhe vendeve të rajonit. FSK-ja është e aftë, e gatshme dhe e pajisur mirë, që të ndihmojë, çdo kund në rajon, me një kompani që ka 127 veta. Jemi të zbarkueshëm çdo moment, për t’u dalë në ndihmë kujtdo nëse kërkohet. Kjo njësi, jo më larg se në vitin 2016, do të jetë e certifikuar më certifikatë të Kombeve të Bashkuara. Ashtu e kemi planprogramin, jo dëshirë e jona por planprogram i miratuar edhe nga partnerët tanë që janë duke na përkrahur në këtë drejtim.

RADIO KOSOVA: Po për dominimin, çfarë mund të na thuash?

KADRI KASTRATI: Një detyrë shumë fisnike, shumë patriote, shumë humane… që me vite jemi duke e kryer. Ne e kemi larguar dhe vazhdojmë ta largojmë çdo ditë rrezikun për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi gjetur me mijëra mjete të pashpërthyera, të cilat pjesëtarët tanë i kanë larguar, dhe asnjë rast nuk e kemi që të jenë lënduar pjesëtarët tanë, që do të thotë se ata janë shumë profesionalë.

RADIO KOSOVA: Komandant, si po shkon procesi i rekrutimit të ushtarëve të rinj?

KADRI KASTRATI: Rekrutimi nga shoqëria civile dhe trajnimi i ushtarëve të rinj, është një detyrë e jona … që FSK-ja të thithë nga shoqëria djem dhe vajza, që t’i përmbushin misionet. Gjatë këtij procesi ne kemi ngritur nivelit apo përqindjen e femrës në FSK, ngritja e komunitetit serb me mbi 9 për qind etj.

RADIO KOSOVA: FSK-ja ka qenë bartëse e procesit të rishikimit të Sektorit Strategjik të Sigurisë, cilat janë rekomandimet që kanë dal nga ky proces?

KADRI KASTRATI: Rekomandimet nga ky studim i kemi dërguar në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Këtu del që FSK-ja duhet të transformohet në Forcë të Armatosur të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës në strukturën e vet do t’i kenë katër komanda: Komanda Tokësore, Komanda e Gardës Nacionale, Komanda e Logjistikës dhe Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Po ashtu, do t’i ketë edhe njësitet tjera vartëse. Propozimi ka dalë që kjo forcë duhet t’i ketë 5 mijë trupa aktivë dhe 3 mijë rezervë. Është bërë plani 10-vjeçar zhvillimor për këtë forcë. Ne synojmë edhe shpresojmë që viti 2016 do të jetë vit i fillimi të implementimit të këtyre rekomandimeve.

RADIO KOSOVA: Komuniteti serb dhe pjesëtarët e FSK-së nga ky komunitet, si po i shohin këto ndryshime?

KADRI KASTRATI: Duke u bazuar në të gjitha këto ndryshime që veç janë publike, 62 aplikacione nga komuniteti serb i kemi pasur vetëm gjatë fazës së rekrutimit. Shtatë prej tyre kanë kaluar testet. Nuk kemi pasur asnjë vërejtje apo pakënaqësi prej tyre. FSK-në ata e shohin si ushtri të tyre, ushtri të të gjitha komuniteteve. FSK-ja është forcë multietnike me plotë kuptimin e fjalës.

RADIO KOSOVA: Çka mbetet sfidë për FSK-në?

KADRI KASTRATI: Për neve nuk ka detyra që nuk arrihen. Për ne – sot si FSK dhe nesër si Forca të Armatosura të Kosovës – nuk ka detyrë që nuk mund të kryhet. Sfida ka, por sfidat janë të kalueshme. Sfidë kryesore do të jetë ngritja e profesionalizimit të pjesëtarëve. Formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës kërkon edhe trajnime të reja bazuar në misionin e ri. Synim yni është që të marrim pjesë në misione paqeruajtëse nën ombrellën e NATO-s. Ne kemi plan të qartë dhe ide të qarta se si do t’i tejkalojmë këto sfida.

Më Shumë

Protestuesit kërkuan dialog dhe rritje të pagave për së paku 30 për qind

Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin...

Futbollisti i Malishevës dënohet me tri ndeshje

Futbollisti i Malishevës, Rilind Haziraj, nuk do të mund të paraqitet për skuadrën për tri ndeshje.  Kjo pasi ai është dënuar nga Komisioni Disiplinor dhe...

Lajmet e Fundit