14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Këtë javë pritet të ndërmerren hapat drejt formimit të Qeverisë së re, VV thotë se Plani i Thaçit shkel Kushtetutën

President i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se këtë javë do të ndërmerr hapat për formimin e Qeverisë së re, ndërsa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje theksojnë se Plani i Thaçit shkel Kushtetutën dhe se nuk do të ketë qeveri të re.

Thaçi një ditë më parë përmes Twitter-it, ka theksuar se tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së për Kosovën.

Më tej u shpreh se qeveria e ardhshme duhet të jetë e aftë për të luftuar Covid-19 dhe për ti shërbyer popullit.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Hashim Thaçi

Ndërkaq, të premten Thaçi, për herë të katërt me radhë ia ka kërkuar Kurtit emrin e mandatarit për kryeministër.

Në përputhje me nenin 95 të Kushtetutës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, presidenti Thaçi edhe një herë i ka kërkuar Kurtit që ta dërgojnë emrin e kandidatit/es për Kryeministër pa humbur kohë.

“Përkundër kërkesave të dërguara më 2 prill 2020 (Ref. 354), më 10 prill 2020 (Ref. 354/1) dhe më 15 prill 2020 (Ref. 370/1), edhe në shkresën tuaj të dërguar më 17 prill 2020 (Ref. 122/2020), ju nuk keni propozuar kandidatin/en për Kryeministër, por keni theksuar se nuk jeni duke refuzuar për të propozuar kandidatin për kryeministër.

Më lejoni t’ua theksoj se mosrefuzimi nga ana juaj nënkupton që ta dërgoni emrin e kandidatit/es për Kryeministër. Por, ju nuk e keni bërë ende këtë, përkundër faktit që ua kam dërguar tri kërkesa për këtë qëllim”, ka shkruar në letrën e tij presidenti Thaçi.

Ndaj kësaj në DebatPlus, Kurti ka thënë se nuk pranon takim me Thaçin pos zgjedhjeve dhe luftimit të pandemisë.

Kurti, duke folur për situatën aktuale politike ne vend ka thënë se ka zbrazëtirë kushtetuese sa i përket mandatarit të qeverisë. “Këtë zbrazëtirë kushtetuese nuk mund ta mbush Presidenti”, tha ai, përcjell Telegrafi.

I pari i Vetëvendosjes thotë se vet Presidenti e di që nuk ka të drejtë në kërkesën e tij që kjo parti t’ia dërgoj medoemos emrin e mandatarit.

Kurti ka theksuar se është i gatshëm të bisedojë me Presidentin për çështjen e pandemisë dhe për zgjedhje të parakohshme në çdo kohë.

Ndërkaq, edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas deklaratës së presidentit Hashim Thaçi, për bërjen e qeverisë së re.

Përmes një postimi në Twitter, Nagavci ka thënë se plani i Thaçi për Qeveri të re e shkel Kushtetutën.

“Nuk do të ketë Qeveri të re. Plani i Thaçit shkel kushtetutën dhe synon të rivendosë palët që i mundësojnë atij të shtyjë përpara marrëveshjet e tij me Vuçiqin”, ka shkruar Nagavci.

Ndryshe, pas postimit të Thaçit në Twitter ka reaguar edhe i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se pas heqjes së tarifës së reciprocitetit, dialogu Kosovë-Serbi do të rifillojë.

Grenell përmes një shkrimi në Twitter, thotë se ka folur me liderët shqiptarë e serb dhe ka dhënë mesazh se dyja vendet duhet të ndërtojnë besimin.

“Posa të hiqen tarifa dhe reciprociteti (mbase këtë javë?), atëherë Dialogu nis me intensitet më të shtuar. Kam biseduar me liderët në Serbi dhe Kosovë, për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë me ndërtimin e besimit sot në përgatitje të tij – dhe ata janë zotuar ta bëjnë këtë. Së shpejti do të ketë më shumë”, shkruan ai.

Shkrimi i Grenell erdhi pasi presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në Twitter tha sot se javën e ardhshme do të ndërmarrë hapat përfundimtarë kushtetues për formimin e qeverisë së re, teksa ka shtuar se taksa dhe reciprociteti duhet të hiqen, në mënyrë që të forcohen raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Më Shumë

Gjini lirohet nga detyra e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të Gjinekologjisë në Prizren

Spitali i Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa”, në Prizren, ka liruar gjinekologun Sebajdin Gjini nga pozita e ushtruesit të detyrës së shefit të repartit të...

Gjini: Vendimi është fushatë qëllimkeqe

Doktori Sebajdin Gjini, i cili para do ditësh u shkarkua nga shefi i Repartit të Obstetrikës ka reaguar, duke e konsideruar vendimin e spitalit...

Lajmet e Fundit