Kushtet klimatike të pranverës së këtij viti nuk ishin të favorshme për bujqit në Kosovë. Por edhe mungesa e punëtorëve ka bërë që në komunën e Rahovecit, e cila njihet si potencial për zhvillimin e bujqësisë, të bien sipërfaqet e mbjella me perime. Por janë rritur ato me drithëra, pasi këto kultura kërkojnë më pak krah pune dhe nga bujqit thonë se subvencionohen më shumë.
Pranvera kalendarike për bujqësinë ka kohë që ka ardhur, mirëpo fermerët janë vonë me punët e stinës.
Naxhije Hoti është 77 vjeçe nga Rugova e Hasit. Ajo bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes nxitojnë t`i mbjellin fidanët e kulturës së specit.
“Toka është e jona veç rruga është e keqe e po na bie larg të vijmë , po na humbë kohë edhe shi”, thotë Naxhije Hoti nga Rugova e Hasit.
Edhe Xhavit Rexhapi nga Celina e Rahovecit i ka angazhuar të gjithë familjarët për t`i mbjellë në fushë të hapur fidanët.
“Koha , shiu , uji u ndal tre ditë e pat defekt edhe kështu , tre ditë për bujkun janë të mëdha”, thotë Vox- Xhavit Rexhepi nga Celina.
“Tokën me qira e marrim, toka është e komunës së Rugovës . Tre hektarë i mbjelli, katër mijë euro i ha një hektarë shpenzime, 12 mijë euro shkojnë “.
Ndërkaq, Sahit Hoti nga Krusha e Madhe ka planifikuar që t`i mbjellë 2 hektarë me misër, pasi i nevojiten për blegtori.
Zyrtarë të komunës së Rahovecit thonë se perimtarët këtë vit e zvogëluan sipërfaqen e mbjellë, por vihet re rritja e sipërfaqes me drithëra të bukës.
“Krahasuar me vitin e kaluar , diku 80 hektarë i kemi më pak në kulturën e specit edhe në disa kultura të perimeve të tjera ka rënie në sipërfaqe”, thotë Berat Duraku, drejtor i Bujqësisë në Rahovec.
“Por krahas kësaj na janë rritur sipërfaqet me drithëra të bukës, bie fjala të gruri , diku 700 hektarë i kemi më shumë se vitin e kaluar, e po ashtu edhe te misri diku 300 hektarë i kemi më shumë se në vitin 2022”.
Sipas tyre, mungesa e fuqisë punëtore është një ndër faktorët që ndikuan në uljen e sipërfaqes së mbjellë me perime dhe në rritjen e sipërfaqes me drithëra.