15.8 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Klinaku: Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet aq më mirë

AvniKlinaku-lbKryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka thënë se koha më optimale për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është fillimi i muajit qershor. Por, sipas tij, sa më shpejt të mbahen këto zgjedhje aq më mirë do të jetë për Republikën e Kosovës.

“Për Lëvizjen për Bashkim koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare është fillimi i muajit qershor. Edhe ashtu Kuvendi është bërë pothuajse jofunksional, pasi vetëm për gjëra shumë të përgjithshme deputetët arrijnë, madje edhe të qëndrojnë në sallë, përndryshe kuorumi vazhdimisht mungon dhe sa më shpejt që shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për Kosovën”, ka thënë Klinaku për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se aktualisht nuk ka ndonjë iniciativë për shpërndarje të Kuvendit dhe, sipas tij, Kuvendi nuk do të shpërndahet para se të themelohet Gjykata Speciale, t’i vazhdohet mandati EULEX-it si dhe të aprovohet Ligji për Zgjedhjet. “Nuk ka iniciativë për votim të shpërndarjes së Kuvendit. Po ashtu, Kuvendi i ka edhe disa punë të cilat duhet të kryhen para se të shpërndahet dhe të shkohet në zgjedhje, siç është Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, mandati i EULEX-it dhe Gjykata Speciale”, është shprehur Klinaku.

Lideri i Lëvizjes për Bashkim e ka quajtur të dëmshëm për shtetin e Kosovës themelimin e Gjykatës Speciale, me ç’rast ka paralajmëruar se dy deputetët e kësaj lëvizje do të votojnë kundër kësaj gjykate. “Mendojmë se shteti i Kosovës do të dëmtohet me themelimin e një Gjykate Speciale, por edhe me procese të tjera që janë kryer ndaj UÇK-së. Sidomos duke pasur parasysh krimet shumë të renda që janë kryer nga okupuesi serb në Kosovë, të cilat kanë mbetur të patrajtuara fare. Kështu që, edhe në aspektin politik ne jemi kundër krijimit të Gjykatës Speciale, por edhe në aspektin e mungesës së transparencës. Pra, nuk dihet pse themelohet ajo gjykatë. Prandaj, deputetët e Lëvizjes për Bashkim në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë për themelimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar Klinaku.

Aspirojmë formimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes për Bashkim

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka bërë me dije se kjo lëvizje në zgjedhje parlamentare do të garojë në koalicion me ndonjërën nga tri partitë më të mëdha në vend, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. “Sipas të gjitha gjasave, Lëvizja për Bashkim në zgjedhjet parlamentare do të garojë në koalicion parazgjedhor me ndonjërën prej partive që do ta kalojnë pragun zgjedhor. Nuk kemi shumë të tilla. Partitë që e kalojnë pragun zgjedhor janë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja. Edhe në qoftë se e kalojnë pragun Lëvizja Vetëvendosje! dhe Nisma për Kosovën janë iniciativa qytetare dhe ligji nuk i lejon koalicionet me to. Prandaj, sigurisht se koalicioni do të jetë me njërën nga tri partitë politike, PDK-në, LDK-në e AAK-në”, ka treguar Klinaku, duke shtuar se koalicioni do të bëhet për shkak të numrave e jo për shkak të ngjashmërisë së platformës politike. “Në program dhe në botëkuptimin politik në përgjithësi pothuajse jemi njëjtë me të tri partitë, sepse faktikisht të tria i përngjajnë njëra-tjetrës. Mirëpo koalicioni, në qoftë se bëhet, do të bëhet vetëm për shkak të numrave dhe për shkak të pragut zgjedhor”, ka thënë Klinaku.

Ai ka thënë se në këtë drejtim deri më tani nuk ka asnjë rezultat, pavarësisht takimeve që janë mbajtur me përfaqësuesit e këtyre partive. “Po, kemi pasur takime me përfaqësuesit e të tri subjekteve, por ende nuk ka rezultate prej këtyre takimeve. Bisedimet janë duke vazhduar. Meqë ende nuk është shpallur dita e zgjedhjeve nuk është duke na u ngutur as neve e as atyre”, ka deklaruar Klinaku, duke hedhur poshtë mundësinë që LB-ja të garojë nën siglën e partisë së koalicionit. “Jo, nuk do të hyjmë në siglën e asnjërës prej partive me të cilën do të bëhet koalicioni, sepse në këtë drejtim jemi shumë të prerë dhe kryesia e partisë ka marrë vendim dhe Lëvizja për Bashkim mund të bëjë vetëm koalicion të rregullt zgjedhor”, ka theksuar ai. Klinaku ka thënë se aspiratë e LB-së në këto zgjedhje është formimi i grupit parlamentar. “Aspiratë në këto zgjedhje kemi formimin e grupit parlamentar të Lëvizjes për Bashkim. Mendoj se është një objektiv i arritshëm”, ka thënë Klinaku.

Më Shumë

Bexhet Xheladini rikandidon për Dragashin nga radhët e LDK-së

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini ka bërë të ditur se ka gjasa të mëdha që të rikandidojë për një mandat të ri...

Hapet edicioni i 24-të i festivalit folklorik “Anadrinia Jehon”

Gjatë mbrëmjes së djeshme është hapur edicioni i 24-të i festivali folklorik “Anadrinia jehon”, festival ky i cili tashmë ka fituar një profil të...

Lajmet e Fundit