Janë disa ushqime të Hasit që ruhen me fanatizëm edhe sot e kësaj dite. Ato janë kollpitja dhe hallva, tregon për “Kosova Sot” Ramadan Totaj, një personalitet që shërben për të ruajtur traditat e ushqimeve tradicionale .”Si çdo krahinë tjetër, edhe Hasi ka traditat e tij të veçanta. Një ndër zakonet që e dallojnë atë nga krahinat e tjera është organizimi i dasmave. Martesa është një nga hapat më të rëndë- sishëm në jetë dhe si e tillë, nuk mund të mos i jepet vëmendja e duhur”, tregon ai.
Shpjegon edhe si organizohen dasmat hasjane. “Tek fisi i djalit dasma fillon ditën e hënë deri të dielën, ndërsa te vajza dasma fillon të premten deri të dielën. Përgatitjet fillojnë të paktën 2 javë para ditës së madhe, ku bëhet zbukurimi i shtëpisë dhe furnizimi me të gjitha ushqimet e nevojshme. Dy-tre gra mblidhen një javë përpara dhe përgatisin petat për byreqet të cilat i pjekin në saç. Kjo bëhet pastaj duke gatuar kollpite, e besa edhe hallva që është një traditë e bereqetit”, tregon ai. Shton se e shkrijë gjalpin në tigan dhe hedhim miellin dhe e skuqin miellin derisa të zverdhet. Totaj thotë për gazetën “Kosova Sot” se kollpitet e Hasit dikur nderonin mikun e respektuar të shtëpisë baras me një dash të prerë.
“Shtruarja e sofrës kishte rendin e vet”
Ramadan Totaj tregon se në Has hallva e kollpitja dikur ishin aq të rëndësishme se më e vështirë ishte të bëheshin kollpitet dhe hallvat sesa të piqej një dash.
” Blegtoria e zhvilluar në Has bëri që më lehtë të bëhet një dash e qengj sesa një hallvë e kollpite. Prandaj, edhe këto dy gjëra i kemi si një trashëgimi të veçantë. Me këto ushqime priteshin burrat dhe organizoheshin gazmende të mëdha, por edhe në raste të pajtimit të gjaqeve. Në një vend s’ka pasur mundësi të pajtoheshin familje, nëse nuk qitej një kollpite e një hallvë. Kollpitja ishte për të pasur jetë të mirë e hallva ëmbëlsi jete”, tregon ai.
Hasan Morina tregon se sofra shtrohej e veçantë për nder të mysafirëve. “Shtruarja e sofrës kishte rendin e vet, kohën dhe mënyrën. Në ballë të sofrës ulej kryefamiljari – mikpritësi. Në të majtë të tij mysafiri më i vjetër, në të djathtë tjetri mysafir sipas radhës, dhe kështu një andej dhe një këndej, në fund uleshin familjarët meshkuj, nëse kishte vend të mjaftueshëm. Sofrën e shtronin të rinjtë e familjes, duke vënë tepsinë kryesore në mes dhe pjata rreth e rreth, duke filluar nga mysafiri më i vjetër e me radhë tek mysafirët, në fund tek familjarët”, është shprehur Morina.
Përkulja e lehtë
Morina thotë se bukën e ndante kryefamiljari si edhe mishin, gjithnjë duke filluar nga më i moshuari i mysafirëve. “Pas këtyre shërbimeve fillestare, kryefamiljari u thoshte mysafirëve : Mirë se keni ardhë dhe mirë se ju ka pru zoti, kurse mysafiri më i vjetër ia kthente: Mirë se ju gjetëm”, është shprehur ai. Morina shton se sipas traditës, kryefamiljari nuk ngrihej nga sofra pa u ngritur edhe mysafiri i fundit.
“Një nga të rinjtë e familjes qëndronte në këmbë për të shërbyer me ujë dhe shërbimin e bënte duke vënë dorën e djathtë në gotë dhe dorën e majtë tek zemra, me një përkulje të lehtë, të cilën e bënte edhe kur e merrte gotën”, është shprehur Morina. Ai pastaj tregon se në fshatrat e Përdrinisë njëri ndër respektet e mëdha ishte nëse e nderoje mikun me një fli.
” Flija është ushqim shumë i preferuar shqiptar, por edhe turk. Ajo mund të piqet edhe në shporet, qoftë ai me rrymë apo me dru, por më tepër preferohet me saç. Në një enë hidhet miell, kripë, ujë i ftohtë dhe përzihen në një brumë të hollë si për petulla. Në një enë tjetër shkrihet gjalpë, ajkë, vaj dhe qumësht, përzihet masa e krijuar derisa të gjithë përmbajtësit të jenë shkrirë në një masë të vetme. Lyhet tepsia me yndyrë dhe me një lugë merret brumi i hollë dhe hidhet nga cepi i tepsisë deri afër mesit dhe krijohen rrathë, të cilët mbulojnë gjithë tepsinë. Mesi i cili është bosh mbushet me rrathë paralelë. Gjithë sipërfaqja lyhet me masën e përgatitur dhe futet në furrën e ngrohur. Kjo piqet për 3-5 minuta. Nxirret nga furra për të vazhduar me rendin tjetër”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)