Mbetjet mortore serbe ishte planifikuar tash një vit e gjysmë të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovës.
Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e kosovarëve për ta realizuar këtë plan të Serbisë që të sjellin “dëshmi” së në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetje mortore shërbimi serb do të paguante 20 mijë euro. Kështu bëjnë të ditur burimet e besueshme të gazetës “Zëri”, të cilat zbardhin në detaje planin e shërbimeve serbe me trafikantët kosovarë.
Madje, sipas këtyre burimeve, bartja e tyre është planifikuar që të bëhet me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos u dyshuar gjatë kontrollit kufitar nga policia dhe Doganat.
Ky plan është zbuluar gjatë një hetimi tjetër, derisa po përgjohej grupi i trafikantëve, të cilët u arrestuan ditë më parë për bartjen në mënyrë ilegale të kosovarëve përmes Serbisë në Evropë.
“Plani për sjelljen e mbetjeve mortore është zbuluar gjatë përgjimit për trafikimin ilegal të kosovarëve tash një vit e gjysmë”, sqarojnë mes tjerash burimet, duke shtuar se gjithçka është zbuluar përmes përgjimeve të telefonave.
“Aktualisht hetuesia ka mijëra faqe përgjime”, ka thënë një zyrtar i lartë pranë hetuesisë vendore. Arrestimi i tyre zyrtarisht nga policia është deklaruara të jetë bërë vetëm për trafikimin e kosovarëve përmes Beogradit, por për disa brenda këtij grupi, ka fakte shtesë me të cilat do të përballen së shpejti të pandehurit.
Disa nga grupi i trafikantëve të arrestuar madje dyshohen se për këtë “miqësi” me këto grupe serbe kanë përfituar materialisht nga këta të fundit. Këta serbë kanë qenë bashkëpunëtorë edhe për kontrabandimin e mijëra kosovarëve që në vitin e fundit kanë arritur që përmes territorit serb të kalojnë kufirin me Hungarinë.
Janë premtuar dëshmitarë të rrejshëm
Ka disa muaj që një grup kosovarësh ishin kontaktuar nga shërbimi serb, për të realizuar planin që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”./Zëri/