Në Kosovë është rritur iluzioni dhe është përforcuar njëmend fantazma për të drejta pavlerë për hir të substancës së përfitimit personal (të vetvetes). Në këtë lloj atmosfere nuk shpëton dot as diplomacia e Kosovës, e cila sikur mendon për të mirën ligjore të vendit, por në anën tjetër pakontestueshëm është e zhytur keq në formalitetin legjislativë dhe ka krijuar dëme serioze shtetit dhe qytetarëve të saj. Gati e gjithë paketa legjislative në Kosovë është jo funksionale, për faktin se për to ka një mosgatishmëri të papërgjegjshme dhe sikur nuk i intereson fare vendi dhe qytetarët.
Që nga pas lufta diplomacinë e Kosovës, e kanë ushqyer dhe e kanë harmonizuar vetëm kompromise, ato janë bërë pa menduar dhe pa e konceptuar të ardhmen e vendit, madje po të shikohen nga perspektiva e sotme, kompromiset e bëra e kanë rrezikuar stabilitetin e vendit, ai mund të zhytet kurdo në konflikte civile dhe ndërshtetërore.
Zgjedhja me të cilën është përballur Diplomacia e Kosovës nuk është ndërmjet ligjshmërisë dhe paligjshmërisë për tu bërë kompromiset, ato më shumë janë bërë nga pa mençuria dhe nga marrëzitë politike, ato vazhdojnë të bëhen akoma edhe sot shih veriun se si falet me pak a hiç-pazare.
Të pyesim se pse kompromiset janë bërë vet zgjedhje e diplomacisë në Kosovë? Sepse duke mos e funksionalizuar shtetin mbi ligjin dhe të drejtën e individit në të, shteti domosdoshmërish i është nënshtruar vullnetit të pacipë të një diplomati që nuk shquhet dot për mençuri apo edhe për angazhime të njëmendta politike.
Brishtësia e shtetit në të shumtën e gjërave, sikur është bërë objektivë përtej mundësive të tjera të ndershme për tu pasuruar diplomati i sotëm ne Kosovë. Ai vazhdon të pasurohet ne emër të shtetit dhe të pandërgjegjshmërisë profesionale e obligative ndaj shoqërisë, madje pafalshëm dhe pa u dënuar asnjëherë.
Nuk mund të shtrohet asnjëherë si çështje ne vete, nëse dhe a ka të drejtë një lider apo diplomat që ta katandisë popullin dhe vendin me një gjendje të mjerë, e gjithnjë e më shumë edhe më pa perspektivë. Ndërsa çështja është, se nuk mund ta bësh të lumtur një popull brenda hapësirës së tij, atëherë hiç dorë nga uzurpimit i funksioni dhe papërgjegjshmëria ndaj tij.
Këtu roli i shoqërisë demokratike është i nevojshëm, por kur një rol i tillë mungon sepse atë shoqëri prej kohesh e ka katandisur mjerimi i krijuar nga strukturat politike, atëherë çfarëdo akti i demokracisë është i pavlerë dhe çfarëdo vendimi është parespektueshëm sepse kështu në fund vendosin strukturat politike e mafioze, të cilat nuk e duan një shtet ligjor edhe për vetën e tyre, atë e duan vetëm për të tjerët qe fundi nuk janë si ta.
Strukturat politike mafioze po e hanë shtetin e Kosovës ndërkombëtarisht, madje më keq edhe me miratimin dhe ndihmën e tyre. Liria e shqiptarëve po zbehet nga kompromiset e vet shqiptarëve, me pak e hiq pazar, janë vet shqiptaret-ata qe papërgjegjshmërinë e vendimeve te tyre po e legalizojnë në mënyrë kaq të turpshme. Ndofta nuk është e vërtetë ajo thënia se: “ajo (liria) që të dhurohet për një kohë nuk është (liria) e përjetshme!”.