Në konkursin e shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan për bursa dhe shpërblime kanë aplikuar 233 studentë e do të shpërndahen 125 bursa dhe 25 shpërblime.
Rashit Sahiti, kryetar i Komisionit, ka garantuar se do të respektohen kriteret ekzistuese për ndarjen e bursave.
Mirëpo, Fazli Abdullahu, koordinator i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, ka tërhequr vërejtjen se kriteri i poentimit të studentëve të universiteteve publike me një pikë më shumë sesa ata të universiteteve private përbën shkelje, sikurse edhe përjashtimi nga e drejta e aplikimit për bursë të studentëve të kësaj komune, që studiojnë në Shqipëri ose diku tjetër jashtë shtetit.
Edhe kryesuesi i Komitetit të Arsimit, Arben Mehmeti, është pajtuar se ky kriter është diskriminues, por ka thënë se kriteret janë miratuar nga përbërja e kaluar dhe ka premtuar se do të diskutohen e të rishikohen për vitin e ardhshëm, meqë sivjet konkursi është shpallur dhe tashmë janë kryer shumica e procedurave.
Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka thënë se për Kuvendin Komunal do të duhej të rekomandoheshin edhe ndarjen e bursave për nxënësit që regjistrohen në shkollën e Bujqësisë, për të stimuluar interesimin e të rinjve për këto profile.
Ai ka folur edhe për procesin e zgjedhjes së drejtorëve, zëvendësdrejtorëve dhe sekretarëve në disa shkolla të Gjilanit, derisa për testin e maturës është rekomanduar që forma e tashme e organizimit të ndryshohet në të ardhmen, duke gjetur zgjidhje të tjera që janë më të favorshme për nxënës, ngase sipas Arben Mehmetit, manipulimet në testin e maturës janë evidente në gjithë Kosovën dhe ky është një shqetësim yni i përbashkët, që nuk ka të bëjë vetëm me Gjilanin, shkruan zeri.
Edhe anëtarët e tjerë të KA-së: Rashit Sahiti, Shukrije Rapuca, Leonora Bunjaku, Fehmi Sylejmani, Florina Jerliu e Ajtene Shahiqi, janë shprehur kritikë ndaj formës së tashme të organizimit të testit të maturës, duke kërkuar ndryshime, ndërkaq sa i përket testit të arritshmërisë, që mbahet për klasat e nënta, u tha se ai duhet të hiqet fare dhe si kriter për regjistrim në shkollimin e mesëm të merret suksesi i shkollimit fillor.
Sipas Nazmi Musës, drejtor i Arsimit sa i përket komunës së Gjilanit, ai tha se testi është organizuar sipas standardeve dhe nuk ka pasur asnjë vërejtje në proces.