Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se marrja e kodit shtetëror telefonik do t’i sjellë Republikës së Kosovës përfitime në planin politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe të do mundësojë shërbime më cilësore dhe me kosto më të favorshme për qytetarët.
Ajo ka deklaruar se kodin e saj ndërkombëtar Kosova do ta ketë në muajin mars. Në këtë intervistë për “Epokën e re” Tahiri ka thënë se me fuqizimin e këtij kodi do të mbyllen të gjitha kodet e tjera telefonike që kanë qenë në përdorim.
“Në muajin mars Kosova e merr zyrtarisht kodin, ndërsa faza e zbatimit të këtij kodi, sipas ekspertëve të telekomit dhe autoritetit rregullator telekomunikues, kërkon një periudhë të caktuar kohore derisa të bëhet migrimi teknik nga të gjitha kodet në një kod, që nënkupton edhe ndërrimin e SIM kartelave. Pra, ajo është një kohë normale teknike derisa të bëhet kalimi në një kod telefonik”, ka thënë ministrja Tahiri.
Ajo ka folur edhe për vazhdimin e procesit të dialogut në Bruksel. Sipas saj, takimet e nivelit teknik do të fillojnë në pjesën e dytë të janarit, kurse pas tyre do të vijnë edhe takimet e kryeministrave.
“Sa i përket takimit të kryeministrave, kjo ende nuk është caktuar, pasi varet prej ftesës që do të vijë nga Brukseli”, është shprehur Tahiri.
Ajo nuk ka dashur të flasë nëse Qeveria e Kosovës do ta kushtëzojë dialogun me Serbinë. Tahiri ka vlerësuar se në këtë proces nuk pritet të kenë ndonjë ndikim kundërshtimet e opozitës.
“Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë për të gjithë në Kosovë, për pozitën, opozitën dhe të gjitha institucionet, se marrëveshja për Asociacionin nuk ka dalë jokushtetuese siç pretendonte opozita, por është vlerësuar se nuk është tërësisht në pajtim me Kushtetutën, që nënkupton se Gjykata Kushtetuese ka dhënë dritën e gjelbër për themelimin e Asociacionit dhe ka kërkuar nga Qeveria që në procesin e hartimit të statutit të respektohen udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se edhe opozita e ka të qartë këtë”, ka deklaruar Tahiri. /Epoka e Re