0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Krasniqi: Kryeparlamentari i takon grupit më të madh parlamentar

Jakup Krasniqi14-12?Dilemave se kush e ka të drejtën e mandatarit për kryeministër, tani iu ka shtuar edhe ajo e postit të kryetarit të Kuvendit. LDK, AAK dhe Nisma për Kosovën kanë paralajmëruar se do të formojnë një grup parlamentar për ta fituar të drejtën e postit të kryetarit, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së punës. Duke u thirrur në po këto dokumente, edhe PDK-ja si partia fituese e zgjedhjeve, këmbëngul që kryetari i Kuvendit i takon asaj, sikurse edhe mandatari për kryeministër.

Në afatin prej 30 ditësh pas shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet në seancën konstituive. Para fillimit të kësaj seance, deputetët mbushin një formular ku edhe e bëjnë deklarimin e tyre për grupin parlamentar. Grupit më të madh parlamentar i takon kryetari i Kuvendit. Sipas kësaj logjike, tri partitë opozitare që kanë arritur koalicion paszgjedhor, kanë paralajmëruar bashkimin në një grup parlamentar.

Radio Kosova ka kontaktuar me kryetarin aktual të Kuvendit, Jakup Krasniqin, i cili ka udhëhequr legjislativin për dy mandate. Ai nuk deshi të flas për këtë çështje duke rekomanduar që të flasin ekspertët kushtetues. Por gjithsesi, përmes telefonit, Krasniqi tha është e shkruar qartë në kushtetutë dhe rregullore të punës se kryetari zgjedhet nga grupi më i madh parlamentar.

Sipas Krasniqit, para seancës konstituive mund të formohen grupet parlamentare, e kjo sipas tij, ndodhë gjatë mbushjes së formularit nga ana e deputetëve ku edhe përcaktohen për grupin parlamentar.

Dren Doli nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike thotë se thotë se nëse LDK, AAK dhe Nisma formojnë grupe të veçanta parlamentare, automatikisht e drejta për ta nominuar kryetarin i takon PDK-së si partia më e madhe. Por në të kundërtën, PDK-së, i humbet kjo e drejtë.

“Nëse LDK, AAK dhe NISMA vendosin që të themelojnë një grup parlamentar i cili njëkohësisht do të jetë grupi me numrin më të madh të ulëseve në kuvend, atëherë këto sipas rregullores së kuvendit, po ashtu edhe sipas kushtetutës fitojnë automatikisht të drejtën që të nominojnë dhe të zgjedhin kryetarin e kuvendit nga radhët e tyre”, tha Doli.

Por, PDK-ja si fituese e zgjedhjeve, këmbëngul se i takon asaj kryetari i Kuvendit, njësoj siç këmbëngul për mandatarin për qeverinë e re. Zenun Pajaziti tha për Radio Kosovën se me Rregulloren e Kuvendit, posti i kryeparlamentarit i takon PDK-së dhe se rregullat nuk mund të ndryshohen me marrëveshje politike.

“Kryetari i Kuvendit decidivisht përcaktohen me rregulloren e punës së Kuvendit që takon partisë më të madhe fituese. Me këtë rast, PDK-ja automatikisht do ta ketë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Rregullat nuk mund ta ndryshohen me marrëveshje politike, sikur që nuk mund të ndryshohet as kushtetuta që i rregullon edhe çështjet tjera, të cilat po sfidohen pas këtyre zgjedhjeve”, tha Pajaziti për Radio Kosovën.

Ndryshe, neni 67 i Kushtetutës së Kosovës që flet për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, saktëson që kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Njësoj e thotë edhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

Ndërkohë Rregullorja e punës së Kuvendit të Kosovës, në nenin 20, që flet për formimin dhe funksionimin e grupeve parlamentare, saktëson se deputetët mund të formojnë grup parlamentar sipas përkatësisë së tyre partiake ose të përcaktimeve programore.

Më Shumë

Biblioteka e Prizrenit kremtoi jubileun e 80-të

Të premten, me një manifestim kulturor, është shënuar jubileu i 80-të i themelimit të Bibliotekës Ndërkomunale të Prizrenit. Kjo bibliotekë, më e vjetra në...

Prokuroria e Prizrenit mban takim pune me prokurorë, gjyqtarë, policë dhe avokatë

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorë nga kjo prokurori, me gjyqtarë...

Lajmet e Fundit