4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Krasniqi: Rinia mund t’ia kthejë dinjitetin dhe zhvillimin Malishevës

Krasniqi me studenteKandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Komunës së Malishevës, Alban Krasniqi, i shoqëruar nga profesori i filozofisë së Universitetit të Tiranës, Elvis Hoxha dhe nga përfaqësuesit tjerë të VV-së, kanë mbajtur një tubim publik me të rinjtë e Malishevës, për të shpalosur Alternativën qeverisëse lokale.

Krasniqi shprehu vizionin dhe mënyrën sesi e konsideron VV-ja rininë. “Ne nuk e shohim rininë njëjtë si parti e tjera, si një barrë të cilës është vështirë për t’i gjetur punë a angazhim shoqëror. Përkundrazi, e shohim si aleaten tonë më të fortë në rrugën për zhvillimin e vendit. Në këtë aspekt, ne e shohim edhe zhvillimin e Malishevës vetëm përmes ndihmës dhe kontributit tuaj”, tha ai.

Më tej, Krasniqi shpalosi Alternativën qeverisëse, komponentët më të rëndësishëm të saj, e sidomos ata të fokusuar tek të rinjtë. “Në programin e VV-së janë menduar shumë hapësira dhe mundësi për aktivizimin e të rinjve, të cilat kanë të bëjnë me: hapjen e vendeve të reja të punës; punën praktike në institucionet publike, që do ia mundësojmë çdo të riu që ka nevojë dhe dëshirë për punë; punën e përbashkët vullnetare, si një komponent i rëndësishëm i zhvillimit; projektet e tjera që synojmë të mundësojmë gjatë qeverisjes tonë; krijimin e terreneve sportive dhe funksionalizimin e aktiviteteve kulturore”, tha ai.

Në fund, Krasniqi u bëri apel të rinjve jo vetëm për mbështetje e zgjedhje të Alternativës qeverisëse të Vetëvendosjes, por edhe për angazhim sa më të madh politik e shoqëror të tyre, angazhim që sipas tij do t’i ketë kurdoherë të hapura dyert e VV-së. “Ajo që çdo shoqëri pret nga rinia, si pjesa më vitale dhe aktive e saj, është angazhimi, sepse rruga e zhvillimit shoqëror, jo vetëm për të tashmen, por sidomos për gjeneratat e ardhshme, mund të jetë e sigurt vetëm nëpërmjet angazhimit dhe veprimtarisë së rinisë”, përfundoi Krasniqi.

Profesori i filozofisë së Universitetit të Tiranës, njëherësh edhe anëtar i strukturave drejtuese të Lëvizjes Vetëvendosje!, Elvis Hoxha, u shpreh para të rinjve se Vetëvendosje! nuk duhet parë si çdo parti e zakonshme, nga e cila priten vetëm premtime klienteliste, por si një Alternativë politike në të cilën të rinjtë duhet ta shohin veten mbi të gjitha si kontribues në të mirë të vendit. Më tej, Hoxha u bëri thirrje të rinjve që ta vlerësojnë dhe mbështesin programin e Lëvizjes Vetëvendosje!. “Kjo Alternativë përmban për rininë, rivitalizimin e të gjithë atyre komponentëve që i kanë munguar kësaj pjese të shoqërisë në trojet shqiptare për shumë vite me radhë: jetën kulturore, sportive e shoqërore”, tha Hoxha. Në këtë vijë mendimi, Elvis Hoxha tha përpara të rinjve që mos të pranojnë “dhuratat” e vogla të momentit, që ofrojnë partitë pushtetare, por të zgjedhin projektet strukturore afatgjata që ofron Vetëvendosje!.

Ndërkaq, bartësi i listës për Asamble Komunale, Muhamet Bytyçi, tha se Lëvizja Vetevendosje!, si forcë e ndryshimit shoqëror, ka lindur prej të rinjve dhe mbështetet në veçanti tek të rinjtë, duke qenë se këta të fundit janë shpresa afatgjatë e shoqërisë. “Vetëvendosje!, e mbi të gjitha Kosova në përgjithësi, sot kanë nevojë për angazhimin politik dhe qytetar të të rinjve, si forca më vitale dhe përparimtare e saj, e cila sot ndodhet në kushte jo të favorshme për shkak të politikave të mbrapshta pushtetore”, tha Bytyçi./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Prezantohet studimi i fizibilitetit për ndërtimin e teleferikut në Kalanë e Prizrenit

Në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit, të nënshkruar mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe PPSE-Swisscontact, sot, në...

Kosova përfiton 90 milionë euro nga Banka Botërore

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe zëvendëspresidentja për Evropë dhe Azi Qendrore në Bankën Botërore, Antonella Bassani, kanë nënshkruar marrëveshje për financimin e politikave...

Lajmet e Fundit