13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kryetarët e kontejnerëve!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Zgjedhjet e rregullta që nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës: Për katër komunat e veriut të Kosovës, më 23 prill 2023 u organizuan zgjedhjet lokale që paraprakisht, më kërkesë të ndërkombëtarëve ishin shtyrë për një kohë më të përshtatshme. Mendohej se me Marrëveshjen e Kapitullimit në Ohër e sidomos me aneksin për zbatim të kësaj marrëveshjeje do të rregullohej edhe çështja e zgjedhjeve lokale si dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës të cilat i kishin braktisur, jo shkaku i ndonjë presioni por ekskluzivisht për shkaqe dhe nevoja politike!

Serbët në Kosovë jetojnë më mirë se serbët në Serbi dhe, pa asnjë dyshim, serbët e Kosovës, përjashtuar një grupi të kriminalizuar, asnjëherë nuk do të trajtoheshin në Serbi siç trajtohen në Kosovë. Lista Serbe kishte kërkesa që asnjë shtet nuk do t’i realizon me dinamikën dhe qëllimet e vendosura; formimin e menjëhershëm të Zajebnicës dhe tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Po të pranoheshin këto kërkesa, ashtu si janë parashtruar do të nënkuptonte kapitullim të padiskutueshëm të shtetit. Një lojë, pa asnjë dyshim po luhet edhe me këto zgjedhje; ndërkombëtarët nuk po kundërshtojnë mbajtjen e tyre vetëm se po shprehin keqardhje për bojkotim të tyre nga Lista Serbe.

Kanë menduar se ka serbë që do të marrin pjesë në zgjedhje duke luajtur në kartën e djegur të Jabllanoviqit i cili, në momentin e fundit dëshmoi se edhe ai gjen strehë dhe mrizon nën kapelën e Aleksandër Vuçiqit, i cili, aktualisht është padre padrino (kryemafiozi) i Serbisë. Komisionari dhe vëzhguesi kryesor i procesit zgjedhor në veri të Kosovës, Xhelal Sfeqla ishte më i pranishëm para medieve se Papa Françesku në enciklikën urbi et orbi në Vatikan. Ka energji të jashtëzakonshme Xhelua sikur që nuk ka temë për të cilën nuk kishte përgjigje. Ma çfarë Kreshnik Radoniqi, Valmir Elezi, Valdete Daka apo Ismet Kryeziu?!!! Me kalimin apo më mirë të them rikthimin e Jabllanoviqit në kopenë që i takon, edhe vendvotimet u tkurrën bukur shumë. Në mungesë të objekteve ku më parë mbaheshin zgjedhjet (shkollat, kryesisht), u aktivizuan kontejnerët që përdoren vetëm në raste emergjente.

Kishte parashikime se mund të ketë tensionim të situatës në mënyrë që të pengohen zgjedhjet e që nuk kishin ndonjë bazë aq më parë që padre padrino i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk kishte asnjë interes për përshkallëzim të situatës në kohën kur bëri ftesë publike serbëve që të mos votojnë në këto zgjedhje të organizuara nga Kurti, sipas tij, kryeministër i një shteti të rrejshëm, gjithashtu sipas tij. Pas kësaj edhe Jabllanoviqi ndërroi kapelën; në vend të një kapele euro- amerikane, në kokë e vendosi shajkaqen e Vuçiqit.

Si shkuan zgjedhjet: Mirë, pa asnjë problem, kishte votues aq sa kishte shikues në një seancë stërvitore të Llapit në Podujevë. Prej atyre që votuan, thuaja 99.99 për qind ishin shqiptarë, serbë nuk kishte fare apo kishte vetëm në gjurmë. Ishte një rast kur një kandidate për kryetare (serbe) shoqërohej nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, foto kjo që ishte e pranishme në disa agjenci mediatike botërore.

Të marrin pjesë përmes votimit vetëm afërsisht 1500 votues, kjo nuk e besoj se të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër në botë! Të pohosh se këto janë zgjedhje legale dhe legjitime, me të cilat do ta gjeni një zgjidhje politike, është aq joserioze që nuk ia vlen të komentohet. Mos vallë kjo situatë i ngjanë asaj të qetësisë para furtunës! Mos vallë edhe kësaj radhe, padre padrino i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bashkë me disa ndërkombëtarë na e hodhi paq?!

Mos vallë kryeministri Albin Kurti duke dëgjuar këshillat e atyre që babë e babëgjysh i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë ndërsa për veten e tyre të mos flasim, ia vendosi Kurtit skitë në një terren të rrëshqitshëm dhe i papërshtatshëm për ski me qëllim t’ia thyej kokën siç ua kishte thyer disave para KM, Albin Kurtit?! Mos është vallë kjo vetëm një lojë për të fshehur lëshimet e mëvonshme e që fillojnë më 2 maj 2023 kur edhe do të dorëzohet drafti i parë i Zajebnicës! Babai i autonomisë substanciale për Kosovën, ambasadori Hill edhe kur fletë për futbollin amerikan hyrjen e ka, para së gjithash dhe mbi të gjitha formimin e menjëhershëm të Zajebnicës. Mbase edhe kjo ka ndikuar që të ketë qetësi, por jo edhe qartësi, në këto zgjedhje lokale, deri në themelimin e Zajebnicës kur edhe fillon një periudhë e re për Kosovën.

Mos mendoni rastësisht se këta që i fituan zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës nesër do të jenë në krye të Zajebnicës dhe se do ta zbatojnë“vetëmenaxhimin”? Këta e kanë jetëgjatësinë e kryetarllëkut së një fluture, ndoshta as edhe aq. Nëse e kanë refuzimin apo mungesën e bashkëpunimit e pjesës dërrmuese të qytetarëve të këtyre komunave, në shërbim të kujt do të jenë atëherë?! Po si do të vendosen në zyra në objekte komunale aktuale, me flamuj të Serbisë dhe ikonografi serbe?! Në mungesë të zyrave të mirëfillta ata do të shndërrohen në kryetarë të kontejnerëve, ashtu si ishin edhe votuesit e tyre. Në vend se t’i përgjigjen Faraonit, ministrit për pushtet lokal ata do të jenë nën përgjegjësi të Xheluas.

Tash, pas këtyre zgjedhjeve, të orkestruara nga ndërkombëtarët, pa asnjë dyshim, LV-ja dhe PDK-ja po i fërkojnë duart, si fitues thuaj që kanë fituar mbi 200.000 vota e jo që nuk i kanë fituar as edhe 750 vota, për parti. Ani ky i LV-së, si Hanibali ante portas (para dyerve), botërisht deklaroi se do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve dhe se e presin projekte të mëdha për Mitrovicën e Veriut. Merreni me mend po të kishte ky farë tipi pushtet të vërtetë?! Me gjasë ky do të jetë Hanibali i Mitrovicës së Veriut i cili do të përfundojë, jo para dyerve të komunës por para dyerve të kontejnerit ku do të kufizohet pushteti real i tij, sikur edhe për tre kryetarët tjerë!

Diçka po ndodhë në këtë kohë dhe në këtë vend, me Jeton Qyrroja, sozisë së ministres për punë të jashtme, bijë dhe bija të ish-shërbyesve jugosllavë dhe serbë, me rrenca dhe mashtrues në poste me rëndësi, me negociator si Bisla i Muçibabes dhe “ma (r)garitarë të ngjashëm, retë e zeza do të qëndrojnë gjatë mbi Kosovën. Albin Kurti ose me vetëdije po e luan rolin e Hamletit, ose nuk është i vetëdijshëm se po ia punojnë nën brezë! E para nuk i falet, e dyta mund t’i merret si rrethanë lehtësuese! E shohim, e shohim, shumë shpejtë, madje!

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 500 gjoba trafiku të shqiptuara për 24 orë në Kosovë

Policia e Kosovës ka shqiptuar një mijë e 516 gjoba trafiku në 24 orët e fundit. Ndërkaq, janë regjistruar edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve...

Kush është 29-vjeçarja shqiptare që përplasi për vdekje vëlla e motër në Kroaci!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Koraci dy ditë më parë, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën vëlla e motër, 21...

Lajmet e Fundit