17.8 C
Prizren
E premte, 20 Shtator, 2024

Kuçi: PDK e ka fituar pushtetin me ekstremistët, s’mund t’i luftojë ata

Blerim KuciIsh-Ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, e akuzon PDK’në dhe Hashim Thaçin se i ka marrë në pushtet ekstremistët islamikë vetëm për ta ruajtur pushtetin. Sipas tij, PDK ka fituar edhe në zgjedhjet e fundit falë votave të tyre e tash për shkak të presionit ndërkombëtar po bën spektakle. Në këtë situatë, në një intervistë për Express, Kuçi thotë se Hashim Thaçi po sillet si artist i popullit.

Express: Si e sheh aksionin e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndaj disa të dyshuarve për terrorizëm?

B. Kuçi: E para, besoj se Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur informata të mjaftueshme për aktivitetin e organizatave të ndryshme që kanë lidhje me organizatat terroriste dhe me ekstremizëm islamik në Kosovë. Kjo nuk do koment sepse jam shumë i sigurt. Pse s’e ka bërë më herët, unë kam mendimin tim, sepse brendapërbrenda kësaj Qeverie ka individë që së paku kanë një lidhje ose janë mjaft joshës për këto organizata ose janë në mes të ekstremizmit islamik dhe islamit në përgjithësi. PDK dhe z. Thaçi ka pasur nevojë për votën e tyre. Në zgjedhjet e fundit u pa se janë të nevojshëm me votën e tyre dhe nuk kanë intervenuar dhe nuk kanë bërë ndonjë akt të tillë. Në momentin kur e kanë marrë votën edhe për shkak të presionit ndërkombëtarë janë detyruar të ndërmarrin akte të tilla. Sa janë të qëndrueshme apo është vetëm një spektakël do ta shohim më vonë.

Express: Pra, PDK dhe Qeveria i ka shfrytëzuar elementë të tillë për vota, ndërkohë, tash pas përfundimit të zgjedhjeve po i godet?

B. Kuçi: Kjo është esenca që qytetarët e Kosovës duhet ta vërejnë. Ne si Aleancë vërtet jemi goditur për vota por s’paku jemi munduar të themi se është një rrezik për kombin tonë, është një rrezik për shtetin tonë. Unë e kuptoj se duhet bërë dallimin sepse qysh thotë populli “afër të keqit digjet edhe i njomi”. Po e shoh se as analistët s’po e bëjnë këtë dallim. Sidoqoftë, esenca është se Qeveria aktuale i ka lejuar, u ka hapur portën ekstremistëve islamikë, qoftë në formën e vetëdijshme ose në formën e pavetëdijshme. Ose është bërë sikur nuk po i sheh. Në momentin kur e ka marrë votën e tyre e cila ka qenë shumë e domosdoshme për ta – kanë menduar se përmes votës së tyre do të jenë në pushtet – atëherë e kanë kryer misionin e vet me ta dhe për shkak të presionit ndërkombëtar janë detyruar të ndërmarrin një aksion të tillë. Se a e kanë bërë për spektakël do të shihet tash e tutje. Ajo që unë jam i sigurt se ka shumë metoda që shteti brenda ligjit ta luftojë ekstremizmin islamik. Nuk ka nevojë asnjë pikë të dilet jashtë ligjit.

Express: Kryeministri në largim doli dhe tha se aksionin e ka autorizuar ai?

B. Kuçi: Unë e kuptoj se Kryeministri është hartues i politikave dhe përcakton edhe prioritetet në aspektin e sigurisë. Ajo është normale. Mirëpo, në mesin e kësaj Qeveria ka individë, e edhe Ministra, të cilat kanë lidhje me ekstremizëm islamik. E ka lejuar këtë klimë dhe e ka hapur portat për këtë klimë për shkak të votave dhe për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht. E tash paraqitet si artist i popullit, kjo nuk shkon. Kjo Qeveri është fajtore për mënyrën e menaxhimit me këtë element që është i rrezikshëm në aspektin kombëtar, edhe si shtet, por edhe në aspektin ndërkombëtarë. Kjo Qeveri nuk mund të luftojë këtë ekstremizëm sepse ka lidhje me te.

Express: Rrjedhimisht, lidhja e Thaçit është më Kryetarin e Partisë së Drejtësisë, Ferid Aganin, deputetin Gëzim Kelmendi…?

B. Kuçi: Po. Edhe asnjë akt më të vogël s’ka bërë deri më tash. Asnjë program se ka hartuar se si luftohet ekstremizmi islamik. Asnjë preventivë, asnjë plan që ka të bëjë me preventivë nuk ka ndërmarrë. E para, faji është se e ka lejuar pa bërë asnjë hap në preventivë. E dyta, ka futur në Qeveri njerëz që kanë një ideologji të tillë dhe janë afër një ideologjie të tillë. Ata janë në pushtet bashkë me z. Thaçi. I ka emëruar edhe Ministra pa marrë parasysh se ata sot po mundohen të thonë se s’kanë lidhje me ekstremizmin. Por, janë afër tyre dhe krijojnë klimë për ta. PDK e ka marrë votën sepse vota ka qenë më e rëndësishme se vet lufta kundër ekstremizmit islamik. Permanent ia ka marrë votën – edhe në 2010, edhe tash më 2014 – Thaçi i ka ofruar këta njerëz me qenë afër vetës. S’ka pasur qysh të luftojë dhe tash për shkak të presionit ndërkombëtar dhe unë dyshoj se z. Thaçi se mund të luftojë në vazhdimësi këtë të keqe.

Express: Cila duhet të jetë zgjidhja nëse Kosova do të ketë një Qeveri të re pa PDK’në?

B. Kuçi: E para ka shumë mënyra ligjore për të luftuar ekstremizmin. E para është kontrollimi i mënyrës së financimit të tyre. E dyta, është kontrolli i organizatave joqeveritare, të cilat kanë lidhje me organizata të dyshimta. E treta, bashkëpunimi me vendet në rajon, qoftë më Shqipërinë, qoftë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe më këdo sepse ky është problem ndërkombëtar dhe nuk është marrë të bashkëpunohet në këtë aspekt për të luftuar të keqen. Tjera, është se ka krijuar situatën e pashpresë ekonomike, papunësia, mosperspektiva i ka orientuar qytetarët dhe sidomos të rinjtë të marrin një drejtim të tillë. Është një punë komplekse, mirëpo, me një program të përpiktë mund të dilet nga kjo situatë. Ne nuk jemi në fazën e rrezikshmërisë së lartë sa i përket kësaj kategorie, mirëpo, rrezikun e ka pru kjo Qeveri, duke mos ndërmarrë asnjë masë ligjore dhe s’ka pasur përkushtim që të luftohet në fillim apo në parandalim këtë të keqe për Kosovën.

Më Shumë

Një delegacion nga Komuna e Suharekës viziton Senatin Amerikan dhe zhvillon takime të rëndësishme në SHBA

Një delegacion nga Komuna e Suharekës,gjatë qëndrimit të tyre në SHBA,vizitoi Senatin Amerikan dhe zhvilloi një takim me Kongresisten Lisa McLain, e cila njihet...

Muharremaj përkujton Demë Ndrecajn

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sot e ka përkujtuar Demë Ndrecajn, përcjell PrizrenPress. Ai e ka cilësuar Ndrecajn si shembull të përkushtimit për...

Lajmet e Fundit