15.8 C
Prizren
E shtunë, 1 Prill, 2023

Kujtimet e viteve ’79-’81, ditari i Rexhep Qosjes: Çfarë mendoj për shkrimtarët

Rexhep QosjaProfesor Rexhep Qosja ka botuar me “Toenën” vëllimin e tretë të kujtimeve “Dëshmitar në kohë historike 1979-1981. Ditar III”. Ai rrëfen në të, kritikat që i bëheshin në mediat e kohës dhe mendimet e vështrimet për kolegët shkrimtarë. “Gazeta Shqiptare” boton sot, pjesë nga ky ditar.
12.2.1979

Ndiej zbrazëti, të paskaj e të pafund, në shpirt. As s’mund të shkruaj, as s’mund të rri pa shkruar. Leximi dhe shkrimi janë bërë ushqimi dhe kuptimi i jetës sime. Ushqimi dhe kuptimi që më veçojnë, më bëjnë gjithnjë e më të vetmuar. Nuk e di nga duhet, nga është më së miri, t’ia mësyj. Të filloj punën:
në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë si projekt i Institutit Albanologjik, ose vetëm ose në bashkëpunim me disa studiues të tjerë të letërsisë shqipe nga Prishtina dhe, mundësisht, nga Tirana; të filloj punën rreth shkrimit të Historisë së letërsisë shqipe
– Romantizmi, e cila, siç e kam projektuar, do të ketë tri vëllime; të filloj shkrimin e monografisë së madhe për krijimtarinë e

Naim Frashërit;
të filloj shkrimin e romanit të ri, që më nxit, në disapikëpamje, më shumë se tri veprat e tjera, në mënyrë të veçantëmë shumë se projekti i parë. Këtij romani ia kam caktuar edhe titullin: do të quhet Tre inkuizitorët dhe do të ketë tri vëllime.
Në vëllimin e parë do të trajtohet jeta dhe veprimtaria, jeta,dashuria dhe urrejtja, e inkuizitorit fetar.Në vëllimin e dytë do të trajtohet jeta dhe veprimtaria, jeta,dashuria dhe urrejtja, e inkuizitorit politik.
Në vëllimin e tretë do të trajtohet jeta dhe veprimtaria, jeta,dashuria dhe urrejtja, e inkuizitorit intelektual.

Ky do të ishte një roman i madh, ndoshta me rreth 1200 faqe për fatin ekzistencial dhe historik të popullit shqiptar prej Mesjetës e deri sot, deri në Komunizëm.

Domethënia e tij e përgjithshme, universale, do të ishte e përmbajtur në të dhënat, kryesisht, kombëtare dhe, pjesërisht, perëndimore e lindore për fatin ekzistencial dhe historik të shqiptarëve. Ky do të ishte roman sintezë e fatit, në të vërtetë e fatkeqësive që historinë shqiptare e kanë sjellë aty ku është sot. Roman – analizë dhe roman – sintezë. Roman me të dhëna të komentuara në stilin e romanit të Stendalit; roman – lumë, në stilin e romanit të Marsel Prustit; roman me monologë – në stilin e Ulisit të Xhems Xhojsit; roman me intertekst të mjaftueshëm – në stilin e romanit postmodern.

Që të tre inkuizitorët – inkuizitori fetar, inkuizitori politik dhe inkuizitori intelektual, do të tregohen çka janë, do të tregohen se janë inkuizitorë nëpër veprime sendësore të dhunshme, kurse ndonjëri prej tyre, si, fjala vjen, inkuizitori fetar dhe inkuizitori politik dhe nëpër mendime fetare – i pari dhe ideologjike e politike – i dyti. Përmes njërit prej tyre do të shprehet patologjia e ndjekjes së shtrigave e shtrigjve, si në Evropë në Mesjetë dhe një kohë pas Mesjetës; përmes tjetrit prej tyre do të shprehet patologjia e gjakmarrjes e bërë e ligjshme edhe në Kanunin e Lekë Dukagjinit; përmes të tretit do të shprehet patologjia e përndjekjeve dhe torturave psikologjike.

Po ta realizoj siç e paramendoj, po ta realizoj me kuptimin që ia paramendoj sot, po ta realizoj me vlerën përkatëse artistike, kjo vepër do të ketë jo vetëm domethënie, por edhe receptim më të gjerë, dhe do të ketë edhe receptim më të gjerë për shkak se do të përmbajë të dhëna dhe aluzione politike, ideologjike, fetare të djeshme dhe të sotme për disa popuj dhe shtete, kryesisht për Bizantin dhe bizantinët, për serbët dhe për Serbinë, për turqit dhe për Turqinë, për grekët dhe për Greqinë, për italianët dhe për Italinë, për malazeztë dhe Malin e Zi dhe, më në fund, për Jugosllavinë e sotme dhe për Shqipërinë. Do të vë paralele historike dhe të përtashme ndërmjet inkuizicionit mesjetar dhe përndjekjeve e dhunave të sotme ideologjike e politike; ndërmjet inkuizicionit mesjetar dhe gjakmarrjes; ndërmjet inkuizicionit dhe gjenocideve të projektuara a të realizuara ndaj popullit shqiptar.

Tre inkuizitorët do t’i paraqes në takime, në pajtime, në mospajtime.
Tre inkuizitorët do t’i paraqes me ithtarë e me kundërshtarë, me miq e me armiq. Patologjisë ballkanike do t’ia gjej frymëzimin edhe në patologjinë historike evropiane dhe orientale. A do të kem jetë të mjaftueshme ta filloj dhe ta realizoj këtë projekt, përmbajtjen, përbërjen dhe kuptimin e të cilit ende nuk i kam shkoqitur plotësisht. A do të më lejojnë krijimtaria shkencore me të cilin duhet të merrem, doemos, si bashkëpunëtor i lartë shkencor i Institutit Albanologjik dhe të papriturat jetësore, të cilave nuk mund t’u shmanget askush, që ta filloj dhe ta mbaroj këtë projekt jetësor?
14.2.1979
Pos dhuntisë, më së shumti e çmoj te shkrimtarët qëndrueshmërinë. Dhe, e çmoj kaq shumë qëndrueshmërinë, domethënë fuqinë e karakterit të tyre, sepse dhuntia pa qëndrueshmëri të karakterit fare lehtë mund të bastardohet, domethënë të prostituohet qoftë politikisht, qoftë financiarisht. Më së shumti i përbuz te shkrimtari gënjeshtrën dhe mashtrimin. Dhe, i përbuz kaq shumë gënjeshtrën dhe mashtrimin sepse shkrimtari që jeton e ngrihet duke gënjyer e duke mashtruar e zhvlerëson veprën e vet dhe njëkohësisht zhvlerëson mendimin që mund të kenë lexuesit për rolin e shkrimtarëve në jetën shoqërore në tërësi.
16.2.1979
Disa poetë, disa prozatorë, madje edhe disa kritikë janë turrur që të jenë sa më të paqartë – sa më të paqartë në veçanti dhe sa më të paqartë në përgjithësi. Paqartësinë që, kur shkruajnë për të, kur e lavdërojnë, e quajnë hermetizëm, dhe pa një pa dy e konsiderojnë vlerë të saj, vlerë jo vetëm të poezisë, por edhe të prozës e të kritikës, vlerë të cilën, thonë, nuk janë në gjendje ta kuptojnë, prandaj, as ta mirëpranojnë ata që nuk e njohin krijimtarinë artistike moderne dhe kritikën e saj!

Mendjelehtësi provinciale!
Janë turrur kështu qoftë edhe pse nuk iu shkon mendja të bëjnë dallimin ndërmjet thellësisë, hermetizmit, që vjen nga thellësia dhe paqartësisë, hermetizmit, që vjen nga mosdija. Filozofi i njohur francez, Mishel Fuko, thotë në një bisedë që, të përkthyer, e lexova sot: “Dëshiroj të jem i qartë edhe kur trajtoj temat më serioze dhe dëshiroj të jem i qartë sepse besoj se paqartësia është rroba e pushtetit. Çdo paqartësi përmban një shantazh: meqenëse nuk kupton pranoje more taravol! Nuk flas për poezinë, flas për romancierët, për ata që shkruajnë për gjësendet. Këtu paqartësia më duket absolutisht e palejueshme, sepse ajo është e papërshtatshme në një mënyrë të dyfishtë: së pari, ajo i shkakton autorit shumë, shumë gazep dhe, së dyti, autorin e ekspozon plotësisht. Ashtu autori ekspozohet e, prapë, nuk është i mbrojtur prej leximit të gabuar. Sa më i paqartë të jetë një tekst, aq më tepër do të mundohen kritikët: e para, që të lënë përshtypjen se e kanë kuptuar dhe, e dyta, që t’i bëjnë tekstit komplimentet më të mëdha dhe, mandej, ta lëshojnë në duart e fatit. Në anën tjetër, kur shkruani qartë, mund të them se ndaj lexuesit jeni në pozitën që mund të quhet se është e pastër, e qartë, e ndershme.
Ndaj kritikut, ndërkaq, ashtu jeni në një pozitë të cilën ai nuk e duron. Dhe, nuk e duron sepse çka i lini në një rast të këtillë si mundësi? Asgjë! Madje as aq sa të mund t’i thotë vetes: sa jam i mençur që e kam kuptuar!” Mençur. Bukur. Me sharmin filozofik dhe letrar karakteristik francez.
22.2.1979

Migjeni dallon prej të gjithë shkrimtarëve tanë të tjerë. Dhe, dallon jo pse trajton temat e dhembshme shoqërore, jo pse trajtimin e këtyre temave e shoqëron me ndërhyrjen e tij shpirtërore, ndjenjore në to, por pse shkruan menjëherë posa i vjen të shkruajë: në atë çast, në atë gjendje të tendosjes më të fuqishme mendore dhe ndjenjore. Migjeni nuk e thërret në ndihmë kujtesën; Migjenit nuk i hyn në punë kujtesa për ato që do të shkruajë; jo; Migjeni nuk thërret, nuk pret; jo; Migjeni është, është i tillë çfarë është, në çastin përkatës. Për këtë arsye si poezia ashtu edhe proza e Migjenit përjetohen si jashtëzakonisht të sinqerta, vetëm si të sinqerta, kurse ai, vetë, si shkrimtar i natyrshëm, i thjeshtë, si shkrimtar që shkruan pse në shkrim do të jetë i tëri, pse nuk mund të mos shkruajë, pse shkrimi është jo shprehja po vetë thelbi i tij.
26.2.1979

Shpesh herë kam menduar se vëllezërit tanë në Shqipërinë shtetërore përdorin një fjalor pakrahasueshëm të vrazhdë politik dhe diplomatik kurdo flasin për vende që kanë rende të tjera politiko-shoqërore dhe për politika e ideologji që ndryshojnë thelbësisht prej politikës dhe ideologjisë së tyre. Tani kam filluar të kuptoj se ky fjalor nuk është vetëm i shqiptarëve ose, e thënë më drejt e më qartë, nuk është i tillë sepse është fjalor I shqiptarëve, por është i tillë sepse është fjalor i ideologjisë dhe i politikës staliniste, i krijuar në këtë ideologji e në këtë politikë e, mandej, i përvetësuar prej të gjithë atyre që e kanë pranuar këtë ideologji dhe këtë politikë. Po shihet se vendet socialiste, me sjelljet politike, me luftërat e ndërsjella, me ndërhyrjet e vendeve të mëdha socialiste në zhvillimet e vendeve më të vogla, me fjalorin e egër politik, me shumëfytyrësinë ideologjike dhe politike, po tregojnë çka në të vërtetë edhe janë: të prapambetura jo vetëm me zhvillimin ekonomik po edhe me zhvillimin kulturor.
Demokracia dhe socializmi i tipit leninist-stalinist, po shihet, nuk rrinë bashkë mësa Zoti dhe djalli. Të ashtuquajturat nocione socialiste siç janë vetëqeverisja socialiste, solidarësia, internacionalizmi, vëllazëria, bashkëpunimi i të barabartëve, barazia e të tjera të ngjashme janë vetëm nocione mashtruese, që më nuk mund të mashtrojnë askënd, madje, as analfabetët politikë.
19.2.1979

Më 17 shkurt vdiq Jakov Xoxa.
Kishte pamje jashtëzakonisht të shëndetshme, por nën atë pamje aq të shëndetshme qenka fshehur vdekja, dinake, e parakohshme.
Vdekja e tij më ka sjellë pikëllim të madh; dhe vazhdon të më mbajë të pikëlluar. Sa i padrejtë mund të jetë fati i njeriut! Vdesin të mirë e vazhdojnë të jetojnë të këqij. Çfarë padrejtësie natyrore! Ia dërgova një telegram ngushëllimi Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, por kjo më duket e pamjaftueshme: ndiej nevojë të shkruaj një nekrolog për të në shtypin e Prishtinës. Por, ku do ta botoj? Do të duhej ta botoja në gazetën e përditshme, Rilindja, por si ta botoj në Rilindjen kur ajo vazhdon të shkruajë kundër meje qoftë si zëdhënëse e Lidhjes Socialiste të Popullit Punues, qoftë si zëdhënëse e Lidhjes Komuniste të Kosovës, në të vërtetë të Serbisë, në të vërtetë të Jugosllavisë! Pse shkruan kundër meje nuk ka gajle: të jesh kritik e të mos jesh i sulmuar prej kritikëve të anës tjetër është e pamundshme.
Por pse shkruan kundër meje duke u përpjekur të më zhvlerësojë moralisht dhe të më denoncojë politikisht e kjo nuk është pa gajle!

Jakov Xoxën e kam takuar gjatë qëndrimit tim të dytë në Tiranë. Më 1971, në muajin maj. Ishte i shëndoshë, i rrastë në trup, i kuq në fytyrë, jashtëzakonisht gjallërues me gjestet që bënte dhe me të folurit. Të linte përshtypjen e njeriut të shëndoshë e të fortë. Studimi im, apo të jem më modest e të them, trajtesa ime për romanin e tij Lumi i vdekur i kishte bërë shumë përshtypje dhe, me këtë përshtypje të pazbehur kishte ardhur të më takonte dhe të më thoshte disa fjalë uruese për krijimtarinë kritike dhe historiko-letrare. Sado jo aq pak vjet – trembëdhjetë vjet më i moshuar se unë, nuk ngurronte të tregohej modest dhe të më shprehte njohje e urime të cilat, sigurisht, ende nuk i meritoja. Me atë rast ai më kishte sjellë edhe një ekzemplar të Lumit të vdekur. Përkushtimi i shkruar në faqen e parë pas ballinës është njëri prej përkushtimeve më të bukura, më të kuptimshme dhe për mua më të dashura që më ka shkruar deri sot ndonjë shkrimtar a studiues në librin e dhuruar.

Mjerisht, këtë ekzemplar të Lumit të vdekur nuk e kam më dhe nuk e kam më sepse ia kisha dhënë Esad Mekulit që ta përkthente në gjuhën serbokroate për botim në një shtëpi botuese në Zagreb, me të cilën kishte bërë bisedë. Jakov Xoxën do ta shoh edhe një herë a dy herë të tjera, por jo aq gjatë sa herën e parë. Më dukej disi i vetmuar, disi i padisponuar, ndoshta pse ishte i mënjanuar, atëherë nuk mund ta dija për çfarë arsyesh, prej qendrës së interesimeve ku, varësisht prej dhuntisë krijuese dhe virtyteve morale, do të duhej ta kishte vendin. Ishte e qartë: Jakov Xoxa ishte i pakënaqur, si pedagog universiteti dhe si shkrimtar me dhunti të madhe dhe me vepra të rëndësishme: ishte i pakënaqur me trajtimin që i bëhej. Ashtu e shihja, ashtu e lexoja, por ai ishte krijues jashtëzakonisht i dinjitetshëm që nuk pranonte të ankohej. Vdekja e tij është një humbje e madhe për letërsinë shqipe; dhe për gjuhën shqipe. Gjuha e tij me, si do të më thotë me një rast Androkli Kostallari, mbi njëmbëdhjetë mijë fjalë të përdorura në romanet dhe në tregimet, është pasuri e madhe për studiuesit e saj. Kjo gjuhë, sigurt, do të studiohet një ditë prej gjuhëtarëve, prej dialektologëve, stilistëve dhe historianëve të gjuhës e të letërsisë shqipe.

Ishte në moshën më të mire krijuese për një romancier. Fuqia e tij krijuese, mjerisht, nuk ka mundur të shprehet plotësisht, madje, as përafërsisht, si as fuqia krijuese e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë në kushtet e normativizmit jashtëzakonisht të skajshëm, të pagëzuar realizëm socialist, që lirinë e krijimtarisë e ngushton më gjithanshëm se asnjë normativizëm i njohur deri sot në historinë e letërsisë evropiane. Vdekja nuk merr pjesë në kurrfarë zgjedhjesh! Ajo e merr pushtetin pa to – pa zgjedhje. Dhe, çfarë pushteti se? Pushtet të sundimtares më të pamëshirshme, që nuk pyet për moshë, për gjini, për vlerë, për rëndësi, për histori. Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë, Jakov Xoxa.
28.2.1979

Të shqetëson vdekja! Shumë! Më shumë se ç’është e lejueshme të tregohet. Do të doje ta zëvendësoje fjalën shqetësim me fjalën frikë, por të vjen inat: secili prej atyre që do ta shihte këtë frikë do të pyeste veten apo, ndoshta, do të të pyeste edhe ty: çfarë burri je ti? Të gjithë do të vdesim një ditë. As fjalia e filozofit të madh, Imanuel Kantit, fjalia më ngushëlluese që një mendjelartë deri sot ka shqiptuar për vdekjen, nuk të ka ngushëlluar! E ke harruar këtë fjali apo ia përsërit vetvetes ndonjëherë? Në qoftë se e ke harruar lexoje edhe një herë, por kësaj here të shkruar me dorën tënde: Sa më i parëndësishëm të jetë një njeri aq më shumë i frikësohet vdekjes. Mendo për veten tani, pasi e lexove edhe njëherë këtë fjali: je i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, sadopak i rëndësishëm apo je njeri pa kurrfarë rëndësie: njeri që vetëm ha bukë, pi ujë, thith ajër dhe, shikon të bësh sa më shumë qejfe, pa pranuar obligime, në tokën nëpër të cilën shkel!
5.3.1979

Nuk më kujtohet se ku e kam lexuar, ndoshta në monografinë e madhe të Isak Doiçerit për Trockin, ndoshta në monografinë e tij tjetër, po ashtu të madhe, për Stalinin, ndoshta në monografinë e studiuesit slloven, a francez, a italian a çka ishte ai, nuk po më kujtohet, po ashtu për Stalinin, këtë mendim që është plotësisht i qartë sado për ata që e lexojnë vetëm fjalëpërfjalshëm mund të lejojë edhe keqkuptime: pushteti që nuk përdor dhunën harrohetshpejt! Kështu harrohen shpejt edhe njerëzit jashtë masës të butë: të gjithë i duan, në të vërtetë I ankojnë, por vetëm të paktit mund t’i çmojnë!

Është e pamundshme që Isak Doiçeri apo studiuesi tjetër i Stalinit, emri i të cilit nuk po më kujtohet, të na bëjnë të çmojmë e të duam pushtetet e dhunshme, të çmojmë e të duam tiranitë, despotitë, diktaturat e llojeve të ndryshme duke filluar prej asaj të Napoleonit e deri te këto të Stalinit, të Maos, të Titos, të Enverit, të Kastros e të diktatorëve të tjerë më të vegjël në Evropë, në Azi, në Afrikë, në Amerikën Latine, në vende komuniste dhe jokomuniste.
Isak Doiçeri dhe studiuesi, emri i të cilit nuk po më kujtohet, sikur duan të na e mbushin mendjen, ndërkaq, se pushtet të pa aspak dhunë, se shtet të pa aspak dhunë është e pamundshme të ketë; por, disa shtete e pushtete e kanë dhunën më të madhe e disa më të vogël, disa më të përgjithshme e disa më të veçantë, disa të mbështetur në parime e në metoda e disa në Kushtetuta e në ligje, disa në politikë e disa në ideologji e në politikë; disa shtete e pushtete e ushtrojnë dhunën duke e mohuar Zotin – siç e mohojnë pushtetarët komunistë e disa duke u thirrur në Zotin – siç kanë bërë shumë tiranë, despotë e diktatorë gjatë shekujve të shkuar e siç bëjnë shumë tiranë, despotë e diktatorë edhe sot.

Megjithëse ka dallime kur më të vogla e kur më të mëdha prej një shteti te tjetri, prej një pushteti te tjetri në shkallën dhe në mënyrat e përdorimit të dhunës, prandaj edhe në kujtesën historike për to, sipas të gjitha gjasave më të kujtuarat, më të paharruarat bëhen shtetet dhe pushtetet që dhunën e ushtrojnë me metoda të përpunuara dhe në vazhdimësi dhe e kurorëzojnë me përndjekje, vuajtje, burgosje e gjakderdhje individuale e ndonjëherë edhe më të përgjithshme. Kur vriten mija e mija njerëz – kjo quhet luftë; kur torturohen dhe masakrohen individë ose grupe vetjesh – kjo quhet dhunë e pushtetit.

Ne, shqiptarët, sipas të gjitha gjasave, më shumë kemi vuajtur prej dhunës që shkaktojnë pushtetet në kohë të paqes, qoftë pushtetet e pushtuesve, qoftë pushtetet e tanëve, shqiptarëve, sesa prej dhunës së luftërave. Mund të thuhet kështu, në radhë të parë, për arsye se dhuna e ushtruar prej pushteteve të pushtuesve dhe prej pushteteve të tanëve kanë zgjatur shumë, shumë më tepër sesa dhuna e kohëve të luftërave. Po ta studiojmë kujdesshëm, drejt, objektivisht dhunën pushtetore në të shkuarën dhe dhunën pushtetore në të sotmen besoj se mund të nxirret një përfundim i qëndrueshëm: pushteti më i dhunshëm që ushtrohet mbi shqiptarët në Ballkan, në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Jugosllavi në përgjithësi dhe në Greqi është pushteti i sotëm. Ky pushtet i dhunshëm po zgjat shumë dhe është shumëllojshëm i dhunshëm. Sot shqiptarët, kudo janë në Ballkan, edhe i janë nënshtruar dhunës e terrorit shtetëror, edhe nuk guxojnë të ankohen. Dhe, këtë lloj të dhunës pushtetore në mënyrë të veçantë e ka përsosur ideologjia dhe politika staliniste, qoftë kur pranon se është staliniste – si në Shqipërinë shtetërore, qoftë kur thotë se nuk është staliniste, po vetëqeverisëse – si në Jugosllavi.

Vuajtja.
Ç’është në thelb vuajtja? Dhembja trupore dhe ajo shpirtërore që ndiejmë? Dakord. Por, dhembja është edhe diçka më shumë, diçka, që, po të mos ishte, do të bëhej më keq: është një, si të thuhet, katalizator i ideve dhe i ndjenjave për shkak të të cilave mund të na përndjekë ky apo ai pushtet, ky apo ai njeri, kjo apo ajo bagëti njerëzore!
6.3.1979

Në këtë botë jetojnë sa të duash njerëz që mohojnë jo pse e dinë të vërtetën, por për shkak se atë që e mohojnë nuk kanë zemër, as karakter, domethënë as moral që ta pohojnë. Në këtë botë jetojnë sa të duash edhe njerëz që pohojnë çka nuk është edhe kur të vërtetën e kanë afër në anën e kundërt jo pse të vërtetën nuk e shohin, por pse nuk kanë karakter, domethënë nuk kanë fuqi morale që të vërtetën ta thonë. Sot është shtuar shumë numri i njerëzve të këtillë si te ne, si në vendet komuniste në përgjithësi, por edhe në shumë vende të tjera demokratike, në radhë të parë, për arsye se pushtetet i disponojnë mjetet me të cilat arrijnë të vënë pushtet mbi të vërtetën. Vetëm mbi gënjeshtrat nuk mund të vihet kurrë pushtet.
7.3.1979

Është servil fare origjinal: edhe si servil përpiqet të tregojë dinjitet intelektual. Herë ka e herë nuk ka sukses në këtë përpjekje të tij servile: ka sukses para atyre të cilëve nuk u ka takuar të rrinë e të bisedojnë pak si më gjatë me të dhe nuk ka sukses para atyre të cilëve u ka takuar ta shohin e ta dëgjojnë më shpesh. Nuk duhet kurrfarë mundi që t’ia kuptosh servilizmin: e tregon me gjuhën e me sjelljet, por në mënyrë të veçantë me shkrimet në të cilat shfaq mendimet e tij “të çmuara” për politikën, ideologjinë, rendin politik shoqëror, kushtetutarjuridik dhe, më në fund, për organet partiake dhe udhëheqjet e tyre të larta. Lum për popullin që e ka! Me shembullin e tij e edukon këtë popull si duhet të sillet në robëri dhe në liri! Robërueshëm!
24.3.1979

Edhe një sulm ndaj meje! Në Rilindjen e sotme është botuar një artikull i cili jo vetëm me përmbajtjen, jo vetëm me rrenat që sjell, por edhe me titullin Fakt i vetëdijes dhe i pjekurisë sonë intelektuale synon zhvlerësimin jo vetëm të shkrimeve të mia kritike për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore, por edhe të punës sime historiko-letrare! Në qoftë se në shkrimin e kaluar i është turrur, symbyllur, trajtesës sime për periodizimin e letërsisë shqipe, tani autori i tij i është turrur kompletit të veprave të Naim Frashërit, që kam përgatitur unë dhe kompleteve të veprave të Sami Frashërit dhe të Lasgush Poradecit, që kanë përgatitur dy autorë të tjerë. Kompletit të veprave të Naim Frashërit, që kam përgatitur unë i është turrur duke e mohuar, kurse dy kompleteve të tjera u është turrur duke i lavdëruar. Nuk e di apo nuk do ta dijë ai se edhe botimin e kompletit të veprave të Sami Frashërit e kam bërë të mundshëm unë: të gjitha veprat që kanë hyrë në këtë komplet ia kam dhënë unë autorit që i ka përgatitur. Ai vetëm sa ka vënë nënshkrimin.

Pse i është turrur kështu kompletit të veprave të Naim Frashërit, që kam përgatitur unë, nuk është arsyeja që këtë shkrim ta quaj sulm, sulm diskreditues: arsyeja janë të pavërtetat, gënjeshtrat e shumta që thotë në këtë shkrim.

Me këtë shkrim numri i artikujve me të cilët tani e sa kohë më sulmojnë pjesëtarët e klanit të Rilindjes i afrohet numrit 20, natyrisht me tre artikujt që, ata, autorët, mund ta dinë përse, i kanë tërhequr prej botimit mbasi i kanë dorëzuar në Redaksinë e gazetës dhe me atë artikullin që e ka tërhequr prej shtypit drejtori i Rilindjes me qëllim që të më kursejë prej pasojave politike që do të mund të më shkaktonte ai! Prej këtyre shkrimeve mund të kem pasoja, por prej këtyre shkrimeve, çuditërisht, mund të kem edhe dobi.

Pasojat: mund të bëjnë që njerëzit, lexuesit, të mendojnë për mua jo në bazë të veprave të mia, por në bazë të këtyre shkrimeve; mund të bëjnë që dyshimet politike ndaj meje të shtohen dhe me shtimin e dyshimeve politike të shtohen edhe vëzhgimet e UDB-së, që tani vepron me emër tjetër!

Dobitë: mund të bëjnë edhe më shumë se ç’kanë bërë deri tani për mua duke më bërë më të njohur e më të çmuar prej lexuesve që letërsinë dhe kulturën shqiptare i përjetojnë dhe i trajtojnë si letërsi dhe kulturë të njësuar, gjithëkombëtare e jo si letërsi dhe kulturë e ndarë në të Shqipërisë dhe në të Kosovës! Duke e lexuar shkrimin e sotëm të Rilindjes kundër meje m’u kujtua shkrimtari i lavdishëm francez, Adre Zhidi, i cili shkruan: “Krijuesi i talentuar ka më tepër rrezik prej lavdërimeve sesa prej sulmeve”. Urdhëroni, prandaj, kolegë e shkruani sa më shumë kundër meje. Ndoshta do të më frymëzoni që të mbrohem një ditë me
libër prej këtyre sulmeve.
25.3.1979
Të shkruash dobët, thotë shkrimtari i lavdishëm, por tragjik italian, Çezare Paveze, do të thotë të përdorësh fjali dhe fjalë të rrejshme dhe hipokrite. Balbo dhe Ptizhani nuk shkruajnë dobët, por prishtë. Këta që tani e sa kohë po shkruajnë kundër meje shkruajnë edhe prishtë, edhe dobët. Megjithatë, nuk po më duket e mundshme dhe nuk po më duket e mundshme sepse nuk po më duket e arsyeshme që, më në fund, të mos u përgjigjem këtyre shkrimeve. Kot i uroj të vazhdojnë të më sulmojnë: ata po i vazhdojnë sulmet edhe pa urimin tim!

Më Shumë

Pas fitores së tij në Big Brother VIP Kosova, Stresi edhe nga koncertet bën thirrje që të përkrahet Luizi

Pak ditë më parë ka mbaruar edicioni i parë i Big Brother VIP Kosova, ku fitues u shpall Arkimed Lushaj – Stresi. Ai qëndroi plot...

Grabitje, armëmbajtje e asgjësim i pasurisë, Prokuroria në Prizren ngrit aktakuzë kundër katër personave

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve L.L, A.A, E.G, dhe E.Sh për shkak të dyshimit...

Enigmë

Lajmet e Fundit