16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Kur gënjejmë jemi ne, apo ”telefoni”?

Teknologjia po u ofron njerëzve më shumë mënyra për t’u lidhur, por njëherazi mos u ka ofruar edhe më shumë mundësi për të gënjyer?

Për t’u larguar nga darka i dërgojmë shokut një mesazh me një gënjeshtër të bardhë, e ekzagjerojmë pak aparencën në një profil takimesh për t’u dukur më tërheqës ose sajojmë ndonjë justifikim në e-mail për shefin që të mos bëjmë figurë të keqe. Psikologët socialë dhe studiuesit e komunikimit prej kohësh shtrojnë pyetjen jo vetëm se kush gënjen më shumë, por kur priren personat të gënjejnë më shumë: kur janë ballë pë ballë, apo me anë të ndonjë mjeti komunikimi. Një studim i vitit 2004 ishte ndër të parët që hetoi lidhjen midis shkallës së mashtrimit dhe teknologjisë. Prej atëherë, mënyrat e komunikimit kanë ndryshuar: më pak telefonata, më shumë mesazhe në rrjetet sociale.

Lidhja midis mashtrimit dhe teknologjisë

Në vitin 2004, studiuesi Jeff Hancock me kolegët u kërkuan 28 studentëve të raportonin numrin e ndërveprimeve sociale që kishin përmes komunikimit ballë për ballë, telefonit, mesazheve të çastit dhe e-mailit, gjatë shtatë ditëve. Studentët raportuan edhe sa herë gënjenin në çdo ndërveprim shoqëror. Rezultatet treguan se njerëzit thoshin më shumë gënjeshtra gjatë ndërveprimit social në telefon. Më pak thuheshin me e-mail. Gjetjet u përafruan me një kornizë, që Hancock e quajti “modeli i bazuar në veçori”. Sipas këtij modeli, aspektet specifike të teknologjisë, nëse njerëzit mund të komunikojnë pa problem para dhe pas, nëse mesazhet janë të shpejta dhe nëse komunikuesit janë në distancë, parashikojnë se kur priren të gënjejnë më shumë njerëzit. Në studimin nga Hancock, më së shumti gënjeshtra për ndërveprim social ka ndodhur nëpërmjet teknologjisë, me të gjitha këto karakteristika: telefonit. Më të paktat ndodhën në e-mail, ku njerëzit nuk mund të komunikonin në sinkron dhe mesazhet regjistroheshin.

Kur u krye studimi i Hancock, vetëm studentët e disa universiteteve të përzgjedhura mund të krijonin një llogari në ”Facebook;;. IPhone ishte në fazat e para të zhvillimit, një projekt shumë konfidencial i quajtur “Project Purple”. Si do të dukeshin rezultatet, gati 20 vjet më vonë?

Në një studim të ri, u rekrutua një grup më i madh pjesëmarrësish dhe u studiuan ndërveprimet në një larmi formash teknologjike. 250 persona regjistruan ndërveprimet sociale dhe numrin e ndërveprimeve me një gënjeshtër gjatë shtatë ditëve, përmes komunikimit ballë për ballë, mediave sociale, telefonit, mesazheve, video chat-it dhe e-mailit. Njëlloj si në studimin e Hancock-ut, njerëzit thanë më së shumti gënjeshtra për ndërveprim social përmes rrjeteve që ishin sinkrone dhe pa regjistrim dhe kur komunikuesit ishin në distancë: përmes telefonit ose në bisedë me video. Më pak gënjeshtra u thanë në ndërveprim social përmes e-mailit. Megjithatë, është interesante, se në të gjitha format e komunikimit dallimet ishin të vogla. Dallimet midis pjesëmarrësve: sa ndryshonin njerëzit në prirjen për të gënjyer, ishin më shumë parashikuese për standardet e mashtrimit, sesa dallimet midis rrjeteve. Pavarësisht ndryshimeve sesi ka evoluar komunikimi gjatë dy dekadave të fundit, tok me mënyrat sesi pandemia ndryshoi mënyrën e socializimit, njerëzit duket se gënjejnë sistematikisht dhe në përputhje me modelin e bazuar në veçori. Ekzistojnë shpjegime të mundshme për këto rezultate, megjithëse nuk dihet saktë përse rrjete të ndryshme shpien në ritme të ndryshme të gënjeshtrës. Sipas gjasës, disa rrjete janë më të mira për të mashtruar. Media si telefoni, biseda me video, e bëjnë mashtrimin të duket më i lehtë ose më pak i kushtueshëm për një marrëdhënie shoqërore, nëse kapet. Edhe shkalla e mashtrimit mund të ndryshojnë në teknologji, sepse njerëzit përdorin disa forma të teknologjisë për marrëdhënie të caktuara shoqërore. Për shembull, njerëzit mund t’u dërgojnë e-mail vetëm kolegëve profesionistë, ndërsa biseda me video mund të jetë një përshtatje më e mirë për marrëdhënie më personale.

Teknologjia është keqkuptuar në dy pika kryesore.

Së pari, në përgjithësi ekzistojnë dallime të lehta në shkallën e gënjeshtrës nëpër rrjete. Tendenca e një individi për të gënjyer ka më shumë rëndësi, sesa nëse dikush po dërgon e-mail ose po flet në telefon.

Së dyti, ka një shkallë të ulët të gënjeshtrave në të gjithë fushën. Shumica e njerëzve janë të ndershëm, një premisë në përputhje me teorinë e paracaktuar të së vërtetës, çfarë dëshmon se shumica janë të sinqertë pjesën dërrmuese të kohës dhe se, në të vërtetë, vetëm disa janë gënjeshtarë të thekur.  

Prej vitit 2004, mediet sociale janë bërë mjeti kryesor bashkëveprues.

Megjithatë, vijon keqperceptimi se komunikimi në internet ose nëpërmjet teknologjisë, në dallim nga komunikimi ballë për ballë, çon në ndërveprime sociale që janë më të dobëta në sasi dhe cilësi. Shpesh njerëzit besojnë, se vetëm ngaqë përdorim teknologjinë për të ndërvepruar, ndershmëria është vështirë për t’u arritur dhe përdoruesit nuk e shfaqin siç duhet.

Jo vetëm që ky perceptim është i gabuar, por është edhe i pambështetur nga provat empirike. Besimi se gënjeshtra është e shfrenuar në epokën digjitale, thjesht, nuk përputhet me të dhënat./Konica.al

Më Shumë

Lajmet e Fundit