9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Kurti: Në 2021-ën u arrestuan 353 persona për trafikim me njerëz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për më shumë punë me qëllim të luftimit, parandalimit e në veçanti mbrojtjes së viktimave të trafikimit me qenie njerëzore.

Këtë e bëri të ditur në shënimin e Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, ku theksoi se vetëm këtë vit në Kosovë janë shënuar 15 viktima të trafikimit, 14 prej të cilave janë vajza, ku 11 janë të mitura.

Sipas tij, 11 nga viktimat janë shfrytëzuar për prostitucion të detyruar, tre për punë të detyruar e një për kërkim-lëmosh.

“Si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë. Prandaj luftimi i këtij krimi është urgjent e i domosdoshëm. Eliminimi është i vështirë por angazhimi i qeverisë është që të bëjë përpjekje maksimale në plotësimin e standardeve që kërkohen në fushën e luftimit të trafikimi me qenie njerëzore”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se viktimat e trafikimit me njerëz janë vendase e të huaja, ku siç tha, trafikohen me premtime për martesë e punësim si valltare e këngëtare dhe i detyrojnë ato për trafikim seksual në shtëpi, klube nate e sallone masazhi.

“Detyrë e jona si qeveri mbetet luftimi e adresimi i arsyeve kryesore të trafikimit, siç janë varfëria, zhvillimi i dobët ekonomik, niveli i ulët i edukimit e vetëdijes. Për këtë, si qeveri kemi plane konkrete për investime në ekonomi e në edukim, por edhe mbrojtje e siguri për të gjithë e në veçanti për grupet më të cenueshme”, është shprehur Kurti.

Kurti tha se që nga viti 2021 në lidhje me këto veprimtari të kundërligjshme janë arrestuar 353 persona.

“Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse, për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë”, është shprehur Kurti.

Më Shumë

Në Prizren janë regjistruar 33,756 qytetarë

Në Prizren, procesi i regjistrimit të popullsisë është në rrugën e duhur, me 33,756 qytetarë të regjistruar deri më tani. Koordinatori i komisionit komunal, Haxhi...

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2038 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit