3.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Kurti paralajmëron Vuçiqin: Lufta kundër terrorit sponzoruar nga Serbia vazhdon, do përfundojë doemos me fitoren e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka paralajmëruar Serbinë e Aleksandar Vuçiqit se lufta e krimit dhe terrorit të sponzorizuar nga Beogradi zyrtar, do vazhdojë dhe do përfundojë padyshim me fitoren e Republikës së Kosovës.

Këtë koment, Kurti e dha sot para të pranishmëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa foli për sulmin terrorist kriminal që ngjau më 24 shtator në Banjskë, ku u vra heroikisht, polici Afrim Bunjaku, transmeton klankosova.tv.

”Lufta kundër krimit e terrorit të sponzoruar nga Serbia vazhdon dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, vlerave dhe interesave të saj, të qytetarëve të saj të të gjitha komuniteteve pa dallim”.

Ai mes tjerash u shpreh se i gjithë armatimi i konfiskuar, ishte arsenal armësh i prodhuar nga Serbia, ndaj dhe përgjegjësia e saj është e pashmangshme madje siç përmendi edhe për ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë.

”Pra, i gjithë ky armatim i konfiskuar, është prodhim i Serbisë, erdhi nga Serbia dhe ishte armatim aq i madh për nga lloji dhe sasia për një ushtri të tërë. Prandaj, fajësimi i Serbisë është i paevitueshëm dhe i pashmangshëm madje edhe për ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë”.

Sipas Kurtit, ajo nuk ishte vetëm një bandë e thjeshtë, por grup profesioniste me trajnime luftarake nga shteti serb.

”Bëhet fjalë për një bandë kriminale dhe terroriste e cila nuk ishte bandë e kontrabandës dhe as qytetarë që kanë kapur armët, por profesionistë me trajnime luftarake me së paku me lloje të armatimeve që origjinën e kanë nga Serbia. Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake dhe gjithashtu qëllimet politike e mbështetjen logjistike.

Kurti u shpreh tutje se e gjithë kjo nuk nisi të dielën që e lëmë pas, transmeton klankosova.tv.

”Ne të gjithë e dimë së bashku se kjo nuk ka filluar të dielën e 24 shtatorit. Në Leposaviq na i rrëmbyen tre policë më 14 qershor. Kemi konfiskuar sasi të madhe të armatimit në Zveçan edhe më 23 qershor në një automjet me targa të Beogradit që ishte pronë e hekurudhave të Serbisë edhe në një shtëpi në Zveçan sërish më 5 shtator”.

”E para kësaj, kishim tri javë të 16 barrikadave në dhjetor të vitit të kaluar, sulme më 26 dhe 29 maj të këtij viti në Zveçan që lanë me dhjetëra ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës, e gazetarë të mediave të plagosur e të lënduar. E gjithë kjo tregon se kishim një kronikë të paralajmëruar të vrasjes së heroit tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator”.

I pari i Qeverisë së Kosovës, u shpreh mirënjohës edhe ndaj shteteve që dënuan ashpër sulmin agresiv serb të 24 shtatorit por edhe mbështetjen që ia ofruan Kosovës.

”Me këtë rast falënderojmë të gjitha shtetet që e dënuan ashpër këtë sulm terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit si pasojë e aktit agresiv të Serbisë dhe për mbështetjen që ato na e kanë dhënë neve”.

”Falënderoj edhe të gjithë qytetarët e Republikës për solidaritetin me Policinë e Kosovës dhe institucionet tona të shtetit. Ju falënderoj edhe juve deputetë të nderuar për kontributin tuaj duke qëndruar pranë qytetarëve dhe me qëndrime të qarta dënuese ndaj Serbisë, në këto momente tejet të vështira por edhe të rëndësishme për Republikën tonë dhe të ardhmen tonë”.

”Ju falënderoj dhe lavdi, Afrim Bunjakut”.

Më Shumë

Moti sot: I vranët dhe me intervale me diell

Sot mbi Kosovë do të mbajë një mot i vranët, por do të ketë edhe intervale me diell.   Temperaturat ditën e diele do të jenë...

Procesohet subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor

Është procesuar subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor, kështu ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati. Murati ka bërë të...

Lajmet e Fundit