2.5 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kurti: Rruga Prizren-Tetovë, projekt rajonal që zhvillon dy vendet

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës që i ka bërë Tetovës, tha zhvillimi ekonomik duhet të jetë edhe zhvillim rural dhe nuk duhet të jetë i rezervuar vetëm për zonat urbane.

Shefi i ekzekutivit kosovar nga fshati Vicë i Tetovës, promovoi idenë e lidhjes së turizmit malor mes Tetovës dhe Prizrenit, përmes rrugës së re. Ai bëri me dije se rruga Prizren-Tetovë është shumë me rëndësi për dy anët e kufirit. Ai tha se ky projekt është rajonal dhe ndihmon në zhvillimin e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

“Unë i falënderoj përzemërsisht banorët e fshatit Vicë për këtë mikpritje kaq të përzemërt, kaq të ngrohtë, për këtë dashamirësi kaq të madhe që e shfaqën me rastin e ardhjes tonë këtu. E falënderoj kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasamin, që na solli në një fshat i cili është ndër më të bukurit që i kam parë në jetën time. Dhe ardhja jonë këtu është edhe mirënjohje për banorët e këtij fshati me rreth 180 shtëpi, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë këtu, të mos e lëshojnë fshatin, por të jenë këtu në vendlindjen e tyre, në vendbanimin e tyre ku jetojnë e ku punojnë”, tha ai.

Sipas tij,  zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i infrastrukturës nuk duhet të jetë i rezervuar për zonat urbane, për qytetet e për qytezat, por duhet të jetë edhe zhvillim rural.

“Këtë e bëjmë në Kosovë, është shumë mirë kur shoh që kjo ndodh edhe në vendin tonë fqinjë, në Maqedoninë e Veriut, në komunën tonë të dashur të Tetovës. E kemi thënë disa herë që në qiell duket se Prizreni dhe Tetova kanë qenë një qytet, por kur i ka sjell zoti në tokë e malet e Sharrit i kanë ndarë, i kanë bërë dy qytete, Prizrenin dhe Tetovën”, tha ai.

Sipas tij, kjo rruga që pamë këtu është rrugë e brendshme e komunës, por ne jemi shumë të interesuar që të ecim sa më shpejtë për lidhjen infrastrukturore të Prizrenit dhe Tetovës, që pra në qiell ishin një qytet e në tokë janë dy, përmes aksit i cili parasheh edhe një tunel.

“Në bazë të llogaritjeve, parallogaritjeve të cilat janë bërë, nuk është një kosto shumë e lartë, është e përballueshme, por kthimi në këtë investim është i jashtëzakonshëm, meqenëse shkurtohet rruga, fitohet koha dhe përfitojnë edhe qytetarët edhe ekonomia”, tha ai.

Duke shtuar se aksi që lidh Prizrenin me Tetovën është marrëveshje midis dy qeverive tona nga mbledhja e përbashkët e nënshkruar nga dy kryeministrat, pra nga unë dhe nga homologu im maqedonas Kovaçevski.

“Andaj, dëshirojmë që ky studim fizibiliteti të pasohet sa më shpejt me punimet dhe me realizimin e këtij projekti madhor, i cili është rajonal dhe ndihmon shumë në zhvillimin e të dyja vendeve tona”, tha ai.

Kurse zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se kjo rrugë është shumë e rëndësishme. Ai tha se variantin që është përzgjedhur është me një tunel mbi 6.4 km. Durmishi tha se rruga Prizren-Tetovë, është e mirëseardhur në dy anët dhe do të jetë një mundësi e mirë për zhvillim të turizmit malor.

Ndërkaq, kryetari i Tetovës Bilall Kasami, tha se rruga duhet të bazohet në punën e dy qeverive. Kasami, tha se është nder për të që bashkë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti të përurojnë një segment të rrugës nga Tetova deri në Vicë, një investim që është i një rëndësie të veçantë për rajonin e Malësisë, por edhe për Komunën e Tetovës, e cila me investime të mëtutjeshme do të angazhohet që të jetë një aks i rëndësishëm edhe i turizmit malor ndërmjet dy shteteve, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

Ai ka falënderuar kryeministrin e Kosovës, ministrat dhe qeverinë për angazhimin e tyre në drejtim të lidhjes së Tetovës me Prizrenin.

Reklamë

RENELUAL TAHIRI prezenton tipet e banesave në kompleksin “Green Avenue” Blloku B !
Për më shumë informata na vizitoni në pikën tonë të shitjes përballw ‘Premium Park Hotel”.
Si dhe mund të na kontaktoni:
+383 44 128 112 ; +383 49 613 613
Kliko videon 
RENELUAL TAHIRI——————————————————————————————————

Më Shumë

Ballkani mbyll vitin me fitore në derbin lokal ndaj Suharekës

Ballkani triumfoi 0:2 në derbin lokal ndaj Suharekës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 18-të të Superligës së Kosovës në futboll. Lindon Emërllahu shënoi...

SHMP “Lasgush Poradeci” shënoi Ditën e Shkollës

Shkolla e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë organizoi sot një manifestim festiv me rastin e Ditës së Shkollës, ku mori pjesë edhe Kryetari...

Lajmet e Fundit