Pardje kanë protestuar nxënësit e shkollës fillore “Zenun Çoçaj” në Gjonaj të Hasit të komunës së Prizrenit, organizuar nga Këshilli i Prindërve. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Sylë Totaj, është shprehur se kjo protestë është bërë për faktin se fëmijët e kanë larg objektin e ri shkollor deri në 6 km shkuarjeardhje. Ai ka thënë se kjo protestë nuk ka të bëjë me politikë dhe as me fushatën, e cila zyrtarisht nis së shpejti, por që në Prizren ka kohë që ka nisur.
Megjithatë, kështu nuk mendon drejtori i shkollës, Latif Çoçaj, i cili është shprehur për “Kosova Sot” se është i sigurt se kjo është një fushatë politike, duke akuzuar Haziz Hodajn, nga LDK-ja, se po e keqpërdor këtë fushatë. “Ai tashmë para dy ditësh ka dalë me listë për deputet dhe menjëherë e ka politizuar një pjesë të fshatit me këto protesta. Ai tash e ka hapur këtë problem, kurse rasti i shkollës është tani tri vjet. Por, kjo ka ndodhur në kohën kur tashmë objekti i ri, me 22 dhoma, është hapur për nxënës”, është shprehur ai.
Çoçaj thotë se kjo shkollë i plotë- son të gjitha kriteret e një shkollë moderne.
“Sa për ilustrim po përmendi një fakt. Para tre vjetësh, për shkak të kushteve jo të mira, pikërisht në ato objektet e vjetra shkollore ku tash po dëshirojnë të vazhdojnë mësimin aty u përhapën sëmundje, të cilat morën përmasa të mëdha. E merre tash me mend ata për politizim nxënësish kërkojnë që aty të vazhdojnë mësimin ata nxënës. Ato objekte s’kanë kushte e as nuk ka pastërti. Prandaj, unë apeloj që sa më parë ata të vijnë në këtë shkollë, por i apeloj Haziz Hodajt që mos të manipulojë politikisht nxënësit ose edhe për shkaqe materiale, ngase atje një vëlla i tij e ka lokalin e nuk do t’i shiten kiflet”, është shprehur ai për “Kosova Sot”.