18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Letër Hashim Thaçit!

ADRIAN ÇOLLAKUShkruan: ADRIAN ÇOLLAKU

I nderuari kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, po të shkruaj si një qytetarë i rëndomtë i Republikës së Kosovës, në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vend.

Veprimi i djeshëm i kryesues së seancës konstituive, Flora Brovina, e cila rastisi që të jetë në atë pozitë për shkak të moshës që ka, ta shtyj seancën pa kurrfarë baze, vërtetë është shqetësues dhe i papranueshëm.
Jo rastësisht t’u drejtova Ty, sepse znj. Brovina këto zvarritje të njëpasnjëshme nuk po i bën vetë, por natyrisht, 100 % nën urdhrat tua dhe këtu s’dyshon askush.

I nderuar, z. Hashim Thaçi, po shihet që pushteti është shumë i ëmbël, dhe po mundohesh me çdo kusht që ta mbash atë, por ke zgjedhur rrugën e gabuar, në kohën e gabuar.
Të jesh i bindur, se edhe sikur Ti të ishe në vend të Flora Brovinës, ta kryesoje seancën nuk do të arrije që në këtë mënyrë ta detyrosh ndonjë parti shqiptare të hynte në bashkëqeverisje me Ju dhe partinë Tuaj. Andaj, mos e maltreto atë të gjorë, dhe mos i maltreto edhe më tutje qytetarët e këtij vendi, duke bërë pengesa në krijimin e institucioneve.

I nderuari Hashim Thaçi, nëse të kujtohet para më shumë se 4 vjetësh kishim së bashku një intervistë, në zyrën Tuaj. Atë botë ndjeheshit njeriu më i fuqishëm i këtij vendi, dhe në stilin e një arroganti të paparë dhe me një logjikë kërcënuese mendoje të më frikësoje që unë dhe e tërë redaksia e Gazetës në atë kohë ku punoja, të mos shkruanim e të mos kritikonim ju dhe qeverisjen Tuaj. Të kujtohet, besoj shumë mirë se si u solle dhe çka të thashë…

Natyrisht se në këtë mision dështuat. Sepse misioni ynë vazhdoj dhe nuk u ndalë asnjëherë në zbulimin e keqqeverisjes së pashoqe të qeverisjes suaj për tërë ato vite.

Megjithatë, nuk dua shumë të merrem me qeverisjen tuaj, se kjo dihet botërisht se si ka qenë, por sot z. Hashim Thaçi po të drejtohem si një qytetarë i rëndomtë se me atë logjikë, se si pate vepruar para 4 vjetësh, vetëm sa do ta dëmtosh edhe më shumë vendin.

Nëse qenka vendimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç po interpretohet nga Ju dha nga njerëzit e partisë suaj, se vetëm Juve ju takon posti i kryetarit të Kuvendit, atëherë të lutem procedoje më shpejt seancën e Kuvendit dhe zgjedhe kryeparlamentarin dhe hapi rrugë krijimit të qeverisë. Sepse, në fund të fundit, qytetarit më shumë i intereson funksionimi i institucioneve, se kush është në krye të tyre.
E dini edhe Ju që problem janë numrat.

Prandaj, edhe këtë shtyrje po e bëni përmes Flora Brovinës se mos rastësisht dikush nga ndërkombëtarët do të ndërhyj ta prish Bllokun. I nderuari z. Hashim Thaçi të jeni të bindur se as Flora Brovina e as ndërkombëtarët me gjasë nuk do të mund t’ua bëjnë numrat. Kanë kaluar tre muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet, dhe kjo u pa se nuk do të keni mundësi që ta bëni për vete asnjë partner shqiptarë për bashkëqeverisje.

I nderuari z. Hashim Thaçi edhe ju e dini shumë mirë se keni provuar në forma të ndryshme që të bindni dikë prej partive shqiptarë që të hyj në koalicion me ju, por s’keni arritur. Besoj se jeni bindur se nuk ka asnjë mënyrë për t’i bërë numrat.
Madje, edhe nëse keni menduar apo keni provuar ndonjë metodë tjetër, për të detyruar ndonjë parti të hyj me ju.

Në këtë situatë do të ishte e udhës që ju dhe PDK-ja të uleshit e të diskutonit se përse keni ardhur në këtë gjendje ku askush nuk pranon as që të ju takoj, e lërë më të hyj me ju në bashkëqeverisje.
Ju ftoj që si lider i partisë më të madhe në zgjedhje, dhe si një burrështetas që keni dëshirë ta quani ashtu veten tuaj, të reflektoni.

Jam i bindur se keni aq njohuri sa ta kuptoni se në demokracitë parlamentare, pa pasur shumicën në Kuvend, s’mund ta formoni qeverinë. Besoj se e keni parë edhe deklaratën e njërit prej këshilltarëve kryesor të draftimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarit amerikan, i cili e sqaroi se çka është shumica parlamentare.

E di, i nderuari z. Thaçi se do të thirreni ju dhe partia Juaj në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas Jush ua ka dhënë të drejtën që vetëm PDK ta ketë këtë të drejtë, dhe nuk do të lëshoni pe.
Mirëpo, nëse thoni që i keni cilësitë e një burrështetasi, atëherë duhesh që ose sa më parë ta mbledhësh kuvendin e t’i krijosh institucionet, ose të lëshosh pe, që kush e ka shumicën t’i krijoj institucionet ose nëse mundeni gjeni mënyrën për ta quar vendin në zgjedhje, si zgjidhje ndoshta më e mira.
Në të kundërtën, nëse do të vazhdoni me këso neglizhencash e bllokadash, si deri më tani, z. Thaçi më vjen keq, por do të mbetesh, një politikan shkurtpamës dhe me cilësi prej sundimtari, duke e futur vendin edhe më tepër në krizë politike e institucionale dhe duke e nëpërkëmbur vullnetin e 2/3 të të gjithë përfaqësuesve të popullit.

Më Shumë

Ramadani: Isha në rrezik për jetë, më trajtuan si fëmija i presidentit

Ylber Ramadani e kaloi një rrezik të madh për jetën disa javë më parë. Mesfushori i Lecces u përball me një problem shumë të...

Itali, Angli dhe Arabi Saudite, Raphael Varane ka tre oferta në tavolinë

Epokës së Raphael Varane te Manchester United po i vjen fundi. Pas muajsh spekulimesh, është konfirmuar se mbrojtësi francez do të largohet nga klubi...

Lajmet e Fundit