18.8 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026

Liderët baltikë do të kërkojnë më shumë mbrojtje nga Trumpi

Presidentët e tre shteteve të Baltikut pritet të kërkojnë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të bëjë më shumë për të penguar kërcënimin rus kundër tyre.

Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, presidenti i Estonisë, Kersti Kaljulaid, dhe presidenti i Letonisë, Raimonds Vejonis, do të takojnë sot Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.

Ata janë në mesin e kritikëve më të fuqishëm të Rusisë në Bashkimin Evropian dhe po vizitojnë Trumpin në kohën e sinjaleve të përziera për qëllimet e tij ndaj Kremlinit.

Derisa Uashingtoni ka ndërmarrë sanksione të reja kundër individëve rusë, kompanive dhe agjencive ruse të inteligjencës, si dhe ka dëbuar 60 diplomatë rusë në përgjigje të helmimit të dyshuar nga Moska të një ish-agjenti rus në Britani, Trump personalisht ka sugjeruar se do të mbajë një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton “Rel”.

Një zyrtar i lartë i Lituanisë i ka thënë agjencisë “AFP” se tre udhëheqësit baltikë do të kërkojnë nga Trump të dërgojë më shpesh raketa me rreze të gjatë veprimi Patriot për lojëra luftarake në shtetet baltike.

Zyrtari lituanez ka thënë po ashtu se ata duan të bëhen pjesë e mburojës raketore të NATO-s në Evropë.

“Shpresoj se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë do të kuptojnë se hapësira ajrore e shteteve baltike duhet të mbrohet më mirë”, tha presidentja e Lituanisë, Grybauskaite, për transmetuesin publik të vendit të saj LRT përpara vizitës në Uashington.

Shtetet baltike, me një popullsi të kombinuar prej vetëm gjashtë milionë banorësh, janë pushtuar dhe aneksuar nga Moska gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ato janë pavarësuar pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991 dhe i janë bashkuar Bashkimit Evropian dhe NATO-s më 2004.

Më Shumë

Universiteti i Prizrenit merr kryesimin e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka shënuar një arritje të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit akademik rajonal, duke marrë kryesimin e Asociacionit të Universiteteve Ballkanike...

Rahoveci hap konsultimet publike për ndryshimin e rregullores së taksave komunale

Në sallën e Kuvendit Komunal është mbajtur konsultimi publik lidhur me plotësim-ndryshimin e rregullores për taksa komunale në Komunën e Rahovecit. Gjatë takimit janë diskutuar...

Lajmet e Fundit