Nisma për Kosovën ka intelektualë, ekspertë e luftëtarë të penës e pushkës, që dinë ta ndërtojnë një shtet të së drejtës dhe dinë ta ndërtojnë Kosovën dhe për këtë qytetarët duhet që me 8 qershor duhet të japin një vulë të rëndësishme për Nismën.
Kështu u tha në tubimin e Nismës në komunën e Malishevës nga themeluesit e saj, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi,shkruan Express.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj tha se Nisma është themeluar edhe zyrtarizuar në të gjithë Kosovën, dhe sipas tij, po mbështetet nga ata të cilëve u ka humbur perspektiva por tha se Nisma është shpresa për Kosovën.
Ai tha se qytetarët nuk kanë nevojë për lëmoshë prej 300 euro siç u është premtuar, por nevoja më e madhe e qytetarëve është mundësia për të punuar.
Kryetari i Këshillit të kësaj partie, Jakup Krasniqi, ka thënë se “me Nismën pasuria publike nuk do të jetë në shërbim të individëve, por të qytetarëve të Kosovës”.
“Të premtosh gjëra të kota nuk është në rregull”, thotë ai. “Sot kemi premtime marramendëse, me dhjetëra mija vende pune, me fonde punësimi, dhe shtrohet pyetja se pse nuk i kanë bërë që katër vite. Fondi i punësimit nuk është i qeverisë, por janë të hollat e qytetarëve, janë të hollat tuaja. 300 euro për një hektar tokë po dëgjoj duke premtuar. Kjo është me ju thënë njerëzve mos punoni. Është vetëm premtim për të mbijetuar. Ne do të themi jo sepse qytetarët nuk kanë nevojë për lëmosh, ata ka nevojë për subvencione me ua zbrit çmimin e naftës, kanë nevojë me ua ble prodhimet, me ju dhënë kredi, dhe të gjithë ne kemi nevojë për mundësi të reja pune. Për çfarë gjendje ekonomike jemi duke folur kur asnjë cent nuk është rritur buxheti i Kosovës. Unë nuk po mundem ta kuptoj se si premtojnë gjëra të tilla”.