5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Me lista të hapura, ose jo, vendoset të hënën

zgjedhjet5Grupi punues për reformën zgjedhore të hënën do të vendos nëse do të ketë konsensues mes subjekteve politike që në lista të hapura të mos votohet për liderin. Dy partitë kryesore, Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike, janë pajtuar që ndryshimet të shkojnë kështu në Kuvend. Ndërkohë që kjo po konsiderohet kundërligjore nga një pjesë e opozitës dhe nga shoqëria civile.
Kushtetuta e vendit në nenin 64 garanton që zgjedhjet nacionale të zhvillohen të hapura dhe me lista të hapura. Por, në procesin për reformën zgjedhore që po zhvillohet aktualisht subjektet më të mëdha politike po këmbëngulin që në ligjin për zgjedhjet kombëtare lideri i partisë të mos votohet, por të shkojë automatikisht në bazë të votave të partisë.

Behar Selimi, i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk e konsideron aspak kundër kushtetues dhe as jo legjitime çështjen që liderët të mos votohet.

“ Largimi i liderëve nga konkurrenca në raport me kandidatë tjerë për deputet i bën mirë edhe procesit të votimit. Brenda partisë është kryetari më i votuari nga anëtarësia ndërkohë që në raport me qytetarët ata nëse duan të votojnë partinë e dinë që kryetari është i zoti i shtëpisë”, i ka thënë Selimi Radio Kosovës.

Arsyetimi i përfaqësuesit të Lidhjes Demokratike, Arben Gashi, është se kjo lehtëson zgjedhjet brenda partisë.

“ Kjo nuk është aspak kundërligjore sepse po zbatohet edhe në nivel lokal. Votohet për partinë dhe votën e partisë e merr lideri. Kjo është ideja”, ka thënë Gashi.

Ky element po kundërshtohet sidomos nga shoqëria civile në këtë proces reformues zgjedhor. Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës jep dy arsye pse kjo formë është antikushtetuese.

“ Së pari nëse ne i mundësojmë një kandidati që të zgjidhet pa u votuar ne i kemi krijuar gjysmë listat e hapura jo të hapura plotësisht . Elementi tjetër është legjitimiteti dhe diskutueshmëria se sa ky kandidat e vlen apo mund të jetë në institucionet përgjegjëse, pa u votuar, apo pa iu nënshtruar procesit të votës së popullit që shkel edhe të drejtat e njeriut për zgjedhje të lirë dhe të barabartë”, i ka thënë Kryeziu Radio Kosovës.

Por, në këto shpjegime për dhe kundër nënshtrimit të liderëve ndaj votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve duket që qëllimi i liderëve politikë është që nuk duan të shohin nivelin e votave të liderit. Pra nëse kjo përqindje e votave për liderin është më pak se e subjektit politik ose më pak se e liderëve tjerë.

Po ashtu preferenca edhe e deputetëve dhe anëtarësisë tjetër të partisë që të mos kenë kompleksin e marrjes më pak të votave në raport me liderin. Sido që të jetë përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë paralajmëruar se nëse kjo futet në draftligj ose nëse kalon në Parlament do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. /RTK/

Më Shumë

Prokuroria e Prizrenit mban takim pune me prokurorë, gjyqtarë, policë dhe avokatë

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorë nga kjo prokurori, me gjyqtarë...

Nis Liga Unike: Bashkimi në Grupin A dhe Ylli në Grupin B

Sot nis sezoni i ri i Ligës Unike Meshkujt, ku 12 skuadra nga Kosova dhe Shqipëria do të konkurrojnë në dy grupe, duke sjellë...

Lajmet e Fundit