10.2 C
Prizren
E premte, 31 Janar, 2025

“Lufta” në Vlorë! Ja pistat e hetimit

Masakër në qytetin bregdetar të Vlorës. Tre të vrarë dhe një tjetër i plagosur me armë zjarri është bilanci tragjik i ditës së djeshme. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Zaho Koka” në lagjen ‘Çole’ të Vlorës, ku mbetën të vdekur Haki Rakipaj, Alfred Velaj dhe Albi Limaj, ndërsa u plagos Aleksandër Llanaj. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në bar “Adore”, ku pas shkëmbimit të zjarrit tre persona mbetën në vend të vdekur, ndërsa një tjetër ka marrë plagë të rënda. Viktimat dhe dy personat e arrestuar si autorë të ngjarjes janë persona me precedentë penalë, pasi dyshohet se janë të përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës dhe prostitucionit, brenda dhe jashtë vendit.

Ngjarja

Ka qenë ora 14:00 kur në lokalin ku ndodheshin Haki Rakipaj dhe Alfred Velaj është afruar Albi Limaj dhe mes tyre ka nisur një debat i ashpër.

Pa kaluar as pesë minuta, në drejtim të lokalit janë afruar edhe dy automjete të tjera, që dyshohet se ishin shokët e Limajt. Sipas policisë, pikërisht ky ka qenë momenti kur nisi edhe konflikti me armë. Fillimisht dëshmitarët tregojnë se Limaj ka nisur të qëllojë me automatik në drejtim të Velajt dhe Rakipajt, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me pistoleta dhe për afër një minutë ka pasur shkëmbim zjarri mes tyre.

Edhe pse mund të mendohet për qitje të mëdha plumbash, bëhet fjalë për vetëm 16 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes dhe duket se pjesa më e madhe e plumbave ka përfunduar në trupin e viktimave. Nga hetimet paraprake të policisë dhe prokurorisë është arritur në përfundimin se Velaj dhe Rakipaj, 28 dhe 29 vjeç, mbetën të vdekur në vend, fare pranë tavolinës ku gjendeshin duke pirë kafe. Ndërsa Limaj pak metra më tej mbeti i vrarë nga plumbat, por shokët e tërhoqën trupin me shpresë se mund të kishte shenja jete dhe e futën në automjet bashkë me të plagosurin Aleksandër Llanaj.

Pikërisht në momentin që kanë mbërritur në spital, disa efektivë policie, përfshirë edhe repartin special të Ndërhyrjes së Shpejtë reaguan në kohë duke arrestuar në oborrin e spitalit Ervis Mehmetin dhe Ani Telajn, e bashkë me ta edhe i plagosuri Llanaj përveçse po merr ndihmën mjekësore po ruhet me efektivë policie, pasi edhe për të është prerë urdhër-arresti.

Paniku i shkaktuar nga të shtënat e armëve dhe më pas gjendja përtokë e tre personave pa shenja jete ka traumatizuar shumë qytetarë, që në mesditën e djeshme ishin në rutinën e përditshme.

Dyshimet

Për shkak të përmasave të ngjarjes, në vendin e krimit mbërriti kryeprokurori i Vlorës, Ramadan Troci dhe ekspertë të tjerë të prokurorisë. Nga ana tjetër, specialistë të kriminalistikës në policinë lokale qëndruan në vendin e krimit për disa orë për të grumbulluar provat materiale.

Nga dyshimet e para mësohet se viktimat, i plagosuri dhe të arrestuarit, njiheshin mes tyre dhe mendohet se shkaku i konfliktit të ketë lidhje me trafikun e narkotikëve dhe të prostitucionit në Shqipëri, Spanjë dhe Belgjikë. Duke marrë shkas se dy nga viktimat dhe një i arrestuar kanë precedentë të mëparshëm penalë në akuzën e trafikut, janë ngritur edhe pistat e para nga ana e prokurorisë. Paraprakisht mendohet se ka pasur konflikte në lidhje me një shumë parash, të cilat pretendoheshin se u takonte të dyja palëve. Kjo ka qenë zanafilla e konfliktit, që më pas është mbyllur me përdorimin e armëve që lanë pas tre të vrarë dhe një të plagosur.

Policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar edhe 2 automjetet “BMW X5”, që dyshohet se janë përdorur në vendngjarje, si dhe 2 armë zjarri pistoletë. Gjithsesi, nga hetimet rezulton se mes të implikuarve në ngjarje është edhe një tjetër i ri, i cili pas shkëmbimit të zjarrit ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim.

Më Shumë

Malishevë: U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve Hisni Mazreku dhe Ali Kryeziu

U shënua 35-vjetori i rënies së dëshmorëve Hisni Mazreku dhe Ali KryeziuSot, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në kuadër...

Mes eliminimit dhe kualifikimit, natë e zjarrtë në Ligën e Kampionëve

Manchester City duhet ta mposht patjetër Bruggen për të shmangur eliminimin nga Liga e Kampionëve. Në situatë të ngjashme është edhe Paris Saint-Germaini, që patjetër...

Lajmet e Fundit