10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve!

Taulant selmaniTaulant Selmani

Shumë diskutime, shumë polemika, shumë dilema lidhur me zhvillimet e fundit, si politike, po ashtu edhe të sferave tjera. Të thëna e të pathëna, të cilat vetëm se po i vështirësojnë dhe stagnojnë proceset integruese. Sa e palogjikshme të dëgjosh që në Parlamentin e Kosovës, flitet për “ndotje akustike”, për të kaluarën, e aspak për një ardhmëri të shëndoshë e të sigurt, e që po na e cenon brendësinë e shpirtit dhe qenies tonë të pambrojtur.

Çfarë rëndësie ka e ashtuquajtura “ndotje”, e cila mbështetet në arsyetimin e prishjes së qetësisë, kur qytetari në Kosovë nuk arrin të ketë qetësi shpirtërore?! Cilat janë ato arsye neveritëse, të cilat na trishtojnë ato ndjenjat e të jetuarit, e që na çojnë drejt një humnere a një amullie, pa e parë atë #kepin e shpresës së mirë#?! Si duket, tani më së miri qëndron ajo thënia e famshme e Hobbesit: “Lufta e të gjithëve, kundër të gjithëve”! Edhe më keq fakti që, shumica po bëjnë luftë me vetveten! Zoti e di kur do të ndryshojë kjo gjendje!

Problemi kryesor tek ne, nuk është as aspekti ekonomik e as ai politik, si dy aspekte jetësore, por problemi kyç qëndron në gjendjen e brendshme dhe shpirtërore të individëve. E derisa nuk ka ndryshim “nga brenda”, të tjerat janë vërtet larg horizontit tonë progresiv.

Për çfarë arsye duhet të cenohen të drejtat fondamentale jetësore të një pjese të qytetarëve dhe me çfarë të drejte bëhen diskriminime, e që po i quajnë “pozitive”?! Vërtet është shumë paradoksale, që një gjë apo një proces që është i dëmshëm dhe që ndikon në zbehjen e demokracisë, të quhet pozitiv dhe të mbrohet me cinizëm e krenari! Sa turp, të mburremi me antivlera! Dhe vlerat tona janë mbuluar me një pluhur, e i cili po na e zë frymën dhe po na shpie drejt një vdekjeje të ngadaltë e të pamëshirshme.

Fjalët janë të shumta, por të pakta hapat që merren dhe veprimet që bëhen për të ndryshuar diçka pozitivisht. E mira e të mirave është, se ne si popull jemi për ndryshime, jemi për zhvillim dhe jemi për pozitivitet. Por, nuk e dimë se çka duam të ndryshojmë, apo ndoshta duhet dhe duam të ndryshojmë çdo gjë, rrënjësisht!

“Në fund të ditës” neve po na hedhin pluhur syve, ne jemi ata që pësojmë dhe gjithashtu, jemi ne ata që duhet të ngritim zërin kundrejt padrejtësive dhe kundër mohimit të të drejtave tona individuale e kolektive. Duam zgjidhje të problemeve, duam përgjegjësi, duam transparencë dhe mbi të gjitha duam solidaritet!

Më Shumë

“Pata bashkëbisedim të ngrohtë”, Abidixhiku viziton fshatin Bellanicë të Malishevës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, vizitoi fshatin Bellanicë të Malishevës, ku u prit në shtepinë e familjes Kafexholli. Në një postim...

Policia shqipton mbi një mijë e 300 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1351 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit