12.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Malisheva me aktivitete të shumta shënon 7 vjetorin e Pavarësisë

Malisheve-shenohet dita e pavaresiseNë kuadër të shënimit të shtatë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, janë organizuar një varg aktivitetesh solemne, kulturore, sportive, përurime të ndryshme, si dhe janë nderuar dëshmorët e kombit, me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje solemne, ku kanë marr pjesë anëtar të kuvendit, familje të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve lokale, të shoqatave që veprojnë në Malishevë dhe qytetarë të tjerë, ndërsa fjalën kryesore e ka mbajtur Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Më pas janë bërë nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin e dëshmorëve në Malishevë, pastaj homazhe te varrezat e dëshmorëve të Brigadës 121 në Kleçkë dhe të Brigadës 122 në Malishevë.

Në ndërkohë, është bërë edhe përurimi i dy objekteve të shkollave në Vërmicë dhe Gollubovc, ku mori pjesë edhe ministri i MASHT-it, z.Arsim Bajrami.

Më pas, në mesditë, në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, është mbajtur një koncert i pasur kulturor dhe artistik, e ku një fjalë rasti e ka mbajtur edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku.

Në vazhdim, fjalimi i Kryetarit të Komunës, Ragip Begaj, mbajtur në seancën solemne, me rastin e shënimit të shtat vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës:

Jemi mbledhur sot, që së bashku të kremtojmë shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke mos harruar me këtë rast përpjekjet dhe sakrificat e brezave të tërë, të cilët sollën datën e madhe historike të 17 shkurtit 2008. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kurorëzoi ëndrrat dhe aspiratat e popullit tonë që heroikisht gjatë tërë historisë u bëri ballë sfidave.

Kosova, në rrugëtimin e saj qindra vjeçar, gjithmonë ka qenë një njësi administrative, që nga koha e pushtimit turk, kur Kosova ishte vilajet, për të vazhduar të mbetet e ndarë fizikisht nga pjesa tjetër e popullit shqiptar. Pas shumë përpjekjeve, më 1878, u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me qëllim të formimit të shtetit shqiptar. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga koha e lavdishme e Skënderbeut.

Edhe në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Vilajeti i Kosovës, padrejtësisht nga fuqitë e mëdha, përsëri u nda nga pjesa tjetër e kombit, për t’ju dhënë në administrim Serbisë.

Më pas vjen Lidhja e Dytë e Prizrenit, në vitin 1943, që ishte organizim i krerëve nacionalist shqiptar. Edhe kjo përpjekje nuk e arrin qëllimin final. Më pas vjen edhe Konferenca e Bujanit, dhjetor 1943- janar 1944, ku sipas rezolutës së dalë nga kjo konferencë, pas fitores ndaj fashizmit, populli shqiptar i Kosovës, të ketë të drejtën e realizimit të aspiratave të tij, për tu bashkuar me Shqipërinë. Edhe kjo nuk u realizua në anë atë periudhë.

Edhe pas Luftës së parë dhe të dytë Botërore, Kosova mbeti në administrimin e ish Jugosllavisë, por si një njësi e veçantë administrative. Megjithatë populli shqiptar kurrë nuk hoqi dorë nga përpjekjet për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989-1999).

Qëndresa mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1997-1999) dhe ndërhyrja ajrore e NATO-s në pranverë të 1999 i dhanë fund gjenocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe u mbajt edhe konferenca e Rambujesë, që për herë të parë, konsiderohet që faktori ndërkombëtar ishte në krah të kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës, dhe si rrjedhojë, erdhi deri te intervenimi i NATO-s. Kjo mund të konsiderohet edhe si shumë e rëndësishme politikisht, pasi si rrjedhojë e saj, erdhi edhe deri te Shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Kështu, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli Pavarësinë.

Në shtatë vite të shtetndërtimit, Kosova ka ndërtuar institucionet e saja demokratike, ka shënuar suksese dhe është bërë faktor i paqes në rajon.

Ne edhe sot në këtë ditë të shënuar përkulemi para aktit madhorë të flijimit të komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, përkulemi para të rënëve të të gjithë brezave që janë më meritorët për shtetin e Kosovës.

Shtatë vite pavarësi nuk janë shumë, por ne tashmë jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore pasi Kosova e njohur nga më shumë se njëqind shtetet më të fuqishme të botës është bërë faktor stabiliteti dhe ajo po bëhet pjesë e asaj së cilës i përket gjeografikisht – Evropës së qytetëruar.

Veç kësaj, Kosova tashmë është anëtare e shumë organizmave ndërkombëtar, dhe jemi në rrugë të mirë që së shpejti të jetë edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në këtë ecje dhe në këta përvjetor, Malisheva ka të drejtë të mburret për kontributin e saj në lirinë e Kosovës pasi vetëm gjatë luftës së fundit të UÇK-së i dha Kosovës mbi 70 dëshmor, rreth 400 martir, pothuaj tërë pasurinë e krijuar për decenie e cila u shkatërrua gjatë luftës kurse edhe tash rreth 30 qytetarë të kësaj komune konsiderohen të zhdukur pasi gjatë luftës janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj,

Bashkë me shtetin e Kosovës, në këto shtatë vite ka ecur edhe komuna e Malishevës e cila pikërisht gjatë kësaj periudhe ka shënuar zenitin e zhvillimit dhe të përparimit të saj pasi për përmirësimin e jetës së qytetarit të kësaj komune krahas infrastrukturës rrugore e cila tashmë është rrumbullaksuar, ka shënuar suksese të mëdha edhe në fushat tjera.

Të nderuar qytetar të Komunës së Malishevës.

Për ngritjen e një jete më të mirë për qytetarët e komunës së Malishevës, ju ftoj që të vazhdojmë me punën tonë të përbashkët, pasi të gjithë ne kemi një obligim, sepse na obligojnë sakrificat e mëdha të këtij populli, gjaku i derdhur, lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konsiderojmë se vlera e Pavarësisë së Kosovës matet në radhë të parë me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në këtë drejtim ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe pa u ndalur për ngritjen e projekteve tjera, të cilat do të lehtësojnë jetën e qytetarit të Malishevës pasi ne e meritojnë këtë.

Të nderuar pjesëmarrës, më lejoni edhe njëherë t’ju uroj për shtatë vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Urime!

/PrizrenPress.com/

Më Shumë

Malishevë: Gruaja largohet nga shtëpia, shkak dhuna e burrit

Një grua është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj. Rasti ka ndodhur të hënën në Malishevë, rreth orës...

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – sërish pritet me protesta, marshe e aksione në Kosovë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve në Kosovë Rëndom, si vitet paraprake, edhe ky vit e gjen vendin me protesta e pakënaqësi nga punëtorët. Sindikata e...

Lajmet e Fundit