13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Malisheva “ngre krye” kundër vënies nën Gjakovën

Malisheve-qendraEdhe pse gjakovarët iu gëzuan ndarjes administrative nga Peja dhe bërjes qendër regjionale, banorët e Malishevës e kundërshtojnë hyrjen e komunës së tyre në Regjionin e Gjakovës. Gjakova kur të bëhet qendër regjionale, nga Rajoni i Prizrenit pritet të marrë Malishevën e Rahovecin.Kryetari Ragip Begaj paralajmëron referendum me të cilin qytetarët e komunës që drejton do të vendosin se me kë do të shkojnë.

Në vitin 1998 Malisheva ishte vendbanimi më i madh i vënë nën kontroll nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa guerilët kosovarë që në atë kohë luftonin kundër forcave të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, e kishin shpallur zonë të lirë qytezën dhe zonat tjera që kontrollonin.

16 vjet më vonë, malishevasit përsëri dëshirojnë të jenë të lirë për të vendosur se cilit regjion të Kosovës t’i takojnë.

Ata ishin pjesë e Regjionit të Prizrenit, ndërsa në të ardhmen pritet ta kenë qendër rajonale Gjakovën, por nuk e duan këtë ndryshim.

Kryetari i Malishevës Ragip Begaj që përkrah qytetarët e komunës së drejtuar prej tij, nuk e di arsyen pse nga institucionet qendrore po i kërkohet shkuarja me Gjakovë.

“Unë nuk e di, cila është arsyeja që kërkohet të shkohet me Gjakovë, është arsye historike që na gjithmonë kemi qenë me Prizrenin, njerëzit janë mësuar me qenë me Prizrenin. Tjetra është se tash gati për 10 minuta jemi në Prizren, ndërsa me Gjakovë jemi pak ma larg”, argumenton Begaj.

Ai tregon se Kuvendi Komunal i Malishevës i është drejtuar me një kërkesë Qeverisë së Kosovës për kthimin nën administrim të Prizrenit.

“Organeve qendrore ju ka adresuar nga kuvendi një kërkesë, që ta shqyrtojë këtë çështje, të merren me Malishevën dhe besoj që do të jetë një kërkesë që të shqyrtohet pozitivisht në interes të qytetarëve të Malishevës”, shpreson Begaj.

Ai paralajmëron referendum të qytetarëve të komunës që drejton, pasi dëshiron që çështja se cilit regjion do t’i takojë Malisheva të mos vendoset pa ata që jetojnë aty.

“Unë kisha pasë dëshirë që të pyetet qytetari i Malishevës për këtë çështje. Le ta japin mendimin qytetarët ose përmes referendumit, ose se si ata dëshirojnë, vullneti i tyre të mos shkelet”, propozon Begaj.

“Veç ia kemi dëgju zanin Gjakovës”

Me kryetarin në këtë rast janë edhe qytetarët. Dalip Halitaj qytetar nga Malisheva thotë se kundërshtimi për t’u lidhur me Gjakovën është popullor.

“Na nuk dëshirojmë mu kthye me Gjakovë hiq, gjithë jena kanë me Prizren, krejt populli kanë dëshirë mu kthye me Prizren, krejt pe kundërshtojnë, e kanë be pa e pyet popullin”, proteston ai.

Milaim Zabeli, një qytetar tjetër thotë se malishevasit asgjë nuk i lidhë me Gjakovën.

“Mu vet si qytetarë të Malishevës na nuk kemi dëshirë me kalu me Gjakovë, por me mbet me institucion siç jemi kanë me Prizren, pasi asgjë nuk na përket andej, për një punë duhet me shkua special në Gjakovë, si spitalin si të gjitha i kemi në regjion të Prizrenit, e kemi më afër”, numëron arsyet Zabeli.

Dalip Halitaj flet edhe në emër të bashkëqytetarëve të tij. Thotë se banorët e Malishevës nuk dinë thuajse asgjë për Gjakovën.

“Qetash me shku, ka njeri që as rrugët nuk i din në Gjakovë, veç ja ka dëgjua zërin Gjakovës”, shpjegon ai.

Për mbetje të Malishevës në Regjionin e Prizrenit është edhe opozita e këtushme. Sami Kafexholli, nga LDK-ja thotë se autostrada i ka afruar edhe më shumë këto dy vendbanime kosovare.

“E para historikisht kemi qenë gjithë herë, pjesë e regjionit të Prizrenit edhe e dyta është tash gjeografikisht lidhja. Na lidhe edhe lidhja e autostradës, puna e udhëtimit, shpenzimeve, domethënë, jemi afruar shumë afër me Prizren”, deklaron Kafexholli.

Rritjen e shpenzimeve të qytetarëve nëse për Malishevën bëhet qendër regjionale Gjakova, e përmend edhe Muhamet Bytyqi nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Regjioni i Gjakovës është shumë më i papërshtatshëm se Regjioni i Prizrenit për qytetarët e Komunës së Malishevës. E rrit koston e shpenzimeve për shërbimet që marrin. Në të njëjtën kohë është ma larg si distancë”, thotë Bytyqi.

Malisheva në fakt e ka më afër Gjakovën, vetëm 38 kilometra larg. Me Prizrenin distanca është 44 kilometra. Por autostrada e bën më komode dhe më të shpejtë rrugën e malishevasve për Prizren.

Kafexholli përmend edhe shpenzime tjera, nga ndërrimi i targave të makinave të malishevasve.

“Tash nëse kalon edhe regjistrimi i kerreve, se del regjistrimi me numër tjetër, tash ta shohim për hallin edhe xhepin e qytetarëve, na si Malishevë ku mbesim”, brengoset Kafexholli. /Kallxo.com/

Më Shumë

Policia jep detaje për aksidentin me dy të vdekur në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Drejtori i Policisë në Prizren,...

Zhegrova nonimohet për çmimin e futbollistit të vitit në Francë

Futbollisti i kombëtarës së Kosovës, Edon Zhegrova, është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në elitën e futbollit francez. Ai është...

Lajmet e Fundit