19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Matoshi: Koalicioni LDK-AAK-NISMA, sjell qeverisje stabile

HalilMatoshi-analistMarrëveshja ndërmjet LDK’së AAK’së dhe NISMA’s i siguron vendit një qeverisje stabile. Ajo nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese pasi është çështje e vullnetit të lirë të partive. Kushtetuta përcakton, që nëse Hashim Thaçi si mandatar i parë nuk mund ta formojë Qeverinë, atëherë mandati i kalon partisë që mund ta arrijë shumicën. Meritat më të mëdha për ujdinë e liderëve opozitarë i ka Albin Kurti, i cili u dëshmua si lider modern.

Në një bisedë për Express, analisti Halil Matoshi e ka vlerësuar veprimin e liderëve opozitarë duke thënë se një gjë e tillë e largon nga pushteti një qeverisje të keqe.

Ndërkaq thekson se ky koalicion mund t’i sjellë vendit qeverisje stabile.

Poashtu, Matoshi ka komentuar interpretimet rreth nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, duke thënë që edhe nëse Thaçi propozohet si mandatar për kryeministër, nuk mund të kalojë në Kuvend, kështu që automatikisht mandati i kalon partisë ose koalicionit që mund t’i arrijë numrat e nevojshëm në Kuvendin e Kosovës.

“Mund të ketë interpretime të ndryshme të nenit 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mirëpo krejt çka mund të ndodhë si rezultat i interpretimeve që nuk shkojnë pro këtij koalicioni, është që vendi të shkojë në kolaps institucional dhe zgjedhje të parakohshme, në periudhën pas 40 ditëve, siç përcaktohet me kushtetutë. Unë mendoj që me rregullat e kushtetutës, nëse Thaçi nuk i ka numrat në Kuvend, atëherë automatikisht mandati i kalon partisë ose koalicionit i cili mund të arrijë numrat e mjaftueshëm në Kuvend”, thekson ai.

Halil Matoshi, konsideron që ky koalicion mund t’i sjellë vendit një qeverisje stabile, dhe për këtë gjë, thotë se meritor është Albin Kurti dhe Vetëvendosja.

“Marrë parasysh që kjo marrëveshje është bërë për ta shpëtuar vendin nga një qeverisje e keqe, atëherë patjetër që mund të sjellë qeverisje stabile. Po ashtu, me bindjen më të madhe, them që për këtë arritje meritat më të mëdha i ka Albin Kurti dhe Vetëvendosja, të cilët sot, kanë dëshmuar që lideri modern, nuk duhet të luftojë për pushtet personal, por për të mirën e vendit, duke hequr dorë nga egoizmi dhe egocentrizmi i tij dhe i partisë së tij”.

Matoshi gjithashtu ka theksuar që nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese, ta interpretojë këtë marrëveshje, pasi që nuk e ka interpretuar as marrëveshjen e bërë në mes të liderëve politikë me të cilën Atifete Jahjaga ishte zgjedhur Presidente.

“Nuk është punë e Gjykatës Kushtetuese që ta interpretojë një marrëveshje politike, e cila është bërë me vullnetin politik të katër subjekteve kryesore, që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese, nuk ka interpretuar as marrëveshjen politike mes tre liderëve për zgjedhjen e Atifete Jahjagës, Presidente të vendit, duke thënë se ky është vullnet i lirë i subjekteve politike. Tash, nuk do të kishte kuptim që kjo gjykatë, të çonte interpretime për një marrëveshje politike, interpretim ky që prapë se prapë, nuk do ta bënte Hashim Thaçin kryeministër, por, që do ta çonin vendin në krizë institucionale dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të mbaheshin brenda dy muajve, siç e përcakton edhe kushtetuta”, ka thënë Matoshi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit