Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca përgatitore për rastin ku ish-polici Driton Bajrami e ka paditur Policinë e Kosovës, për ndërprerje të marrëdhënies së punës.
Paditësi Bajrami deklaroi se mbetet pranë padisë së parashtruar, duke shtuar se prej datës kur është larguar nga puna me aktvendim të gjykatës së 20 shtatorit të 2017, ku me aktgjykim paditësi kishte qenë i dënuar me gjobë, e deri në plotfuqishmërinë e vendimit të Apelit më 15 mars 2019, Policia e Kosovës nuk ka pasur të drejtë që ta largoj nga puna, ka deklaruar paditësi Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Nga ana tjetër, i autorizuari i palës së paditur Naim Krasniqi theksoi se mbesin pranë përgjegjës në padi, duke shtuar se polica vepron në bazë të Ligjit për Policinë e Kosovës, dhe se vendimet e gjykatave penale vetëm se e konfirmojnë shkeljen disiplinore të cilat paditësi i ka kryer gjatë marrëdhënies së punës, ka cituar i autorizuari i palës së paditur.
Pas këtyre, gjykatësja Edije Sezairi njoftoi palët se seanca e sotme përfundon, duke caktuar seancën kryesore për 05 shkurt 2021, në fillim prej orës 10:00.
Sipas padisë të parashtruar nga paditësi Driton Bajrami, ish zyrtar policor, më 13 tetor të vitit 2017, në Gjykatën Themelore në Prizren, thuhet se ndaj paditësit Bajrami është zbatuar masa e suspendimit për shkak të inicimit të procedurës penale.
Po ashtu, në padi thuhet se pas ngritjes së aktakuzës ndaj Driton Bajramit, në Gjykatën Themelore në Prizren, atij i është ndërprerë marrëdhënia e punës.
“Për kundër faktit se ndaj paditësit tani ekziston një aktakuzë për marrje të ryshfetit, gjithsesi rasti është në procedim e tutje dhe kjo çështje nuk ka përfunduar ende, me çfarëdo vendimit të plotfuqishëm me të cilën do të konfirmohej fajësia eventuale, rrethanë e cila është bazë për ndërprerje të marrëdhënies së punës”, thuhet në padi.
Lidhur me këtë, pala paditëse po kërkon nga gjykata që ta obligoj të paditurën, Policinë e Kosovës, Drejtorinë e Përgjithshme që paditësin Driton Bajrami ta kthej në vendin e punës në Prizren. /BetimipërDrejtësi