15.8 C
Prizren
E martë, 16 Prill, 2024

Mbrojtësi i Gucatit thotë se ai është i pafajshëm, kurse ai i Haradinajt thotë se ky i fundit është sinjalizues dhe kërkon të shpallet i pafajshëm

(Përditësuar, ora: 11:29 )- Në seancën e së enjtes, mbrojtësi i Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm, kurse njëjtë sikurse ai, mbrojtësi i Nasim Haradinajt, avokati Toby Cadman, ka thënë se i mbrojturi i tij është sinjalizues dhe se kërkon të shpallet i pafajshëm.         

Mbrojtësit e të akuzuarve u janë kundërpërgjigjur prokurorisë në përgjigjen që këta të fundit dhanë lidhur me deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit të Hysni Gucati, Jonathan Elystan Rees, prokuroria po zbukuron provat e tyre.

Ai ka thënë se duket sikur prokurori i specializuar do të bëjë gjërat e qarta sepse një ndër elementet që ngrenë është dashja konkrete, qëllimi konkret dhe ndërkohë mbrojtja parashtroi qëndrimin e tyre dhe bënë dallimin mes synimin konkret dhe atij eventual.

“Në fakt, e gjithë çështja e tyre mbështetet në këtë element që klienti im ka vepruar me dashje direkte dhe kërkoj që trupi gjykues ta mbajë përgjegjës ZPS-në për këtë që është boshti i çështjes e tyre. Ata duhet ta provonin çështjen e tyre sepse kanë ngritur akuzat dhe fabulën e çështjes që thonë që e kanë provuar dhe nëse e kanë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm atëherë do të merrni vendimin. Por, nëse jo duhet ta ndërprisni gjykimin”, tha Rees.

Avokati ka deklaruar se duhet të matet çështja e prokurorisë në atë element dhe nëse ZPS nuk e dëshmon përtej dyshimit të arsyeshëm që ka dashje konkrete ,atëherë duhet të shpallet pafajësia.

“Dua t’i kujtoj trupit gjykues se suksesi apo dështimi i një procesi gjyqësor nuk matet nëse vendimi është pafajësi apo fajësi, por nga aftësia për të qenë i drejtë me të akuzuarin dhe për të respektuar dinjitetin e gjithë pjesëmarrësve. Suksesi apo dështimi matet nëse merren vendime të paanshme, mbështetur vetëm në analizën objektive të ligjit”, tha ai.

Tutje, tha se kërkon të merret vendim i drejtë dhe i pavarur dhe se klienti i tij duhet të shpallet i pafajshëm.

Kurse, avokati Toby Cadman, që mbron të akuzuarin Nasim Haradinaj, ka thënë se presin dhe janë të vetëdijshëm që gjykata do të shikojë dëshmitë në tërësinë e tyre dhe në mënyrë të drejtë dhe barabartë.

“Kemi dëgjuar nga ZPS pse disa deklarata provojnë elemente të veprës penale, ne themi se nuk është e vërtetë dhe do të shihet se kjo nuk ekziston. Analiza që do të bëjë trupi gjykues duhet të jetë e kujdesshme”, ka thënë Cadman.

Ai tha se Haradinaj në hollësi ka shpjeguar çka nënkupton kur përmend ata që kanë bërë pjesë në regjimin të gjenocidit të Millosheviqit.

“Po i bie vlera ZPS-së sepse provat e saj nuk po arrijnë atë që donin të arrinin”, ka thënë avokati Cadman.

Ai tha se prokuroria u përpoq të fliste mbi klimën e frikës, por se këtu bëhet fjalë për nxjerrje në interes të publikut dhe ishte e motivuar si duhet për të ndaluar padrejtësinë.

“I përmbahemi qëndrimit se interesi publik ishte i rëndësishëm”, deklaroi avokati.

Tutje, tha se objektivi i klientit të tij është të gjendet e vërteta.

“Diçka është e kalbur këtu, por ndryshe nga Hamleti kjo nuk është retorike. Është afër, e prekshme dhe prandaj Haradinaj ka ndërmarrë atë që ka ndërmarrë. Ai është sinjalizues, ka bërë punën e tij për të gjetur të vërtetën dhe i kërkojmë trupit gjykues të trajtoj interesin publik”, ka thënë avokati i Haradinajt.

 

ZPS thotë se të Hysni Gucati e Nasim Haradinaj patën dashje direkte

(Përditësuar, ora: 11:07)- Në përgjigjen e prokurorisë të dhënë ndaj deklaratave përmbyllëse të mbrojtësve të akuzuarve Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, prokurori Mathew Howling ka thënë se të akuzuarit patën dashje direkte.

Këtë deklaratë prokurori Howling e ka thënë të enjten, në gjykimin që po zhvillohet ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, të cilët po akuzohen për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Mathew Howling ka deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, në të cilën është thirrur mbrojtja ka të bëjë me Kodin e Përkohshëm Penal dhe se kjo nuk ka të bëjë me rastin konkret.

Sipas tij, deklaratat përmbyllëse të mbrojtjes shumë qartë duan të zgjidhin diçka tjetër dhe jo çështjen gjyqësore.

“Provat janë pranuar, këto janë deklaratat përmbyllëse, kjo është koha për të diskutuar se çfarë kanë bërë dhe nuk kanë bërë të akuzuarit dhe që t’i përgjigjemi argumenteve të fundit që ka bërë mbrojtja kërkon t’i kthehemi fokusimit te kjo çështje konkrete. Thelbi i argumentit të mbrojtjes bazohet në një fill të vetëm dhe nëse pritet ky fill bien argumentet tjera”, tha ai.

“Ata nuk kanë thënë emra, deklaratat përmbyllëse janë plot me referenca që ata nuk kanë përmendur emra, nuk kanë kërcënuar askënd dhe duke thënë këtë kjo varet nga fakti që siç thonë ata nuk kanë përmendur emra” , ka thënë prokurori.

Tutje, ai shtoi se emrat ishin të mbrojtur dhe është gabim të përmenden dhe kritikat e  të akuzuarit se prokuroria nuk ishte e aftë të mbronte dëshmitarët e saj tregon një dijeni të plotë se çka ndodh kur jepen emrat.

“Nuk pajtohemi me mbrojtjen e Haradinajt kur thotë se fjalët e tij që ZPS ka krijuar një mjedis të pasigurt ishin jo të qarta, këto fjalë që thotë ai janë fjalët që i thotë klienti i tij. Haradinaj thotë se ZPS nuk i mbrojti as dëshmitarët që u kanë dhënë mbrojtje. Me këto pohime të të akuzuarve vërtetohen se kanë kryer krimet”, ka thënë ai.

Sipas prokurorit, thelbi i kundërshtisë të argumenteve të mbrojtjes është se ata faktikisht i bënë emrat publik.

“Ata i publikuan emrat, i bënë publik, duke i lënë dokumentet të paredaktuara dhe mbrojtura për gazetarët, “persona publik”, këto i nxorën emrat për të gjithë botën për t’i parë dhe kjo nuk ishte vetëm për thënien me zë të tyre, ishte për komunikimin e këtyre emrave dhe disa prej këtyre emrave u thanë me gojë”, ka thënë prokurori.

Ai deklaroi se trupi gjykues duhet të ketë parasysh se emrat u bënë publik.

Kjo është një pjesë që u trajtua gjatë përgjigjes së pyetjeve të gjykatësve. Këto kërcënime janë përpjekje e përbashkët e të akuzuarve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Çfarë tha Gucati në faqen 35, ai tha që nuk dëgjova asgjë me të cilat nuk pajtohem dhe në momentin që e tha atë, çdo deklaratë që kishte bërë zoti Haradinaj, ai e kishte parë”, ka thënë ai.

Tutje, tha se të akuzuarit kanë shpërndarë informacion konfidencial dhe kanë bërë emra publik.

“Ata thonë që identitetet e të gjithë atyre që bashkëpunuan me ZPS dhe TFHS do të bëheshin publik”, ka thënë prokurori.

Sipas prokurorit, fakti se i quajtën personat qyqarë, tradhtarë e spiunë, këto janë kërcënime serioze sidomos duke marrë parasysh veprën penale të kërcënimit.

“Diskutimi interesant i zoti Rees lidhur me aspektet linguistike. Haradinaj tha se akuza më e larta që mund t’i bësh dikujt është ta thërrasësh bashkëpunëtor”, tha tutje prokurori.

Ai tha se janë bërë shumë diskutime në deklaratat përmbyllëse për mungesën e dashjes apo qëllimit.

“Kjo varet nga kjo kundërshti themelore, gjërat që besonin ata nga koha para juridiksionit kohor të këtij gjyqi dhe gjatë gjithë kohës deri në dhënien e dëshmisë së atyre informojnë gjendjen e tyre mendore gjatë kohës kur ata i bëjnë emrat publik. Ata e bënë të qartë synimin e tyre për të penguar punën e kësaj gjykatë në mënyrë që nuk kishin menduar dy herë kur i bënë emrat publik dhe thanë se ZPS kishte gënjyer dëshmitarët kur u kishte thënë se do të mbronin sekretet e tyre”, tha prokurori.

Howling përmendi edhe se kishin thënë se gjykata do të shembet tani që dihet kush janë dëshmitarët e tyre.

“Veprimet synonin minimin e ZPS, e quajnë gjykatën një gjykatë raciste, të njëanshme që nuk e pranojnë dhe njohin dhe dëshmitarët e të cilëve i bënë publik. Thonë se ZPS i ka marrë metodat e veta nga aparati i Millosheviqit dhe do të pengojnë atë gjithë kohën. Kjo është gjendja mendore me të cilën kanë vepruar gjatë kohës përkatëse kur i bënë emrat publik”, tha prokurori.

Gjendjen e tyre mendore ai tha se e tregon edhe përsëritja që thanë që do të bënin.

Sipas prokurorit, e bënë një herë të dytë, të tretë dhe betohen në mënyrë të përsëritur se do ta bëjnë përsëri e përsëri duke iu përgjigjur urdhrave të prokurorisë, gjykatës dhe dënimeve nga 5 deri në 300 vjet siç thoshin të akuzuarit.

“Ata e dëshironin kryerjen e këtyre krimeve, me dijeninë se çka do të ndodh kur të bënin këtë dhe kjo dijeni do të ishte një aspekt i arsyeshëm i sigurisë. Çka kam shpjeguar këtu është dashje e drejtpërdrejtë sipas Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë prokurori.

Ai pretendoi se të akuzuarit kërcënuan dhe kanosën dëshmitarët duke pasur dashjen direkte.

“Të akuzuarit e kanë shteruar çdo dyshim të arsyeshëm, ata na tregojnë çka do të ndodh nëse do të thuhen emrat”, ka deklaruar prokurori.

Po ashtu, tha se të akuzuarit janë parë shumë herë në programe televizive dhe çfarë bënin nuk ishte e ligjshme dhe kanë kërkuar këshillimin e juristit për deklaratat e tyre.

“Pjesa kryesore lidhur me gabimin e ligjit ka të bëjë me ndërgjegjësimin apo vetëdijesimin e të akuzuarve se përmendja e emrave ishte e gabuar. Emrat i kanë bërë publik, e dinin çfarë kanë bërë dhe e dinin se përmendja e emrave ishte kundër ligjit”, ka thënë ai.

Sipas tij, dëshmia e Miro Jukiq me atë që i kishin thënë dëshmitarët është e pranueshme, si dhe dëshmia e Zenka Pumper për atë çka kishte biseduar me dëshmitarët.

Ai përmendi historitë e disa nga dëshmitarëve të përmendur nga Jukiq, i cili kishte rrëfyer se një dëshmitar kishte pësuar sulm paniku dhe përfunduar në spital pasi rrjedhën dokumentet dhe u publikuan, historitë e tjera të kontaktit me dëshmitarët dhe frikën e zemërimin që kishin shprehur të njëjtit.

“Nuk ka arsye për të mos besuar atë që tha zoti Jukiq”, ka thënë prokurori.

Tutje, tha se mbrojtja dëshiron këtë çështje ta kthejë në një çështje rreth të gjitha çështjeve tjera pasi ato janë të komplikuara që kanë element të vagullt dhe pasigurie dhe kanë përgjigje të ndryshme, ndërkohë që kjo çështje ka vetëm një përgjigje.

 

Sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot pritet të vazhdojë gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Seanca e fundit për këtë rast u mbajt më 16 mars, ku mbrojtja ka dhënë deklaratat përmbyllëse, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./ BetimipërDrejtësi

—Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot vazhdon seanca në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ku pritet të jepen deklaratat përmbyllëse.

Në fjalën përmbyllëse të mërkurën, mbrojtja kërkoi që ish kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, të shpallet i pafajshëm. Sipas avokatit të tij nuk ka prova të pranueshme që vërtetojnë akuzat me të cilat klienti i tij ngarkohet. Edhe avokati i Nasim Haradinajt, deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave të Haradinajt.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Më Shumë

Rrëzohen propozimet serbe që anëtarësimi i Kosovës të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të...

Lumbardhi dhe Kaderi shkojnë ta shohin Vedat Muriqin në stërvitje të Mallorcas

Çifti Lumbardh Salihu dhe Kader Kicaj prej disa ditësh ndodhen në Spanjë. Përveç kohës së mirë që po kalojnë së bashku, ata janë përfshirë edhe...

Lajmet e Fundit