Çka do të mbjellësh atë do të korrësh thotë fjala e urtë dhe ne e dimë shumë mirë se si kemi rrugëtuar tërë këto shekuj për të arritur deri në të sotmen dhe se me ç’jemi rritur, duke mos përfshirë këtu vetëm nevojën biologjike të të ushqyerit të zakonshëm që e realizojnë të gjitha qeniet e gjalla, por edhe një ushqim shpirtëror që i nevojitet gjithë secilit, përfshirë mua dhe ty.
Ky ushqim shpirtëror është përmbushja e të gjitha zbrazëtirave që në popullin tonë kanë mbetur të tilla nga një e kaluar e largët e me këmbë sunduesish vënë mbi fyt, për të na penguar rrugën që ne e synonim nëpërmjet dijes dhe leximeve. Lexime që përveç aspekteve tjera jetësore, do të na sillnin një proces edukativo-arsimor më të mirë nga ç’kemi arritur ta krijojmë këto vjet dhe bota edhe ne të na njihte për vjetërsi universitetesh e kuadro të mirëfillta brenda tyre.
Ajo që është e rëndësishme për këtë ushqim shpirtëror, që realizohet nëpërmjet artit me të gjitha llojet e tij (poezi, pikturë, skulpturë, muzikë etj) është edhe fakti se si na paraqitet dhe nga kush na ofrohet diçka e tillë. Sa ajo na shpie drejt gjësë që ne e duam ? Po të ndalemi vetëm në artin e letërsisë, një bote të madhe ndërtuar me fjalë, shohim se kemi të bëjmë me një art pa skaje, pa fund e pa shterje fjalësh. Një art që të tërheq brenda vetes e nuk ta lëshon më dorën deri sa të frymosh mbi tokë.
Në këtë rast, për zotërimin dhe ndjekjen e këtij arti, rol të rëndësishëm dhe primar nuk ka vetëm mësuesi/ja që për çdo ditë mundohet të fus në kokat e nxënësve dëshirën për ndjekjen e tij, por edhe prindi, faktori kryesor i ndryshimit të fëmijës (për të mirë ose për të keq) në bashkësitë shoqërore që synojnë një të ardhme pa brenga e për të njëjtën mundohen çdo çast. Por sa dhe si veprohet nga këta dy faktorë në vendin tonë mbetet për t’u diskutuar.
Le të ndalemi pak në mësimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollat tona. Le t’i hapim librat e kësaj lënde, gjegjësisht në pjesën e letërsisë dhe le të shohim përmbajtjen e saj: poezi të Migjenit, Nolit, Serembes, Lasgushit etj, në moshën që nxënësit nuk i kuptojnë ose ende nuk dinë të bëjnë analiza të thjeshta letrare e të njohin anët e fshehta të fjalëve që kanë thënë poetët, në vend që të kenë poezi të shkrimtarëve për fëmijë, numri i të cilëve nuk është i paktë, por ka mbetur i heshtur nga ndërgjegjja jonë e fjetur. Ose edhe më keq, fragmente nga veprat e Tolstoit, Balzakut, Shekspirit në vend që të ndalen te shkrimtarët shqiptarë e të njohin fillimisht të vërtetën dhe problematikat e popullit të vet, sepse të njohësh diçka që i përket popullit tënd do të thotë të njohësh veten. Së paku kështu na kanë mësuar deri më sot.
Librat e këtillë mësimorë jo vetëm që vazhdojnë të barten dorë më dorë e vjet për vjet, por ajo që e bën edhe më të hidhur këtë realitet është fakti që arsimtarët/et nuk bëjnë asnjë gjë për ta ndryshuar këtë, qoftë edhe ajo më e pakta e më e vogla, një kërkesë për ndryshimin e plan programit në këtë lëndë mësimore. Nëse nuk bëhet në pjesën e hartimit të këtyre teksteve duke ditur se në atë zyrë nuk dëgjohet zëri i dikujt që bën punë të shenjtë, pra mëson brezin e ri, atëherë duhet që me nxënësit të bëjnë vete ndryshime dhe të ndalen në gjërat që kanë vërtet rëndësi për to e më vonë me pjekjen e tyre të ecin drejt botës së huaj letrare. Të ndjekin atë që na mëson pedagogjia, nga e lehta kah e vështira, nga e njohura te e panjohura. Nga jona te e tjetrit. Sepse vetëm kështu do të arrihet një sukses dhe popullit tonë do t’i shtohen njerëz që dinë shumëçka për të dhe në të ardhmen do ta ndriçojnë të njëjtin.
Përveç kësaj, një ndryshim duhet bërë edhe brenda shtëpive tona, brenda mureve ku ne vëmë libra të ndryshëm, me kopertina tërheqëse e me autorë që janë të panjohur për botën e fëmijëve (nxënësve). Në këto rafte ata gjejnë Orwellin, Ekon, Markezin, Balzakun që për prindin dhe mësuesin janë të njohur pas një studimi të mirëfilltë mbi to e pas leximeve të një pas njëshme, por për shpirtrat e nxënësve janë mjegullnaja dhe çoroditje, jo për faktin se ata nuk duhet të përballen me to në një të ardhme kur do të kenë edhe pjekjen e duhur, por është çudi kur thonë se me babanë ose nënën kemi lexuar “Emrin e trëndafilit” të Umberto Ekos ose “Fermën e kafshëve” të George Orwellit, pa njohur veprën e Agim Devës, Qamil Batallit, Nonda Bulkës, Bedri Dedjës, Odhise Grillos, Adem Gajtanit etj dhe autorë të periudhave të mëvonshme letrare shqipe.
Pra, edhe prindi para syve të fëmijëve, që janë nxënës të dikujt, duhet të lexojë fillimisht vepra shqipe me autorë shqiptarë dhe për këtë të bëhet shembull dhe jo vepra në gjuhë të huaj e me autorë të huaj, sepse me këtë vetvetiu e nxit fëmijën që, që në fillimet e tij t’u rrekte të tillëve e fare të mos njohë ata që bënë historinë e popullit tonë nëpërmjet penës dhe fletëve të zverdhura në bodrume nën dritën e qirinjve me pak jetë.
Sot, kur drita ekziston nga çdo anë le t’i mbushim shpirtrat e nxënësve me vepra shqipe, le t’i urdhërojmë të njohin autorin që ua shkroi historinë e le të gjykojnë vetë se cila vepër e tij meriton të jetë kryevepër, e në fund të na falënderojnë që i drejtuam në rrugë të drejtë.
Shkroi – Adelina XHAFERI