14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Me dëshminë e ekspertit ka vazhduar gjykimi ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë në rastin ku punëtori teknik humbi jetën në vendin e punës

Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Jonuz Mazreku, i akuzuar për asgjësim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës.

Në seancën e së enjtes, në cilësi të dëshmitarit  u dëgjua Hamid Nuredimi, ekspert për siguri në vendin  e punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Faik Halili, se çfarë pajisjes elektronike është dashtë me qenë, pasi në ekspertizë është cek, që pajisjet elektrike nuk kane qenë adekuate te kaldaja, dëshmitari Nuredimi u përgjigj se thuajse të gjitha pajisjet ishin jo adekuate për ngrohje me gaz.

“Lidhjet e rezervarëve të gazit dhe kaldajave ishin bërë përmes gypave që janë të destinuar për ngrohje qendrore  e jo për gaz, instalimet elektrike brenda kaldajës si, ormani elektrik prizat elektrike dhe ndriçimi nuk i përgjigjen ose nuk ju kanë përgjigjur kërkesave teknike  për zonën eksplozive siç ishte hapësira e kaldajës”, tha eksperti Nuredini.

Ndërsa në pyetjen e prokurores Dëshirë Jusaj, se i ndjeri Z.H, si pastrues a ishte adekuat për ta ndezur kaldajën, dëshmitari Nuredini deklaroi se nuk mundet me qenë pastruesi ai i cili duhet ta ndezë kaldajën.

Ndërsa gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Nuredini, prokurorja Jusaj është deklaruar se ka vërejtjë në mbrojtësin e të akuzuarit, avokatin Faik Halili, i cili sipas saj ka ndikuar vazhdimisht tek eksperti në dhënien e përgjigjeve ndryshe nga ajo që merrte për t’i thënë eksperti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa duke vendosur sipas deklarimit të prokurores Jusaj, gjyqtari i rastit Njazi Morina, me aktvendim ka përjashtuar pretendimet e prokurores, duke vendosur se nuk ka pasur ndërhyrje  nga mbrojtësi i të akuzuarit në përgjigjet e ekspertit Nuredini.

Në cilësinë e dëshmitarit për këtë seancë ka qenë e paraparë të dëgjohet edhe dëshmitari Xhevdet Krasniqi, mirëpo sipas gjyqtarit Morina, i njëjti nuk prezanton edhe pse i ftuar në mënyrë të rregullt, dhe kjo konstatohet nga fletëkthesa e datës 2 prill 2021, të cilën e ka nënshkruar dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

Me vendim të gjyqtarit Morina, seanca e radhës është caktuar me 3 qershor 2021 në ora 9:30, ku dëshmitari Xhevdet Krasniqi do të ftohet me urdhëresë përmes Stacionit Policor në Malishevë, kurse me ftesa të rregullta si dëshmitar do të ftohet Isuf Morina i propozuar nga prokuroria, dhe përfaqësuesi i departamentit ligjor në kuadër të Ministrisë së Arsimit, i propozuar sipas detyrës zyrtare nga gjyqtari Morina.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, për këtë rast më 22 qershor 2016, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Jonuz Mazreku, duke e ngarkuar atë se në cilësinë e drejtorit të Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, ka kryer veprën penale “asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, në cilësinë e përgjegjësit të shkollës, vepron në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse, dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti, dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Bexheti: Pa UÇK nuk do të kishte intervenim të NATO-s

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake policore serbe. 25 vjet më parë NATO ndërhyri për të ndaluar...

Kompletohet grupi i Kosovës në Ligën e Kombeve

Lituania e ka mposhtur Gjibraltarin me rezultat 2-0, nga dy ndeshjet në kuadër të playoff-it të Ligës së Kombeve. Kështu lituanët do t’i bashkohen Kosovës...

Lajmet e Fundit