Fshati Medvec shtrihet 20 kilometra larg Prizrenit dhe numëron mbi 200 shtëpi. Ky fshat kufizohet me komunën e re të Mamushës.
Qemajl Krasniqi, kryetar i fshatit, pohon se kjo zonë ka resurse të mira për zhvillimin e bujqësisë.
“Edhe tani po të punohet toka jetohet mirë, por ja që s’po mundemi më të merremi me tokën”, thotë Krasniqi.
Banori Izet Elshani, një aktivist i vjetër i këtij rajoni, shprehet se banorët kryesisht merren me bujqësi, por jo në mënyrë intensive si bëhej dikur.
“Dikur ne ishim prodhuesit më të njohur të rasateve në gjithë Kosovën, kurse tani besoni secila familje që mbjell ndonjë rrënjë perime, edhe rasatin e vet nuk e mbjellin, por e blejnë”, na thotë Elshani.
Lënia anash e bujqësisë Fshati ka edhe shkollën, por numri i nxënësve ka ardhur duke u rralluar. Hamëz Krasniqi, drejtor i shkollës në fshatin Medvec, shpjegon se aktualisht ka 242 nxënës dhe një staf prej 20 vetash.
“Është fatkeqësi që tashmë kurbeti po rëndën gjithnjë e më shumë fshatin tonë”, thotë Krasniqi, duke shtuar se janë jo më pak se 70 familje që gjenden jashtë Kosove si në Itali, në Gjermani e në Zvicër.
Studenti Kushtrim Krasniqi udhëheq një kompani të vogël, por shprehet se jeta nuk është si dikur në fshat.
“Para lufte këtu ka pasur plot jetë, veçanërisht në mesin e të rinjve, por tash mund të them, se kjo neve na duket si ëndërr. Të rinjtë e fshatit tash të gjithë ikin”, thotë Kushtrimi.
Edhe kryetari Qemajl Krasniqi shprehet se numri i familjeve po vjen duke u zvogëluar nga vitit në vit, derisa edhe ato që kanë mbetur pak merren me bujqësi.
“Vërtet toka është po ajo dhe nga kjo tokë e butë dhe e mirë vërtet mund të jetohet”, thotë Krasniqi.
Ai rrëfen se në afërsi të këtij fshati ndodhen edhe “Lisat e Zojzit”, që ishin vendtakim i burrave të Përdrinisë, ku bëheshin pajtimet e mëdha. Sipas tij, nga të gjitha fshatrat e Përdrinisë, edhe pse ka shpërngulje, megjithatë vazhdojnë ndërtimet e shtëpive të reja. Si rrjedhojë, edhe kërkesat për ujë të pijshëm janë të mëdha
Banorët kanë shumë ankesa Rruga lidhëse nga magjistralja Prizren-Gjakovën që lidhet përmes fshatrave Piranë-Zojz-Medvec-Mamushë, ka pësuar dëmtime të rënda dhe të thuash se mezi kalohet. Ky asfalt ishte i paraluftës edhe atë i viteve të hershme, tash ka aq shumë dëmtime, saqë rregullimi dhe shtrim i asfaltit të kësaj rruge është domosdoshmëri. Nëse kjo rrugë asfaltohet, do të lehtësonte jetën e banorëve, derisa nuk përjashtohet mundësia edhe lidhjes në ndonjë rruge alternative më të afërt me Prizrenin. Shqetësim për banorët paraqet lumi “Topllua”, i cili di të tërbohet dhe të bëjë dëme në fushat e këtij fshati.
Kryetari Qemajl Krasniqi shprehet se gati gjysma e tokës është lënë djerrinë.
“Si problem tjetër është edhe dëmtimi i shtratit të lumit “Toplluha”. Nga ky lumë në të kaluarën janë ujitur me qindra hektar tokë bujqësore, mirëpo tani me derdhjen e ujërave të zeza në lumë u është pamundësuar që këto toka të ujiten. Degradimi i këtij lumi ka filluar mbas lufte, sepse shumica e fshatrave të Suharekës, një pjesë e fshatrave të Rahovecit dhe komuna e Mamushës i derdhin ujërat e zeza. Gjithashtu shtrati i lumit është dëmtuar edhe nga nxjerrja e zhavorrit aty- këtu, dhe si pasojë e kësaj në disa vende është ngushtuar nga drunajat dhe gjësendet e tjera, dhe për pasojë gjatë dimrin janë vërshuar dhjetëra hektarë tokë të mbjella me grunaja dhe spinaq etj”, thotë Krasniqi.
Sa i përket infrastrukturës së fshatit, është investuar mjaft, por duhen edhe investime të tjera.
“Aktualisht, fshati ka nevojë për ndërtimin e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore, pastaj kërkesa e komunitetit për ujësjellësin nga sistemi i Radoniqit dhe riparimi i kanalizimit dhe shtrimi i disa rrugëve me kubëza betoni”, thotë kryetari Qemajl Krasniqi. /Kosova Sot/