22.9 C
Prizren
E enjte, 3 Korrik, 2025

Memoaret e një polici

Xhandar isha me detyrë, jam edhe sot.

Shkollim të rregullt s’kam thuaja asnjë ditë. Zaten, e kam veshur uniformën, pse s’kisha shkollë dhe pse i druaja shërbimit ushtarak. Ja se u bëra ushtar i përjetshëm. Edhe ndonjë vjet, e më pret pensioni.

Në kohën time, prej xhandarit kërkohej të dinte ta përdorte mirë kërbaçin si dhe të kishte zemër. Këtu isha shembullor.

Nuk mohoj: kam rrahur, me faj e pa faj. Sipas urdhrit.

Por, kjo që më ndodhi në këtë fshat, sidomos gjatë mbledhjes së armëve, ma ka bërë një pikë të madhe në zemër.

Kam rrahur shumë njerëz, fshatarë të këtij fshati.

Kam rrahur para e mbrapa, gjoksit e shpinës.

Mua më angazhonin, më duket, më së shumti.

Rrihja e rrihja, derisa më lëshonte fuqia, më dhembnin nyjat e duarve, derisa më mërzitej kjo punë.

Tejkaloja çdo normë të ditës e të javës.

Urdhri ishte zot për mua.

Më kujtohet një fshatar i leckosur e me cullakun e dalë jashtë. Ishte i dobët, thatuk, si krandja e xhehenemit – themi ne. S’di si e pse… ma kujtoi babanë tim të ndjerë! Ndjeva dhembshuri. Nuk çova dorë në të.

Sapo më vuri re eprori, më qortoi:

Bjeri, fort! Para dajakut të gjithë njësoj!

Atëherë ia lëshova kërbaçin dredhë-dredhë… Po të mos më ndanin – desh e mbyta!

Pranoj: kam rrahur shumë. Djem e të rinj, burra e ndonjë plak.

E ndërgjegjja më ka brejtur: pse hidhesha mbi ta si i tërbuar?!?

Sa lot kam parë, sa klithje kam ndier!

Sa lutje e sa përbetime në babë e nënë.

Krejt sipas urdhrit. Ky ishte zot për mua.

Kjo më mundon, para sysh më dalin qindra fytyra!

Fragment nga romani “Zezona” i Musa Ramadanit.

Më Shumë

Eris Abedini largohet nga Ballkani

Ballkani ka njoftuar zyrtarisht largimin e mesfushorit Eris Abedini nga skuadra. Klubi suharekas ka falënderuar Abedinin për kontributin e tij gjatë kohës sa ishte...

Vazhdojnë besnikërinë te Liria: Elshani dhe Susuri qëndrojnë në Prizren

Dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Lirisë së Prizrenit, Egzon Elshani dhe Xhevat Susuri, kanë rinovuar kontratat dhe do të jenë pjesë e...

Lajmet e Fundit